Tut Kamuni

“Darka e gabuar e Ramës në Prishtinë, ndryshe nga sa thotë ai po lobon fuqishëm për…”

8 shkurt 2019

 

ANDI BUSHATI/

Një intervistë e sinqertë e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj për emisionin “T7” ka nxjerë në pah disa të vërteta që Edi Rama mundohet ti’a mbajë të fshehta publikut shqiptar. Me mënyrën e tij, sa bazike po aq edhe të drejtëpërdrejtë në të shprehur, shefi i qeverisë në Prishtinë na ka rrëfyer tre detaje të rëndësishme të darkës që është zhvilluar në shtëpinë e Hashim Thacit.

 

E para është një konfirmim zyrtar i asaj që përflitet prej kohësh, se Edi Rama ndryshe nga sa thotë po lobon fuqishëm për një arritje të marëveshjes shqiptaro – serbe përmes obsionit të rrezikshëm të ndarjes etnike dhe të këmbimit të teritoreve.

E dyta është se ai po e bën këtë (ndonëse me një mbështetje nga Uashingtoni) në kundërshtim me shtetet më të fuqishme që kanë në dorë përparimin e Shqipërisë drejt BE-së.

E treta dhe më e rëndësishmja, se ai po ashtu sikurse Hashim Thaci, ka fituar tashmë mërinë e kancelares Merkel.

Nga ky prononcim kuptohen lehtësisht dy gjëra: se në kundërshim me atë që ka deklaruar në intervistat e dhena tek Fevziu apo tek Eni Vasili në vjeshtën e kaluar, kryeministri shqiptar rezulton të jetë një ndër protagonistët e planit për ndarjen e Kosovës. Ndryshe nuk kishte pse bënte presion për këtë obsion mbi liderët e saj dhe nuk kishte pse luante në favor të hartave që po vizatojnë Aleksandri me Hashimin.

Por me sa duket Rama nuk është treguar i pasinqertë vetëm me bashkëatdhetarët e tij. Jo më kot Haredinaj e përmend shkarazi në intervistë keqadhjen e Anxhela Merkelit.

Gjermania ka qenë fuqimisht e angazhuar kundër kësaj ideje. Që këtu e disa vite më parë, kur burime diplomatike raportuan se gjatë një darke, në dhomën restorant të kryeministrisë, Aleksandar Vucic, Hashim Thaci dhe mikpritësi i tyre kishin diskutuar hapur për këmbim teritoresh, zyrtarët e Berlinit kanë qenë të shqetësuar. Ky merak mbërriti kulmin, kur ata i kërkuan kryeministrit të Shqipërisë, që si kusht për të takuar Merkelin në Berlin, në prill të 2018, ishte edhe dënimi i idesë së ndryshimit të kufijve.

Rama e pranoi sfidën. Ai hyri në kanclari dhe i foli sy më sy Merkelit se nuk e mbështeste aventurën e dy presidentëve, serb dhe kosovar. Kjo gënjeshtër, nuk është se kaloi pa rezultat imediat. Kryeministri shqiptar mori në Berlin premtimin se Gjermania do të angazhohej për hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe se ajo nuk do të lejonte në asnjë mënyrë lënien e Tiranës pas Shkupit në këtë proces.

Le të kujtojmë se jemi ende në pranverën e 2018, katër muaj përpara se Hashim Thaci t’a shpallte publikisht idenë e “korrigjimit të kufijve». Por, informacionet që mbërrinin tek diplomatët gjermanë ishin shqetësuese dhe kjo e bëri ambasadoren e këtij vendi në Tiranë që të kërkonte, në verën e vitit që shkoi, disa takime me kabinetin e kryeministrit, për ti kujtuar angazhimin që pati marë para kancelares.

Ndërkohë, ideja u bë publike nga Thaci dhe Vucic në gusht të 2018 dhe menjëherë Gjermania e tha publikisht obsionin e saj: Michael Roth, ministri për Europën, foli për hapje të kutisë së Pandorës në Ballkan, Anxhela Merkel theksoi, nga Bosnja, shenjtërinë e teritoreve të paprekshëm dhe ajo dërgoi shefin e vet të diplomacisë, Haiko Mass, për ta përsëritur këtë në shtatorin që shkoi, në Tiranë.

Të gjitha këo ranë në vesh të shurdhër. Deklarata si ato të Ramës, se “Merkel është kancelaria që mbron interesat e vendit të saj, kurse unë ato të vendit tim” dhe më pas shkarkimi i ministrit Bushati që kishte dalë pro versionit Gjerman, ishin pikat që e derdhën gotën.

Tani Edi Rama mund t’a vizitojë Berlinin vetëm si piktor.

Por këtu në lojë nuk është fati i tij, por ai i integrimit të Shqipërisë.

Në verën e kaluar, pasi ideja e ndryshimit të kufijve u bë publike, Anxhela Merkel deklaroi: ‘Ne këtë nuk mund ta lejojmë. Nga kjo do të varet edhe ardhmëria europiane e vendeve të Ballkanit perendimor”.

Pak a shumë këtë përsëriti edhe kryeministri Haredinaj në intrvistën e fundit kur tha se nuk e kuptonte se pse Rama dhe Thaci po veprojnë kundër vullnetit të vendeve si Gjermania me të cilat kemi interesa strategjike.

Merita e tij, si pjestar i “ndejës” në shtëpinë e re të Thacit, nuk është vetëm qëndrimi që mbajti aty. Por mbi të gjitha se ai vendosi ta bëjë publike atë që ndodhi. Tashmë askush në atë tryezë nuk mund të fshihet më pas gishtit. Ne të gjithë tani e dimë se për cfarë po punon Edi Rama, në ndryshim nga ajo që ka deklaruar në Tiranë dhe ajo që ka premtuar në Berlin.

Tut Kamuni

©Lapsi.al