29 Shtator 2024

Një artist i shquar ka njoftuar se do të hapë muzeun e parë në botë të artit të Inteligjencës Artificiale në Los Anshelos, i cili do të nxjerrë në pah “ndërlidhjen midis imagjinatës njerëzore dhe potencialit krijues të makinave”.

Muzeu i artit të Inteligjencës Artificiale – i quajtur “Dataland” – është planifikuar të hapet në fund të vitit 2025, në një ndërtesë të re pranë Muzeut të Artit Bashkëkohor, muzeut “The Broad” dhe shtëpisë së Filarmonisë në Los Angeles, duke krijuar një hapësirë për artin e Inteligjencës Artificiale midis disa prej lokacioneve kulturore më prestigjioze të Los Angelesit.

Bashkëthemeluesi i “Datalandit”, 38-vjeçari Refik Anadol, është artist mediatik. Veprat “e pëlqyeshme dhe të diskutueshme” me IA, i janë prezantuar në mbarë botën, duke përfshirë Muzeun e Artit Modern në New York, galerinë “Serpentine” në Londër dhe së fundmi, selinë e Kombeve të Bashkuara. Në dy vitet e fundit, Anadol e ka gjetur veten në qendër të debateve mbi vlerën e artit të krijuar nga Inteligjenca Artificiale, pasi turma njerëzish thuhet se janë “trazuar” nga kanavacat e tij masive interaktive digjitale, ndërsa disa kritikë arti i kanë konsideruar ato të mbingarkuara dhe mediokre. Tani Anadol po kërkon t’u ndërtojë artistëve si ai, një hapësirë ekspozuese të përhershme midis disa prej lokacioneve më të spikatura të kulturës së lartë në Los Angeles. Gjithashtu, po zotohet se ky muze arti do të promovojë “inteligjencën artificiale etike” dhe do të shfrytëzojë burime të rinovueshme të energjisë.

“Los Angelesi dhe Kalifornia, është vendi  duhur për të imagjinuar botë të reja”, ka thënë Anadol.

Duke qenë adhurues i kamotshëm i filmit “Blade Runner”, ai hodhi poshtë idenë se mund të ketë ndonjë gjë distopike në lidhje me themelimin e një muzeu të artit të Inteligjencës Artificiale në zemër të Los Angelesit.

“Ky muze është utopik”, ka thënë ai.

Me “Dataland”, Anadol thotë së ai dhe ekipi i tij i vogël i artistëve dhe ekspertëve të teknologjisë, shpresojnë të rishpikin muzeun për epokën e Inteligjencës Artificiale duke theksuar punën inovative të artistëve digjitalë, të cilët janë parë prej kohësh me skepticizëm nga institucionet më tradicionale të artit, si dhe duke ofruar një hapësirë për të vazhduar hulumtimet shkencore dhe teknologjike. Ai pohoi se po përpiqet të krijojë një hapësirë të re fizike muzeore të teknologjisë së lartë, duke e pajisur ndërtesën me kompjuterë të avancuar, sensorë specialë dhe aktivitete të veçanta.

Refik Anadol është në qendër të debateve për vlerën e artit të krijuar nga Inteligjenca Artificiale, pasi turma njerëzish thuhet se janë “trazuar” nga kanavacat e tij masive interaktive digjitale

Derisa shpreson ta përdorë muzeun e tij të ri për të “çmitizuar” Inteligjencën Artificiale, Anadol, i cili ka punuar me kompani si, Google, Nvidia dhe gjigantë të tjerë të industrisë, po ashtu deklaron se potenciali i teknologjisë është jashtëzakonisht i madh.

“Inteligjenca Artificiale nuk është mjet. Është përtej një mjeti. Në realitet, në historinë njerëzore ne kurrë nuk e kemi pasur Inteligjencën Artificiale si teknologji”, ka thënë ai.

Pas grevës historike të Hollywoodit vitin e kaluar, kur skenaristët dhe aktorët ngritën shqetësimet e tyre se Inteligjenca Artificiale po përdoret për të zëvendësuar artistët fizikë, Los Angelesi mund të jetë një prej qyteteve në botë ku punonjësit e skenës kulturore janë më armiqësorë ndaj Inteligjencës Artificiale. Anadol ka thënë se i kupton disa nga shqetësimet e artistëve të Hollywoodit dhe se ata gjithashtu kishin të drejtë për disa kritika ndaj Inteligjencës Artificiale në aspektin ekonomik.

“Unë nuk besoj se makinat duhet të jenë të vetmit krijues. Është një e ardhme e tmerrshme nëse i lëmë makinat të bëjnë punë krijuese”, ka thënë ai.

Tutje deklaroi se beson që është e rëndësishme që artistët të ndërtojnë mjetet e tyre të inteligjencës artificiale, dhe se thjesht përdorimi i një mjeti që dikush tjetër e ka ndërtuar nuk është i mjaftueshëm.

Teksa industria e Inteligjencës Artificiale përballet me kritika të jashtëzakonshme mbi sasinë e madhe të energjisë që kërkon, Anadol ka thënë se synon të jetë transparent në lidhje me përdorimin e energjisë prapa mjeteve dhe teknologjive të reja të muzeut. Artisti shpjegon se ka punuar me kompaninë, Google, për të gjetur një burim të qëndrueshëm të energjisë në Oregon për të fuqizuar mjetet e tij të Inteligjencës Artificiale, pa përdorur lëndë djegëse fosile edhe nëse kjo do të thotë se procesi i punës do të jetë më i ngadalshëm.

“Këtu ideja nuk është të jesh i shpejtë ose i pari – është të kesh të drejtë”, ka thënë Anadol.

Ende pa i mbushur të 40-tat dhe tashmë duke ekspozuar punën e tij globalisht, Anadol është shumë i angazhuar dhe vazhdimisht në lëvizje – madje edhe intervistën për “The Guardian” e realizoi pjesërisht nga një taksi që udhëtonte nëpër qytetin e New Yorkut Jorkut në ditën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Vitin e kaluar, Muzeu i Artit Modern në New York bleu veprën e Anadolit, “Unsupervised”, një kanavacë gjigante digjitale që përdor Inteligjencën Artificiale për të gjeneruar ekrane të reja që ndryshojnë vazhdimisht, dhe të bazuara në imazhe 200-vjeçare nga koleksioni i vetë muzeut.

Refik Anadol, i cili jep mësim në departamentin e dizajnit në Universitetin e Kalifornisë, është i shquar në botën e artit dhe muzeve anekënd botës. Krijimtaria e tij është përfshirë në festivalin aktual të arteve në Kaliforninë Jugore, “PST: Art”, dhe në një intervistë të fundit, përpara paralajmërimit të krijimit të muzeut të tij, Katherine Fleming, presidente dhe kryeshefe ekzekutive e Institucionit të Artit, “Getty”, e quajti atë “artistin më të famshëm të inteligjencës artificiale në Los Angeles”.

Gazeta Koha, Prishtine