Çudia e madhe, liqeni 50 mijë vjeçar bëhet rozë
Çudia e madhe, liqeni 50 mijë vjeçar bëhet rozë
12 Qershor 2020
Ujërat e një liqeni 50 mijë vjeçar në Indi u bënë rozë, dhe askush nuk di ta thotë me bindje përse! Liqeni Lonar në shtetin e Maharashtras ndryshoi papritur ngjyrë këto ditët e fundit duke i çuditur të gjithë.
Ekspertët mendojnë se ndryshimi mund të ketë ndodhur për shkak të rritjes së nivelit të kripës në ujë, pranisë së algave ose një kombinimi të këtyre dy fenomeneve, siç ka ndodhur në liqenin Hillier të Australisë. Gajanan Kharat, një gjeolog lokal, tha në një video të postuar në Twitter se dicka e ngjashme ka ndodhur më parë, por asnjëherë në këto përmasa.
“Ajo duket veçanërisht e kuqe këtë vit sepse kripësia e ujit është rritur,” tha ai. “Sasia e ujit në liqen është zvogëluar dhe liqeni është bërë i cekët, kështu që kripësia është rritur e ka shkaktuar disa ndryshime të brendshme”.
Po verifikohet ndërkohë nëse rol mund të ketë luajtur dhe prania e algave të kuqe. Kampionët janë dërguar në disa laboratorë, dhe shpresat janë që analizat e ujit të hedhin dritë mbi këtë mister. Liqeni, I ndodhur rreth 500 kilometra në lindje të Mumbait, është formuar sipas CNN, kur një meteorit goditi Tokën rreth 50,000 vjet më parë.
Gazeta Shqip