Dalin të dhënat e sistemit me informacionet sekrete të Policisë së Shtetit për kriminelët shqiptarënga hakerat iranian
3 Tetor 2022
Grupi kriminal i financuar nga Irani që i bëri sulm kibernetik Shqipërisë, “Homeland Justice”, ka publikuar ditën e sotme të dhëna sensitive të sistemit ‘MEMEX’, i cili përmban listën e personave të dyshuar si të përfshirë në veprimtari kriminale.
“Homeland Justice”, në vijim të veprimeve kriminale, ka publikuar online një material prej 1.7 giga byte ku është skeduar i gjithë informacioni policor . MEMEX njihet edhe si Sistemi i Menaxhimit të Informacionit Kriminal dhe është mjeti kryesore në punën e Policisë së Shtetit.
MEMEX mban të dhëna sekrete të policisë mbi çdo eksponent kriminal. Ky sistem shërben për marrjen dhe transmetimin e njoftimeve për ngjarjen kriminale të ndodhur, informacionit policor si dhe të dhënave për personat e implikuar në këto ngjarje apo informacione.
Informacionet e publikuar sot nga grupi kriminal i hakerave vjen si vijimësi të disa publikimeve të dokumenteve që janë marrë nga sulmi mbi sistemet qeveritare dixhitale shqiptare. Më parë janë publikuar edhe informacione të marra nga emaili zyrtar të ish drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano.
Kujtojmë se para pak ditësh Byroja Federale e Hetimit (FBI) dhe Agjencia e Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës (CISA) kanë publikuar një deklaratë të përbashkët, ku kanë dhënë detaje për sulmet kibernetike të Iranit kundër Shqipërisë.
Midis majit dhe qershorit 2022, hakerët iranianë kryen sulmin e parë ndaj portaleve qeveritare shqiptare, duke nxjerrë të dhënat e qytetarëve. Më pas në korrik 2022, hakerët goditën sërish portalin qeveritar shqiptar, duke lënë edhe një mesazh për muxhaedinët që Shqipëria ka strehuar në Durrës.
Në qershor 2022, “Homeland Justice” krijoi një faqe interneti dhe profile të shumta të mediave sociale që postonin mesazhe anti-MEK. Më 18 korrik 2022, “Homeland Justice” pranoi sulmin kibernetik ndaj portaleve qeveritare shqiptare. Më 23 korrik 2022, postoi video të sulmit kibernetik në faqen e tyre të internetit.
Nga fundi i korrikut deri në mesin e gushtit 2022, llogaritë e mediave sociale të lidhura me “Homeland Justice” filluan të publikonin të dhënat e qytetarëve dhe qeverisë shqiptare online. Në shtator 2022, hakerat iranianë nisën një tjetër sulm kibernetike kundër Qeverisë së Shqipërisë.
Gazeta Shqiptare