Çrregullimi mendor që ka prekur miliona fëmijë/ Psikologia: Ja si mund ta dalloni problemin shqetësues
Çrregullimi mendor që ka prekur miliona fëmijë/ Psikologia: Ja si mund ta dalloni problemin shqetësues
29 TETOR 2020
Në bisedat e përditshme shpesh dëgjon shprehjen: është fëmijë i shkathët, por nuk përqendrohet. Është e pamundur që një mësues gjatë përvojës së vet profesionale të mos ketë hasur nxënës, të cilët nuk qëndrojnë dot ulur gjatë një ore mësimi ose nxënës që vazhdimisht janë të zhytur në aktivitete që nuk kanë të bëjnë aspak me atë që po ndodh në klasë.
Këto janë raste që gjithnjë e më shumë po bëhen të shpeshta jo vetëm në shoqërinë shqiptare por edhe në botë. Mungesën e vëmendjes, sjelljet impulsive dhe ato të hiperaktivitetit, studiuesit i kanë përkufizuar si një çrregullim neurologjik, i cili sot njihet në termin( ADHD), Attention Deficit Hyperactivity Disorder ose çrregullimi i vëmendjes me hiperaktivitet.
Ky çrregullim nuk përjashton asnjë moshë, por më i shpeshtë është tek fëmijët. Studimet e viteve të fundit nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thonë se 6.1 milionë fëmijë në Shtetet e Bashkuara ose (9.4 për qind) midis moshave 2 deri 17 vlerësohet vuajnë nga ky çrregullim. Më shumë se dy të tretat e fëmijëve me ADHD vazhdojnë të shfaqin problematika të shumta në moshën e adoleshencës dhe të rritur.
Adoleshentët me ADHD rrezikojnë më shumë sesa të tjerët të braktisin shkollën, të abuzojnë me drogën dhe alkoolin, të shfaqin sjellje kriminale.
Por si të sillen prindërit, mësuesit, të afërmit nëse ndodhen përballë fëmijëve apo edhe më të rriturve që vuajnë nga ky çrregullim? Për herë të parë në dorën e profesionistëve vjen një udhëzues, në formën e një libri, i përgatitur nga psikologia Lorela Garuli ku theksohen modelet që duhet të ndjekim për të dhënë në kohë trajtimin e duhur.
E ftuar në ‘Wake Up’ në Top Channel, psikologia sqaroi me detaje si mund të dallohen këta fëmijë.
“Nëse do tu referohemi shifrave që na vijnë nga manualet diagnostike të huaja, prevalenca është 5 për qind e fëmijëve dhe 2.5 për qind e të rriturve. Është një çrregullim i lindur, është neurologjik.
Shumë prindër thonë që kanë fëmijë hiperaktiv, por duhet të kemi kujdes kur flasim për diagnozën. ADHD ka dy shtylla kryesore, është mungesa e vëmendjes, është pjesë e hiperaktivitetit që mund të jetë vetëm një lloj ose lloj tjetër, ose ADHD që i ka të dyja.
Janë një sërë shprehish te këta fëmijë që janë të prekur. Konkretisht mund të jenë të pavëmendshëm, harrojnë gjëra, humbasin, ti i flet dhe duket sikur nuk e kanë mendjen.
I thua 3 gjëra për shembull dhe mbajnë mend vetëm njërën ose i mbajnë mend ndryshe. Kjo i shkakton shumë vështirësi”, sqaroi psikologia.
Gazeta Shqip