Danimarka merr vendimin: – Shërbim ushtarak dhe për gratë
21 Mars 2024
Danimarka ka njoftuar se do të nisë të rekrutojë gratë në shërbimin ushtarak për herë të parë. Gjithashtu, Danimarka ka ambicie të rrisë buxhetin e saj të mbrojtjes me gati 6 miliardë Dollarë në 5 vitet e ardhshme për të përmbushur objektivat e NATO-s.
“Ne nuk riarmatosemi sepse duam luftë. Ne po riarmatosemi sepse duam ta shmangim atë,” tha kryeministrja e Danimarkës, Metter Frederiksen.
Duke zbuluar reformat të mërkurën, Frederiksen tha se qeveria po kërkonte të arrinte barazi të plotë midis gjinive. Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen tha: Rekrutimi më i fuqishëm, duke përfshirë barazinë e plotë gjinore, duhet të kontribuojë në zgjidhjen e sfidave të mbrojtjes, mobilizimin kombëtar dhe menaxhimin e forcave tona të armatosura.
Gratë në vendin skandinav tashmë mund të bëhen vullnetare për shërbimin ushtarak. Qeveria planifikon të prezantojë rekrutim femrash nga viti 2026, duke e bërë atë vetëm vendin e tretë evropian, krahas Norvegjisë dhe Suedisë që kërkon që gratë të shërbejnë në forcat e armatosura.
Sipas këtyre reformave, shërbimi i rekrutimit do të zgjatet nga 4 në 11 muaj, si për burrat, ashtu edhe për gratë. Forcat e armatosura të Danimarkës aktualisht numërojnë rreth 20,000 personel aktiv, duke përfshirë rreth 9,000 trupa profesionistë.