Debati për menaxhimin e Butrintit, Andi Tepelena: Problematika e ka origjinën që tek ligji për trashëgiminë kulturore i vitit 2018
8 Nentor 2023
Specialistë të trashëgimisë kulturore dhe aktivistë problematikat për Butrintin i shohin, që tek ligji për trashëgiminë kulturore dhe muzetë i vitit 2018. Në tryezën e diskutimit për “Mbrojtjen e Butrintit” një ditë më parë, ku merrnin pjesë specialistë të trashëgimisë, aktivistë, ekspertë ligjor, etj, u fol mbi problemin e menaxhimit të parkut kombëtar të Butrintit, një nga temat më të debatuara. Aktivisti Andi Tepelena, pjesë e Aleancës për Mbrojtjen e Butrintit i pranishëm në takim shprehet se problemi fillon që me ligjin për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, i miratuar në vitin 2018, ku përcakton dhe formimin e fondacioneve.
“Problematika e Butrintit e ka origjinën që tek ligji për trashëgiminë kulturore i vitit 2018. Kemi një ligj, që përcakton formimin e fondacioneve. Nuk është se ka probleme që të ketë partneritet privat- publik në menaxhimin e trashëgimisë kulturore, por konflikti i interesit qëndron këtu, se ky ligj është asistuar dhe financuar nga Fondacioni Shqiptaro -Amerikan AADF. Vetë fondacioni është me një ligj të posaçëm dhe fiton të drejtën për menaxhimin e Butrintit”, thotë Tepelena. Në bordin e fondacionit 2 anëtarë janë nga Ministria e Kulturës dhe 2 nga AADF, ndërkaq udhëhiqet nga studiuesi anglez Richard Hodges. Por aktivisti Tepelena, i cili dhe më parë ka dalë në mbrojtje të Butrintit thotë se nuk është e drejtë për çfarë po ndodh me menaxhimin e parkut kombëtar. “Shteti mund ta menaxhojë dhe administrojë vetë Butrintin”, shprehet Tepelena.
Menaxhimi i Butrintit
Menaxhimi i parkut kombëtar të Butrintit është shoqëruar këto kohë dhe me debate dhe akuza në parlament. Por aktivisti Andi Tepelena thotë se dhe UNESCO duhet të ketë një qëndrim më të qartë në lidhje me modelin e menaxhimit në Butrint. “Duke qenë se çështja është dhe në Gjykatën Kushtetuese kërkon dhe të informoheshim më shumë rreth dinamikave në gjykatë dhe të nisi një komunikim me UNESCO-n. Nuk kemi një qëndrim të qartë, çfarë mendon UNESCO për Butrintin në lidhje me këtë model menaxhimi që na ofrohet.
UNESCO të shprehet qartë se çfarë mendon me Butrintin”, shprehet Tepelena. Akademiku dhe arkeologu Apollon Baçe, specialisti i trashëgimisë Kreshnik Merxhani, arkitektja dhe arkeologia Lida Miraj ishin disa prej emrave të pranishëm në tryezën e diskutimit “Mbrojtja e Butrintit”, ku aktivisti Andi Tepelena thotë se u zhvillua për të mbajtur gjallë frymën për mbrojtjen e Butrintit dhe për të krijuar një lëvizje opinioni në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. “Nëqoftëse në Gjykatën Kushtetuese humbet, ne do të vazhdojmë me hapa të tjerë si Strasburgu.
Por dhe referendum kombëtar kur të kemi ligjin për referendumin”, thotë Tepelena. Më herët para zhvillimit të kësaj tryeze, Auron Tare shprehej në rrjete sociale se vendi ynë i ka të gjitha kapacitetet për të administruar dhe menaxhuar këtë qendër të trashëgimisë sonë kulturore. “Kjo pasuri botërore i është dhënë në administrim një fondi të huaj të quajtur AADF me justifikimin se institucionet shqiptare janë të paafta për ta administruar atë. Duke mos u pajtuar në asnjë mënyre me këtë logjikë institucionale dhe në bazë të një eksperience të gjatë të Shkollës së Arkeologjisë, Restaurimit dhe më pas të një menaxhimi ekselent të Butrintit, mendoj se Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet për të administruar dhe menaxhuar këtë qendër të trashëgimisë sonë kulturore”, shkruan Tare. Parku Kombëtar i Butrintit është një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, arkeologjike, mjedisore dhe turistike të vendit. Në vitin 1992 Butrinti u pranua si vendbanimi i parë arkeologjik i Republikës së Shqipërisë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Gazeta Shqiptarja.com