David Selenica, gjeniu i ikonografisë shqiptare dhe i 1000 afreskeve
David Selenica, gjeniu i ikonografisë shqiptare dhe i 1000 afreskeve
Nga: MOIKOM ZEQO
Voskopoja në kohën e dy gjenive të mëdhenj, Teodor Kavalioti, filozof dhe mendimtar i madh shqiptar dhe piktorit të shkëlqyer David Selenica. Opusi madhështor i Davidit, i cili më 1721 pikturon kryeveprat e tij, afreske dhe ikona të pazakonta në Voskopojë.
Është momenti kur dijetarët shqiptarë dhe të huaj po lartësojnë vizionin shkencor, traditën e një qyteti kaq të habitshëm si Voskopoja.
Voskopoja është një Kostandinopojë e Vogël në mes të Ballkanit, një kryeqytet i vogël kulturor, pa një të dytë në Shqipëri, shkatërrimi i së cilës u vajtua sipas një kënge psallmike, që ende ruhet në një kodik njësoj si vajtimi për Jerusalemin apo Kostandinopojën nga kronistët. Voskopoja është një nga mrekullitë më të mëdha të Shqipërisë, një dimension origjinal dhe shumëkulturor për Ballkanin dhe Europën.
Tashmë Voskopoja është si një qytet gati si i vdekur, por me përjetshmërinë e pamohueshme dot të monumenteve.
Në Voskopojë janë gërshetuar kulturat ballkanike, por thelbi dhe substanca e hapësirës dhe e mjedisit etnik ka qenë Shqipëria. Voskopoja lindi në mjedisin shqiptar, por nëse do të përdornim një përcaktim të filozofit Karl Poper, Voskopoja qe një “shoqëri e hapur”. Kjo ide është tepër moderne dhe ndoshta ideja kryesore për bashkësinë e popujve në fundin e mijëvjeçarit të dytë. Tezat e skajshme dhe metafizike që i mohojnë shqiptarësinë Voskopojës, që mbivlerësojnë elementët grekë apo vllahë janë të papranueshme, ashtu siç është absolutisht e papranueshme edhe mohimi i ndikimeve të grekëve apo vllahëve në historinë kulturore të Voskopojës. Një optikë ekuilibruese, një logjikë pranuese dhe jo përjashtuese do të bënte të mundur dhe do të shpjegonte enigmën kolosale të Voskopojës si një qytet apo një qendër kulturore e shumëfishtë. Pyetja pse ndodhi që dukuria e Voskopojës të sendërtohej pikërisht në Voskopojë dhe jo në Greqi, apo në Serbi, apo dhe në Azinë e Vogël etj., është një pyetje që nuk mund të anashkalohet me përgjigje të thjeshta dhe aq më tepër të politizuara. Unë nuk besoj që Shqipëria është Greqi, madje as Vllahi (një shtet vllah nuk u arrit të bëhej kurrë). Është fakt i pamohueshëm se Voskopoja është një sintezë e kulturave ku paraprin një iluminizëm i vërtetë jo vetëm filozofik me ndikim të qartë nga Perëndimi dhe sidomos nga Franca dhe nga protestanizmi gjerman apo anglo-sakson si dhe nga një humanizëm i krishterë, i cili duhet kuptuar jo aq në rrafshin e dogmës sesa si një metaforë e ringjalljes kundër pushtimit shekullor islamik otoman. Një mjedis jetëdhënës për këtë sintezë kulturore ishte pikërisht Shqipëria dhe çuditërisht një zonë e thellë malore si Voskopoja.
Voskopoja u bë kështu një qytet i klasit të parë dhe një thesar i njerëzimit. Voskopoja të kujton deri diku kryeqytetet kozmopolite të ndërfutjes së kulturave të popujve tek njëra-tjetra, por jo në boshllëk dhe në hava, por në një kronologji të saktë, të vijueshme të mjedisit kulturor shqiptar, në një kontekst të qartë ballkanik dhe europian. Vetëm ky vështrim është objektiv dhe nuk na lejon që ta shikojmë në mënyrë të njëanshme apo të absolutizojmë të veçantat kur studiojmë historinë kulturore të Voskopojës së Shqipërisë.
Dy gjenitë e mëdhenj të Voskopojës, janë padyshim Teodor Kavalioti, filozof dhe mendimtar i madh shqiptar dhe piktori i shkëlqyer David Selenica.
Duke mos dashur të bëj tablonë enciklopedike të Voskopojës, dua të ndalem te figura opusi madhështor i piktor Davidit. Davidi në 1721 pikturon kryeveprat e tij, afreske dhe ikona të pazakonta në Voskopojë.
Në 1720 në Voskopojë qe ngritur dhe një shtypshkronjë, e dyta në gjithë territorin e Perandorisë Osmane. Davidi në Voskopojë dekoron kishën e Shën Kollit. Ai së bashku me dy bashkëpunëtorë të shkëlqyer, piktorët Konstandini dhe Kristo punoi për pikturimin e bazilikës për gati 5 vjet.
Punën e përfundoi më 18 tetor 1756, pra 272 vjet më parë, siç shënohet edhe në mbishkrim. Mbishkrimi na jep edhe një vlerësim estetik. Aty thuhet se këto piktura janë bërë “nga peneli i hollë dhe shumë elegant i piktor Davidit”. Ky bazilik i Voskopojës mund të quhet si një KAPELE SIKSTINE e pikturës tonë mesjetare. Deri vonë studiuesit kanë menduar se Davidi është nga fshati Selenicë në afërsi të Korçës. Është meritë e padiskutueshme e studiuesit M.B.Sakellorion, i cili në një libër të tij të botuar më 1983 bën një zbulim të madh dhe unikal. Ky studiues shënon se narteksi i kapeles me emrin Virgjëresha kukuzelike në Manastirin Laora e Madhe, në malin Athos është plot piktura me cilësi shumë të larta, ku ka dhe një mbishkrim që thotë se autori është “Davidi nga Vlora”. Mbishkrimi mban datën 1715. Është pikërisht M.B.Sakellarioni, që bën identifikimin stilistik dhe morfologjik të piktorit David nga Vlora me piktorin David të Shën Kollit të Voskopojës. Enigma e origjinës së Davidit u zgjidh kështu përfundimisht. Dihet se në Vlorë është fshati i Selenicës, ku është edhe miniera e famshme e bitumit, përmendur nga autorët antikë edhe si një minierë nga më të vjetrat e Europës, por edhe si qendër Orakullit e kultit pagan të zjarrit. Pra, Davidi ynë ka lindur në Selenicë të Vlorës dhe talenti i tij i fuqishëm e bëri atë që të linte kryeveprat e tij në Athos dhe në Voskopojë.
Është dhe një pikë e tretë e gjeografisë, pikërisht në një kishë të Kosturit, ku ka pikturuar Onufri ynë i madh dy shekuj më parë se Davidi nuk ka lindur në Voskopojë dhe as nuk është nga Voskopoja. As shumë intelektualë të tjerë që u shquan në rrafshin kulturor të Voskopojës nuk kanë qenë me origjinë nga Voskopoja, ashtu siç ka dhe të tjerë që janë me origjinë nga Voskopoja.
Davidi është një piktor i përmasave të mëdha. Ai ka pikturuar afro 1000 afreske me një fuqi artistike të jashtëzakonshme. Nëse Onufri është një gjeni dhe patriark i artit ikonografik shqiptar, që zë kreun e vendit në artin e vendit tonë, Davidi është gjithashtu një gjeni dhe një kryemjeshtër i dytë i madh i ikonografisë. Davidi e theksoi konvencionalitetin e ikonografisë bizantine duke e formalizuar skajmërisht sistemin dogmatik. Davidi krijon një pikturë të ngjashme me stilin rilindas europian, por pa humbur veskun e artit bizantin lindor, gjë që përbën një ekzotikë të posaçme dhe një sinkretizëm kulturor shqiptaro-ballkanik. Arti i Davidit është Kënga e fundit e mjellmës së ikonografisë shqiptare në shekuj.
/Shqiptarja.com