“Davidi” i Michelangelos printohet në versionin 3D
“Davidi” i Michelangelos printohet në versionin 3D
Kopja në 3D e skulpturës “Davidi” e realizuar nga Michelangelo do të ekspozohet në tetor në Dubai në “Expo 2020”
Një nga veprat nudo më me nam të periudhës së Renesancës – Davidi i Michelangelos – tani ka një binjak të shekullit 21 në versionin 3D.
Kopja me rrëshirë e skulpturës që është 5.2 metra e gjatë e që përmban të gjitha shenjat e origjinalit të mermerit, u krijua duke përdorur teknologjitë më të përparuara dhe do të jetë pjesa qendrore e Pavijonit të Italisë në “Expo 2020” në Dubai në tetor. Me 550 kilogramë përfshirë bazën, është 10 herë më e lehtë se origjinali.
“Teknologjia e lidhur me kujtesën historike do të shërbejë për kujtimet e së ardhmes”, i ka thënë “New York Times”, Paolo Glisenti, komisari i përgjithshëm italian i ekspozitës. “Historia dhe inovacioni – janë temat që na interesojnë”.
Cecilie Hollberg, drejtoresha gjermane e “Galleria dell’Accademia” të Firencës, ku Davidi origjinal qëndron që nga viti 1873, e përshkroi statujën e para kolosale e përfunduar pas Antikitetit si përfaqësim të pavarësisë, bukurisë dhe forcës. “Çfarë zgjedhjeje më të mirë për të përfaqësuar Italinë, por edhe rilindjen e botës pas COVID-it?”, ka thënë ajo.
Michelangelo skaliti veprën e tij të njohur gjatë viteve 1501- 1504 nga një bllok i vetëm prej mermeri. Skulptura përshkruan heroin biblik Davidin, i cili vrau Goliathin gjigant me hobe.
I njëjti bllok i mermerit ishte i braktisur për 25 vjet në oborrin e “Opera del Duomo” sepse dy artistët të cilët fillimisht ishin caktuar që të punonin kishin menduar se kishte shumë papërsosmëri dhe dyshuan nëse guri mund t’u rezistonte shkatërrimeve të kohës. Michelangelo që ishte 26-vjeçar e mori në dorë dhe pjesa tjetër është histori.
Është dashur gati një vit që një shumëllojshmëri inxhinierësh, teknikësh, restauruesish dhe artizanësh të prodhojnë “David 2.0”.
Projekti u krye në detaje të përpikta në procesin që u nda në tri faza. Së pari, skanuesit e teknologjisë së lartë kapën versionin digjital të statujës me rezolucionin më të lartë, e më pas pjesët u shtypën një nga një në formatin 3D. Më në fund ato u bashkuan nga një ekip restauruesish të mbikëqyrur nga studiuesit nga Universiteti i Firences.
Nicola Salvioli, i cili kishte udhëhequr grupin e restauruesve, kishte shpjeguar se si ata bënin “çarjet, thyerjet, njollat, gërvishtjet, pjesët pak a shumë të lëmuara” të gurit origjinal në versionin 3D “për t’i dhënë një shpirt asaj që është, në realitet, një kopje që është shndërruar nga diçka digjitale në një materie fizike”.
Statuja ka aq shumë kopje në të gjithë botën, saqë lista ka edhe faqen e saj në Wikipedia. Megjithatë, kjo është kopja e parë që është autorizuar nga Muzeu, i cili ka fituar një betejë për autorësi mbi një rast në vitin 2017.
Në atë kohë “Galleria dell’Accademia” fitoi një padi civile kundër një kompanie turistike që përdori imazhin e skulpturës së famshme pa leje në materialet e saj të marketingut që shpalosnin çmimet e fryra të muzeut. Sidoqoftë, në përgjigjen e tyre në lidhje me suveniret e panumërta të skulpturës së Davidit, që shiten edhe në Firence, Hollberg i kishte përshkruar ato si teknikisht “jo të ligjshme, por që është e vështirë të arrish në fund të kësaj”.
Përpjekje për kopjimet e digjitalizuar të Davidit kishin nisur që në vitin 1997, kur Universiteti Stanford dhe Universiteti i Uashingtonit kishin punuar në avancimin e teknologjisë së skanimit 3D.
Njëzet vjet më vonë, regjisori Ridley Scott donte një kopje të saktë në shkallë të plotë të “Davidit” për filmin e tij “Alien: Covenant” (2017), në të cilin një android i luajtur nga Michael Fassbender u emërua pas skulpturës.
Për këtë prodhim përdori gjipsin e suvasë të “Davidit”, pjesë e koleksionit të muzeut “Victoria dhe Albert” në Londër, si bazë për replikën e filmit. Ajo u skanua për tetë orë, pas së cilës skanimet e ndryshme u bashkuan për të formuar një kopje virtuale të skulpturës.
Rastësisht, skulptura e muzeut “Victoria dhe Albert” përmban një fletë fiku suvaje të ndashme të shfaqur afër: në një mbulesë modeste thuhet se kishte për qëllim të mbronte ndjeshmërinë e mbretëreshës Victoria kundër figurës së zhveshur të lavdishme.
Artisti, shkrimtari dhe historiani Giorgio Vasari dikur ka shkruar se “asnjë vepër arti tjetër nuk është e barabartë me të në asnjë aspekt, as me proporcion, bukuri dhe përsosmëri siç e ka bërë Michelangelo”.
Por çfarë në lidhje me ata për idenë që kjo kryevepër është kopjuar nga një makinë?
“Asnjë kopje nuk mund të kapte patosin e origjinalit”, ka thënë Hollberg për gazetën “Corriere della Sera”. Megjithatë, ajo shtoi se kopja mund të jetë “lajmëtari, alter egoja e saj teknologjike, artistike dhe artizanale”.
Gjersa kopja niset nga Milanoja për në Dubai në fund të këtij muaji, “Davidi” origjinal do të mbetet në Firence, me shpresën për të pritur turistët edhe një herë pas pandemisë.
Asgjë nuk është zbuluar ende në lidhje me fatin e “Davidit” të digjitalizuar, pasi që ai të kthehet nga ekspozita në Dubai. \ DW
KOHA Ditor. Prishtine