Ç’vend zinte shqipja në studimet gjuhësore europiane në vitet ’20 te shek. XX-Monopoli gjerman-
Nga Armand Plaka.
Fillimet e albanologjisë. –
Vetë fjala albanolog (dhe albanologji), nisi të zinte vend në rrethet shkencore linguistike e politike europiane, në gjysmën e dytë të shekullit ’19, për të shënjuar njohuritë rreth gjuhës shqipe dhe marrëdhëniet e vendin që ajo zë në përballje me gjuhët e tjera indoeuropiane, nga pikëpamja gramatikore, etimologjike, leksikologjike etj, duke kërkuar në të edhe vetë origjinën e racës shqiptare në raport me kombet antike fqinje e jo vetëm, raportet me gjuhët e gjalla e të vdekura e ndihmuar kësisoj edhe vetë shkencën e historisë. Dihet se shqipja përveç shtyllës së saj bazë leksikore, përmban edhe ndikime nga disa gjuhë të tjera, që lidhen me epoka pushtimesh të caktuara e depërtimesh kulturore. Nga ana tjetër, mbesin në mesin e linguistëve të djeshëm e të sotëm, pika të zjarrta debati mes rretheve pro dhe atyre kundër, që tentojnë të zbardhin një nga pretendimet më të hershme mbi etnogjenezën e shqiptarëve, çelësi i të cilës dihet se kërkohet të gjendet pikërisht tek gjuha.
Pionierët e parë dhe monopoli gjermanik
Studiuesi gjerman Johann Thunmann, i cili rezulton ndër të parët që u mor seriozisht me problemet e shqipes, si profesor në Universitetin e Halle-s në Gjermani, në fillimshekullin e 19-të, i konsideron shqiptarët si pasardhës të ilirëve. Më pas, vepra e oficerit bavarez Xylander (Die Sprache der Albanesen oder Schkipetaren, Frankfurt 1835), më vonë ajo e mjekut gjerman, në shërbim të mbretit Otto të Greqisë, Karl Reinhold (Noctes pelasgicae, Athinë 1855), tentuan të sillnin në vëmendje të botës së qytetëruar, gjuhën shqipe dhe bashkë me të edhe çështjen shqiptare. Thuajse në të njëjtin vit, një tjetër albanolog, Dr Johann Georg von Hahn, konsull i Austrisë në Shqipëri, po i jepte botës një vepër madhore, me lëndë të gjerë (Albanesîsche Studien, Wien 1853 dhe Jena 1854), mbarsur me shënime historike, një përshkrim të Shqipërisë dhe të zakoneve të racës, një përmbledhje gramatikore, shoqëruar me një lëndë të konsiderueshme mbi folklorin, dhe në fund një fjalor me synime jo thjesht praktike. Pa dyshim se vepra e Hahn-it, parë nga perspektiva e sotme nuk ka ndonjë vlerë të madhe shkencore, por përmbante një lëndë të pasur, një gramatikë të plotë të gjuhës shqipe, një thesar të vërtetë fjalësh dhe shprehjesh, duke kryer një rol misionari për brezat që do të vinin. Eshtë e vërtetë se ajo periudhë rreth mesit të shekullit të 19-të, ka qënë shumë frytëdhënëse në këtë drejtim, duke dëshmuar një monopol thuajse absolut të rretheve studimore e jo vetëm, gjermanofone, të cilat shumë pak ose aspak u ndoqën nga ata të vendeve të tjera: kështu pra, pikërisht në këtë kohë hasim edhe studimet e Franz Bopp-it (Uber die albanesische in seinen verwandtschaftlichen Beziehungen, Berlin, leksion imbajtur në Akademinë e Shkencave Gjermane më 18 maj 1854). Pak më vonë, gjejmë edhe kontributet e një tjetër linguisti gjerman, August Pott, dhe botimet e arbëreshëve de Rada dhe Kamarda që nuk shërbyen pak në mbjelljen dhe përhapjen e lëmit studimor të albanologjisë. Kjo disiplinë, si degë e veçantë e linguistikës dhe filologjisë, u përqafua dhe u përsos me kontributin e profesorit Gustav Meyer, njëri ndër më të shquarit në këtë lëm studimor, për të cilin dikur Konica do të shkruante: “Asnjë shqiptar i vërtetë s’ka të drejtë të mos dijë emërin e Zotit Gustav Majer, mësonjëtor i math n’Oshtri (Austri), i njohur në gjithë botë. Midis aqë të diturve t’Oshtrisë qi kanë punuar për përparimin e gjuhës shqip, as një ndofta s’ka dëftyer aqë thellësi sa Gustav Majer…” (shih: “Sëmundja e Zotit Gustav Majer”, Revista Albania, Viti I, Nr. 8, 1897, fq 125). Albanologjia, siç do të theksonte edhe Mit’hat Frashëri në një artikull të botuar në faqet e revistës “Diturija” në vitin 1927, kishte mbetur deri më atëherë, “një dituri gjermane, në duar të dijëtarvet të racësë alemane. S’ dimë asnjë librë, broshurë ose studim të bërë prej një Englezi, dhe të vetëmat dy veprave në gjuhë francëze nuk u njihetë no një vleftë shkencore”.
Katedrat e para për gjuhën shqipe
Duke u bazuar në artikullin e Mit’hat Frashërit, por edhe në burime të tjera, rezulton se katedrat reale të gjuhës shqipe, të cilat do të duhej të punonin tashmë në kuadër të planeve të mirëfillta shkencore në universitetet europiane, e kanë pasur qendrën e tyre në dy shtete të cilësuara gjerësisht si jo pak të interesuara për çështjet shqiptare, dhe ku mësimi i shqipes duket se u trajtua më shumë nisur nga pikëpamje praktike e ato të përfitimeve me karakter politik, apo të atyre utilitare për zgjerimin e tregtisë, se sa si kontribute të pastra në lëmin e filologjisë e të linguistikës. Kështu, leksionet e para në një katedër të posaçme të gjuhës shqipe nisën në “Istituto Orientale” të Napolit, më 1900, ku kreu i kësaj katedre u emërua Prof. Giuseppe Schiro, aktivist i mirënjohur i Rilindjes Kombëtare shqiptare, ardhur nga rrethet studimore të arbëreshëve të Italisë, i cili diti ta shfrytëzojë më së miri momentin e volitshëm të rritjes së interesimit të Mbretërisë Italike ndaj vendit të tij të origjinës. Vetëm në vitin 1904, katër vjet pas eksperiencës napolitane, bëhet e mundur çelja në Vjenë e “Institutit të Gjuhëve Lindore”, me kursin special të shqipes, drejtuar nga Dr.Gjergj Pekmezi. Ky institut ishte në lidhje të ngushtë me Akademinë Konsullore, duke pësuar më vonë një ndarje prej saj, për ta vijuar më pas punën plotësisht i pavarur. Kontigjentet e studentëve vinin nga e njejta akademi dhe disa prurje nga universitete të tjera, duke e shtuar numrin e të interesuarve edhe me nxënës e studentë të shkollave tregtare, historisë, gjeografisë, gazetarisë e ato të inxhinjerisë, kur po shihej se rëndësia e Shqipërisë dhe çështjes shqiptare për ish-Perandorinë austro-hungareze, po bëhej gjithnjë e më e madhe. Dr. Pekmezi, një shqiptar nga Starova i shkolluar në Vjenë, autor i disa vëllimeve mbi gjuhën shqipe, i vijoi mësimet e tij deri në vitin 1914, duke ia lënë vendin profesorit Kol Rrota nga Shkodra, i cili e kreu misionin e vet deri në vitin 1923.
Kursi i shqipes në Paris, më 1921
Në këtë kohë, është sërish Vjena që sjell kontribute të reja me Norbert Joklin, albanolog i brezit të ri, i cili jepte asokohe leksione në Universitetin e Vjenës në lëmin e gjuhësisë krahasuese e atë të gjuhëve indoeuropiane, duke pasuar në këto kurse profesorin Kretschmer. Në këtë kohë, në vitin 1921, për herë të parë çelet edhe në Paris, një kurs i gjuhës shqipe si pjesë e Shkollës së Gjuhëve të Gjalla Lindore (Ecoles des Langues Orientales Vivantes) drejtuar nga profesor Mario Roques, lektor në Sorbonë dhe në Shkollën e Gjuhëve Lindore, i cili në atë kohë mbahej nën një ritëm dy herë në javë. Ndër lektorët e parë të këtij kursi ishte dhe Dhimitër Berati, sekretar i Legatës shqiptare në Paris. Më vonë, mësimet u vijuan nga Stavre Stavro, një shqiptar nga Korça. Vetë Mario Roques, ishte një njohës shumë i mirë dhe lektor i rumanishtes, duke e inkuadruar në fakt kursin e shqipes si një nëndegë të saj, pa ia dhënë zyrtarisht statusin e një dege më vehte. Po në këtë kuadër, ishte çelur qysh në vitin 1921 një Qendër e Studimeve Shqiptare (Centre d’Etudes Albanais) për të mbledhur dhe shpërndraë çdo njohuri e lajm për dhe nga Shqipëria, e cila në parim duhej të mbahej financiarisht prej vetë studentëve shqipëtarë të Parisit.
Edhe Roma e Beogradi
Më 1923, dy vjet pas themelimit të degës mësimore në Paris, fillojnë dy kurse në dy kryeqytete të tjerë: në Romë dhe Beograd; përkatësisht në “Istituto delle lingue slavi e orientali”, dhe i dyti në Universitetin Shtetëror të Beogradit, në seminarin e gjuhësisë shqipe (Seminar za arbanasku filologjiju). Në Romë kursin e drejtonte Prof. Hamdi Kavaja. Në Beograd botohet edhe një mbledhje studimesh (Arhiv za arbanasku starinu, jezik i etnologjiju) nën drejtimin e profesor Bariç, botim plot interes për çështjet shqiptare, sadoqë pjesa më e madhe është shkruar në serbisht, një gjuhë kjo, sipas M. Frashërit në atë kohë, “pak e arrijëshme për dijëtarët”. Gjurmët e këtyre dy katedrave, i gjejmë aktive edhe në kohët që do vijonin, duke kujtuar këtu sidomos kontributet e Prof. Arshi Pipës dhe Martin Camajt, pas Luftës së Dytë botërore (dmth. Largimit të tyre nga vendlindja për arsyet që dihen tashmë). Ndër kurset apo katedrat më të reja të gjuhës shqipe në qytetet e Europës, ishte asokohe ai i themeluar nga Dr. Gustav Weigand, më 1925, në Lajpcig, duke krijuar një seminar shqiptar (Albanische Seminar) pranë universitetit të atij qyteti, seminar në të cilin gjendej edhe një bibliotekë e veçantë për studime të filologjisë, historisë e etnologjisë së Shqipërisë. Seminari shqiptar gjendej sipas informacioneve të kohës, ngjitur me seminarët rumun dhe atë bullgar që drejtonte vetë Prof. Dr. Weigand, i cili botonte asokohe me ritëm vjetor edhe “BalkanArchiv”. Profesor Weigand i ishte përkushtuar prej shumë viteve studimit të gjuhës rumune dhe asaj vllahe, dhe me atë rast kishte rënë në kontakt edhe me gjuhën shqipe. Sipas Mit’hat Frashërit, për të shpjeguar shtysën që e kishte bërë Prof. Weigand edhe Prof. Mario Roques që të kalonin përmes rumanishtes në interesin drejt shqipes, do të mjaftonte një pjesë nga parathënia e vëllimit të parè të “BalkanArchiv”: gjer më sot shumë dijëtarë kanë konsideruarë gjuhën rumune si një folie romane, domethënë të rjedhurë nga latinishtja; po, shton, njohja e bulgarishtesë, dhe mê tëprë akoma duke nxënë frymën dhe karakterin e gjuhësë shqipe, më bënë të shoh se, rumanishtja është mê afrë te shqipeja nga ç’ është pandehurë … Universiteti i Lejpcigut vijoi ta rriste peshën e vet edhe pas Luftës së Dytë, nën regjimin e RDGJ-së, i cili me ulje ngritje, e rriste shpesh interesin për shqipen dhe Shqipërinë, në kuadër të politikës së kohës, kur dy vendet i përkisnin të njejtës ideologji politike udhëheqëse.
Diturija: Të dërgojmë studentë në Leipzig
Kohët që pasuan, pavarësisht një interesi në rritje në terma relativë nga katedrat e akademitë e shquara europiane e atyre botërore, vijuan t’ia linin në dorë këtë monopol “shkollës gjermanike”, duke e shpërndarë atë disi në ndonjë qendër tjetër tradicionale, por edhe të re, siç ishte interesimi i përkohshëm e i pjesshëm i katedrave gjuhësore nga ish-BRSS e atyre të ish-vendeve të Kampit Socialist. Në këtë mënyrë, dëshmohet se realitetet politike do të ishin më së shumti ato që do ta udhëhiqnin rritjen, apo zgjimin e interesit ndaj një gjuhe e një populli, që ka vuajtur nga izolomi, paragjykimi e mosinteresimi shpesh i pamotivuar i pjesës tjetër të kontinentit, qofshin këta edhe rrethet e tyre më të emancipuara shkencore e intelektuale, pa përjashtuar përpjekjet e mangëta dhe mundësitë e kufizuara me të cilat vetë shqiptarët janë ndeshur. Duke vijuar me arsyetimet e Mit’hat Frashërit, interesant është thirrja që ai bënte nga platforma që drejtonte për studentët shqiptarë, pasi më parë theksonte se “Sido që të jetë, filologët, indogermanistët, kanë përpara tyre shumë punë akoma, dhe çdo studim, çdo rëmihje në lëmë të gjuhësë shqipe, sjell një gur të dobishmë për ngrehjen e godis’ së shkëncësë, për të kthielluarë problemin e ‘origjinës së popujvet, për të hedhurë pakë dritë në errësirrat e asaj që i themi parahistori. …Do të donja që studentët tanë në Vjenë dhe në Paris të afrohenë te kurset e professor Jokl-it, dhe te Shkolla e Gjuhëvet të Lindjesë, të fëmijësohenë me metodat shkëncore të gjuhësisë. Ng’ an-a tjatrë dhe studentë të ‘posaçmë munt që të dërgohen’ në Leipzig për të vazhduarë mësimet e të tre-seminarëvet te Ballkanit, dituri e cila na prek, jo vetëm nga pikëpamja thjeshtë spekulative shkencore, po edhe për politikën tënë kombiare, për mprojten dhe lartësimin e shqiptarizmësë”.