29 Nentor 2024

Fundi i nëntorit hap çdo vit debatin e vjetër për datën e çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesi gjerman. Në studion e MCN, dy historianët Marenglen Verli dhe Petrit Nathanaili, thanë se ky është një debat i stisur që nuk i shërben askujt.

Petrit Nathanaili

Është një debat i stisur. Në vendet e tjera askush nuk diskuton gjëra të tilla. Ky debat është hapur për të sfumuar rolin e asaj force politike, që duam apo nuk duam ne, doli fitimtare dhe u fut në radhën e atyre që fituan luftën. Historinë e bën ai që fiton luftën. Partia Komuniste e fitoi luftën dhe vendosi edhe datën. Datat vendosen nga ata që marrin pushtetin.

Ne deri para pak kohësh festonim 9 majin si fundin e Luftës së Dytë Botërore. Këtë e feston Rusia. Në Perëndim festohet 8 maji. Për arsye politike Stalini për t’u veçuar nga të tjerët tha kam datën time, 9 maji. Kush do ta kundërshtojë këtë?

Marenglen Verli

Kur afrohet fundi i nëntorit, ne na vijnë gazetarët me mikrofon: je për 28 apo 29? Është absurde. Diskutohet pa frut për një gjë nonsens. Datën e përcakton fitimtari. Media vjen te ne vetëm për të thënë se a i keni gjetur dokumentet kur është tërhequr reparti i fundit. Lëvizjet e ushtrive bëhen natën. Ajo që dihet është kjo. Më 28 ishin aty, më 29 kur hynë partizanët nuk ishin më. Ishin tërhequr gjatë natës. Nuk i shërben askujt ky lloj debati.