Dan Brown, i vetmi heretik që ndërtoi parajsën e famës mbi themelet e ferrit dhe anatemës
27 Qershor 2023
Ai na ka magjepsur, na ka mrekulluar, na ka manipuluar, na ka shastisur, ka rrëmuar në skutat e terrta me trillerin e tij, dhe vazhdon ta bëjë këtë me artin e shkrimtarisë së tij, me të pavdekshmet kryevepra, “Kodi i Da Vinçi”, “Engjuj dhe Djaj”, “Simboli i humbur”, “Mashtrimi i madh”, “Ferri”, “Origjina”, të cilat pasuruna vetëdijen tonë mbi njohjen, grishën shpirtin rebelues, duke e ftuan atë në aventura ngjethëse, ngërthyer në morsa makthesh dhe frike. Ai bëri tek ne kaq shumë vend sa ç’mund të bënte çdo ngulm trilli e alibi e vërtete.
Na përfshiu si pakkush nëpër ato labirinthe historishë të sajuara mbi një nevojë përputhshmërie. Zgjoi prej thell nesh atë forcë titane përjetimi, atë ndjesi që e ngarend hovin tonë të përpushur në aventura dhe befasi, duke na udhëprirë atje ku na çonte padutimi dhe na shndërronte në gjendje shpërthyese e papritura.
Ai, diti të përdorte përfshirjen tonë më mirë se çdo prestigjator tjetër. Na dha atë që kishte më të çmuar dhe ne i blatuam çfarë kishim më të shtrenjtë. Ai mund të jetë asgjë në botën e madhe të letërsisë, por para se të dakordësohemi në këtë përcaktim, ne duhet të lexojmë çfarë ai shkruan, si ai rrëfen, çfarë ai e pretendon si të vërtetë dhe çfarë ne pranojmë si arsye për të qenë të magjepsur nga pena e tij.
Ai është Dan Brown, ai ka sot ditëlindjen, ai vjen sot si një mbamëndje e njeriut kurajoz, skrupuloz dhe erudite. Romanet e tij janë kryefjala e trillerit, kryerendja e interesimit të përbotshëm të leximit. Dan Brown ka lindur më 22 qershor 1964 në Exeter, New Hampshire, SHBA.
Krijimtaria e tij është referenca e trillerit, aksionit dhe manifestimit të një realeje që duke qenë e kapur pas fijeve të padukshme të imagjinatives, qëllimsisë dhe shkakësisë, ajo ka aftësinë të penetrojë në plasaritjet e thella të dyshueses dhe kundërshtisë, rebelimit ndaj rregullave dhe nënshtrimit prej diktatit të formës, për t’u bërë një vullnesë që e mban pezull këtë mendje të manipuluar, këtë vetëdije dorzan një afrie që i qaset si nevojë besimi në diçka që bashkëjeton me të në një botë tinzare që fshihet pas ndëshkimit.
Ky autor, më shumë se pakkush tjetër në zhanrin e tij, e lidh mbamendjen tonë me të si me një personalitet të pazakontë të letërsisë amerikane dhe botërore. Pra se të hynte rrapëllyeshëm në vëmendjen e letërsisë botërore, para se të behte si pena e zullumeve dhe përzimllekut, krisjes tektonike të pllakës 2000-vjeçare të kodit të fshehjes të sekreteve, ai ishte thjeshtë një mësues i gjuhës angleze.
Dan Brown jeton dhe shkruan në Massachusetts në ShBA. Ai dhe bashkshortja e tij, Blythe, janë njohës të mirë të historisë dhe kulturës evropiane. Librat e tij karakterizohen nga tema e zbulimit të aventurave misterike, të bazuara jo gjithmonë në ngjarje dhe personazhe të vërtetë, por që denoncojnë heshtjen, shtirjen, manipulimin.
Letërsia e Brawn është, ajo e leximit me një frymë, e rrëmbimit dhe tërheqjes gati mistike. Pakkush tjetër në zhanrin e tij ka mundur të rrokë atë përmasë lexuesish, admiruesish dhe inkuizicionistësh, sa ai.
Historia moderne do ta mbajë Dan Brown për një kohë të gjatë si depërtuesin më ngulmëtar në nënshtresat e papërshkruara dhe të ndaluara. Ai është i vetmi heretik që ndërtoj parajsën e famës mbi themelet e ferrit dhe anatemës.