– Daçiç kundër planit franko-gjerman: – I papranueshëm për Serbinë. – “Na detyron të njohim pavarësinë e Kosovës”
4 Nentor 2022
Bashkimi Evropian konfirmoi të premten se tashmë ka marrë përgjigjet nga Kosova dhe Serbia për planin franko-gjerman në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, por ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç thotë se Beogradi nuk mund ta pranoje këtë, pasi parasheh njohje të Kosovës.
“Qëndrimi i Serbisë është i qartë, ai plan nis nga baza e papranueshme, nga fakti që çështja e zgjidhjes politike konsiderohet e përfunduar dhe se ne vetëm duhet ta pranojmë, me dëshirë apo pa, me zë a heshtur, pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Daçiç nga Vjena, shkruan “EuroNews Serbia”.
Ai ka thënë se pikërisht kjo temë do të diskutohet nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
BE-ja u bëri thirrje palëve që ta shfrytëzojnë “rastin e mirë”. Dokumenti është mbajtur larg publikut, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pati thënë se aty parashihet që Serbia të mos e pengojë Kosovën në rrugën drejt njohjes ndërkombëtare, në këmbim të përshpejtimit të rrugës së Serbisë drejt BE-së.
Nga Kosova, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi pati thënë se plani më shumë i afrohet pozicionit të Serbisë, pasi nuk parasheh njohjen reciproke në këtë fazë.
Gazeta Panorama