Debatit rreth identitetit europian të shqiptarëve. – romani “Murgu” i Artan Fuges. –
Një roman që na fton t’i rikthehemi edhe debatit rreth identitetit europian të shqiptarëve. Kështu e përshkruan, Akademiku Artan Fuga, librin e tij të fundit “Murgu”, i cili ka dalë në shitje.
Fuga tregon se ky botim, rizbulon vlerat e së kaluarës sonë iliro-arbnore, me ndikime nga bota heleniko-romake dhe që sjell të dhëna historike me të cilat shqiptarët e sotëm mund të krenohen përpara gjithë Europës.
Fuga shpjegon se libri i kushtohet edhe marrëdhenieve të moralit me pushtetin, paranë dhe seksin. Duke i vërtitur ngjarjet rreth konceptit të pavdekësisë së shpirtit, autori e trajton atë edhe si besim, edhe si instrument kreditimi financiar në Mesjetë, por edhe nxjerr në pah kuptimin filozofik të kësaj pavdekësie të shpirtit sipas një neoplatonizimi të Shek. II e të III pas Krishtit. Romani tregon konfliktet sociale të asaj kohe duke u hapur në tema me interes të asaj kohe sikurse janë një revolucion teknologjik, shpikja e letrës me vlerë pa përmbajtje materiale që është pararendësja e kreditimit të sotëm dixhital. Mbi këtë bazë, me anë të rrëfimit fiksion të jetës së personazheve, Artan Fuga ballafaqon pasojat e këtiij hopi në botën e parasë në ditët e stome ku paraja është bërë strumbullari i gjithçkaje.
Po çfarë i sjell ajo shpirtit? Përse ajo rrezikon t’ia bëjë jetën të mirë dikujt, por edhe ta rrënojë shpirtërisht? Nëpërmjet intrigës ndërtuar në formën e një hetimi shumëplanësh, autori tregon fate epokash, institucionesh, njerëzish duke i mëshuar vlerës së spiritualitetit që është davaritur në shoqërinë shqiptare.
Romani është një thirrje për rikthim në identitetin tonë të vërtetë europian duke rizbuluar vlerat e së kaluarës sonë iliro-arbnore, me ndikime nga bota heleniko-romake dhe që përmban perla të cilat mund të krenohemi përpara të gjithë Europës, por që fatkeqësisht, i kemi keqtrajtuar, mohuar, braktisur.
Një shënim i marrë nga kopertina e librit “Murgu”
Dy grabitje të bujshme kanë ndodhur. Njëra në kohën tonë, në një apartament buzë detit në Durrës, ku janë vjedhur mijëra euro; tjetra, përpara disa shekujsh, në katedralen e një qyteze mesjetare, dy piktura krejt të veçanta për nga estetika dhe mesazhi i tyre janë zhdukur pa lënë gjurmë.
Çfarë lidhje kanë këto dy grabitje me njëra-tjetrën?
Dy njerëz hetojnë për të zbuluar grabitësit: Etnologu Tristan Bardhi, një intelektual bashkëkohor, dhe murgu mesjetar Martin de Chassagne. Përgjatë hetimeve, duke kapërcyer ndarjet shekullore në kohë, ata zbulojnë njëri-tjetrin, përballen me enigma, të papritura, edhe hedhin dritë, secili në kohën e vet, mbi epokat ku kanë jetuar, mbi paranë, pushtetin, pavdeksinë e shpirtit, seksin, historinë dhe gjithçka që e bën njeriun të mendohet kur kërkon kuptimin e jetës së tij.
Nëpërmjet një rrëfimi sa filozofik aq dhe historik, libri i rimerr këto tema për t’ia paraqitur lexuesit nëpërmjet dramave dhe sfidave të personazheve të tij.