“Dasma” e Lin Delisë nga Italia në Shkodër, artisti Genti Tavanxhiu: Vepra ka vlera të veçanta. –

“Dasma” vepër e autorit Lin Delija pritet të ekspozohet për herë të parë në qytetin e Shkodrës. Artisti dhe kuratori Genti Tavanxhiu pohon se për të sjell veprën e artistit Lin Delija kishte vite që e mendonte, dhe në qytetin e Shkodrës do ta ekspozojë bashkë me veprën “Dasma shkodrane” të Kol Idromenos. Kuratori Tavanxhiu tregon se nisma për ta sjellë në qytetin e Shkodrës lidhet jo vetëm në nderim të profesorit të tij Lin Delija, por dhe për vlerat e veçanta që mbart ajo vepër.

““Dasma” e Delisë ndodhet në Itali, do ta ekspozojmë së bashku me atë të Kol Idromenos. Ideja për të sjell “Dasmën” e Delisë ka tashmë shumë vite, që sillet në kokën time në formë respekti për profesorin tim, për qytetin tim, për vlerat e veçanta që ajo përmban lidhur me historinë e larmishme, që ky vend përcjell vazhdimisht në artet shqiptare”, tregon artisti Genti Tavanxhiu. Muzeu “Marubi” është vendi i menduar për ekspozimin, dhe artisti Tavanxhiu tregon se kjo ideja për të sjell veprën në Shkodër u konkretizua gjithashtu për një seri faktorësh, të cilët në mënyrë indirekte u bënë shkak për promovimin dhe realizimin e projektit. “Së pari unë kam punuar në Shqipëri me një sërë aktivitetesh në qytetin e Korçës, duke dhënë një kontribut pozitiv në artet e bukura tek skulptura e parkut, dhe gjithashtu me arkitekturën në realizimin e eksperimentit Arkitekturë-Skulpturë Korça Pavilions Days 2017. Këtë vit me të njëjtin ekip prezantuam Shqipërinë në Bienalen e Venecias”, tregon mes të tjerave artisti Tavanxhiu. Këtë herë jo në qytetin e Korçës, por projekti i tij i radhës është në qytetin e tij Shkodër. Ai tregon se mendoi të sillte veprën e piktorit të njohur Lin Delija dhe për një kontribut artistik në qytetin e tij. “Më brente ideja që asnjëherë nuk më ishte dhënë mundësia për një kontribut artistik mbi qytetin tim. Mendova ta filloj me Delinë dhe me “Dasmën” pikërisht për faktin që këto elemente i lidh çdo gjë me Shkodrën. Fotografia, traditat, kostumet, vlerat e veçanta dhe të çmuara, vendlindja e autorëve, ndryshimet që kanë sjell në pikturë, por në të njëjtën kohë i ndan një det, “një det i mbushur plot me lot dashurie”. Mendoja sikur të asgjësoj distancën, do ishte magjike”, rrëfen ideatori i këtij projekti Genti Tavanxhiu. Në lidhje me prezantimin e veprave ai tregon se është nismë private, por mbështetet nga Muzeu i Delisë në Antrodoco Itali, nga Bashkia Shkodër, shoqata “Lin Delija” në Shkodër dhe Ministria e Kulturës.

Prezantimi i pikturës së Lin Delisë në Shqipëri

Edhe pse një ide prej vitesh, ekspozimi i veprës “Dasma” e Delisë sipas artistit Genti Tavanxhiu ka bërë që ai të përballet me një sërë problemesh. “Për realizimin e këtij hapi duhet të ndeshem me një seri problemesh burokratike siç janë lejet për transportimin e një vepre arti nga Muzeu Lin Delija në Antrodoko RI Itali drejt Shqipërisë. Kam menduar ekspozimin sëbashku me “Dasmën shkodrane” të Kol Idromenos, duke i vendosur përballë njëra -tjetrës, një dhomë të veçantë brenda një salle. Akoma nuk po përshtatemi me përmasat që na nevojiten pasi nuk disponon Shkodra ambiente te tilla për një ekspozim të denjë”, vijon Tavanxhiu. Sipas tij projekti nuk mund të transferohet në një qytet tjetër, pasi do humbiste kuptimin. “Aktualisht Muzeu “Marubi” është një ndër kandidatët e mundshëm me sallë në hyrje, e cila prezantohet mjaft mirë. Lidhet gjithashtu dhe ideja e fotografisë me mendimin e Kolës, i cili po fiksonte në telajo siç bën fotografia, një moment nga ngjarjet tipike të qytetit Shkodran”, pohon më tej artisti. Nxënës i tij, artisti Genti Tavanxhiu tregon se në Shqipëri nuk i është kushtuar vëmendje prezantimit të pikturës së Lin Delisë. “Kam qenë nxënësi i fundit i tij në 1993-‘94. Personalisht unë mendoj, që Delija është prezantuar në Shqipëri në një formë të gabuar. Nuk i është kushtuar vëmendje prezantimit të pikturës së Delisë me forma kronologjike dhe me seleksion mbi punët më të arritura. Lin Delija zë një vend në pikturën shqiptare. Pozicioni i tij nuk është akoma i saktë, por shpresojmë së shpejti për një promovim”, përfundon artisti Tavanxhiu. Piktori Lin Delija u nda nga jeta më 9 prill 1994 në Romë në moshën 68 vjeçare./

Nga: Julia VRAPI