
“Çunat e Belës” që menaxhojnë miliardat e shtetit dalin në fushatë për zgjedhjet e 11 majit, ja si Klevis Jahaj i…
27 Shkurt 2025
Teksa Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka intensifikuar hetimet për aferat korruptive të ministrave të qeverisë, zv/kryeministrja Belinda Balluku duket se nuk e ndjen aspak presionin e drejtësisë. Përkundrazi, ajo po vijon fushatën elektorale si të mos kishte ndodhur asgjë, duke mobilizuar të gjithë drejtorët që ka në varësi të Ministrisë së Energjisë dhe Transporteve që drejton dhe duke i kthyer institucionet publike në vegla të pushtetit. Emra të rëndësishëm që menaxhojnë miliarda nga buxheti i shtetit, si Klevis Jahaj i Ujësjellësit, Blendian Dalipi i energjetikës, Erlind Sulo i KESH dhe Gentian Gjyli i ARRSH, janë shfaqur sëfundmi në takime elektorale. Në vend që të menaxhojnë sektorët jetikë që u janë besuar, ata dyshohet se po përdoren si “hambar” votash për të garantuar rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit në favor të mazhorancës.
Prapaskenat
Konkretisht drejtuesit e institucioneve të varësisë së ministres Ballukut janë parë në aktivitete krah zv/kryeministres. Shirita infrastrukturorë por që në thelb janë elektoralë, janë prerë me një ritëm të lartë, ndërsa investime të miratuara me urgjencë dyshohet se po përdoren për të joshur votuesit. Në shumë raste, premtimet e dhëna janë të njëjtat projekte të ricikluara nga fushata e kaluar, por këtë herë me një petk të ri propagandistik. Ndërkohë, task forca e SPAK ka paralajmëruar se do të godasë fort krimin elektoral dhe do të monitorojë çdo rast të përdorimit të burimeve shtetërore për fushatë. Por pavarësisht këtij kërcënimi, njerëzit e Ballukut duken të patrazuar. Ata vazhdojnë aktivitetin e tyre pa asnjë ndjesi rreziku, duke treguar hapur se ndihen të paprekshëm. Madje burime nga brenda administratës tregojnë se presioni mbi punonjësit publikë është rritur ndjeshëm.
Në disa institucione është lënë të kuptohet qartë se mbështetja ndaj Partisë Socialiste është një detyrim për ruajtjen e vendit të punës. Disa punonjës janë detyruar të marrin pjesë në takime politike, ndërsa të tjerë janë angazhuar në terren për të bindur qytetarët të votojnë për qeverinë. Pra në gjithë këtë skemë, zv/kryeministrja Belinda Balluku vazhdon të sillet sikur është e paprekshme. Edhe pse emri i saj është përmendur në disa hetime të SPAK për afera që përfshijnë koncesione dhe tendera të dyshimtë, ajo nuk ka ngurruar të dalë në vijën e parë të fushatës. Në vend që të distancohet nga akuzat dhe të japë llogari për keqmenaxhimin e fondeve publike, Balluku po vijon ofensivën politike, duke përdorur çdo mjet në dispozicion për të siguruar një tjetër fitore për partinë. Por a do ta tolerojë SPAK këtë arrogancë? Me task forcën e ngritur posaçërisht për krimin elektoral, pritshmëritë janë që drejtësia të ndërhyjë dhe të ndëshkojë abuzimet.
Deri më tani, ndonëse ka pasur disa paralajmërime, nuk ka ende një veprim konkret për të ndalur këtë fenomen. Nëse situata vijon kështu, zgjedhjet e 11 majit rrezikojnë të jenë një tjetër garë e deformuar nga përdorimi i burimeve shtetërore. Ndërkohë, demokratët dhe opozita e gjerë janë të vetëdijshëm për këtë skemë, por ende nuk kanë arritur të prodhojnë një kundërpërgjigje efektive. Ata e dinë që përballë kanë një makineri të fuqishme propagandistike dhe një administratë të trembur që vepron sipas urdhrave të mazhorancës. Megjithatë nëse SPAK do të zbatojë realisht premtimin për të ndëshkuar krimin elektoral, atëherë “çunat e Belës” mund të përballen me pasoja të rënda ligjore. Por nëse gjithçka mbetet në nivelin e paralajmërimeve, atëherë Balluku dhe ekipi i saj do të kenë dhënë një leksion të qartë mbi mënyrën sesi manipulohen zgjedhjet në Shqipëri, duke përdorur paratë e taksapaguesve si kapital elektoral.
Balluku i ekspozon vartësit në rrjetet sociale
Nga ana tjetër theksojmë se ka qenë dhe vetë zv/kryeministrja Belinda Balluku, e cila i ka ekspozuar vetë drejtorët në rrjetet sociale. Jo më larg se dje zonja Balluku shkroi në rrjetet sociale, ndërsa krah saj shihej drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, Klevis Jahaj: “Mamurras. Avancojnë punimet për ndërtimin e ujësjellësit të ri, ku përfshihet hapja e pus shpimeve të reja, ndërtimi i depos së re, rrjetit të transmetimit dhe atij të shpërndarjes, si dhe vendosja e matësave për abonentët. Një projekt i cili do të garantojë furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për të gjithë zonën, të cilin synojmë ta përfundojmë përpara afatit të parashikuar.”
Po ashtu, Balluku ekspozoi edhe më 22 shkurt drejtorin e KESH, Erlind Sulo, teksa shkruante në rrjetet sociale: “Me Kryeministrin Edi Rama në kantierin e segmentit Qafë Qelë – Koman, ku me mbështetjen e KESH, po vijon rehabilitimi i plotë i kësaj rruge. Një investim i rëndësishëm që do t’u shërbejë jo vetëm punonjësve të hidrocentralit , por edhe banorëve të zonës dhe vizitorëve të shumtë. Ndërhyrja do të shtrihet në të gjithë gjatësinë prej 31 km, duke shkurtuar ndjeshëm kohën e udhëtimit dhe përmirësuar parametrat e sigurisë rrugore.” Sakaq më 21 shkurt Balluku ekspozoi edhe drejtorin e ARRSH, Gentian Gjyli, ndërsa shkruante në rrjetet sociale krah fotove: “Pritjes së gjatë i erdhi fundi. Më 14 mars, tuneli i Murrizit do të hapet për qarkullimin e automjeteve.
Po punohet për detajet e fundit të kësaj vepre, më e rëndësishmja e Rrugës së Arbrit, e cila afron Dibrën me Tiranën, duke i dhënë të gjithë zonës një hov të ri zhvillimi. Ndërkaq krah Ballukut u shfaq në datën 19 shkurt edhe kreu OSSH, Blendian Dalipaj, ku zv/kryeministrja shkruante në rrjetet sociale: “Drejt përfundimit punimet për rinkonstruksionin dhe fuqizimin e nënstacionit elektrik Tirana 1, pranë Zogut të Zi. Një ndërhyrje, e cila rrit kapacitetet shpërndarëse dhe sigurinë, ul humbjet , si dhe përmirëson cilësinë e furnizimit me energji për afro 25 mijë banorë dhe biznese të kryeqytetit. Po investojmë kudo në Shqipëri për të modernizuar sistemin tonë energjetik, rritur standardin dhe përmirësuar cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.”
Gazeta Sot