Nga: Elona Gjylmi.

Kërkimet për eshtrat e ushtarëve grekë ne jug të Shqipërisë shumë kujt i ka sjellë në mendje historinë e famshme të Ismail Kadarese, te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.

Jo pak i janë rikthyer këtij romani, teksa ironikisht përsëritet skenari i ngatërrimit të etnisë së ushtarëve të varrosur… Një rikthim i tillë te ky libër ka rezultuar me një surprizë për gazetaren e politikës Elona Gjylmi.

Ndërsa kërkonte në bibliotekën personale veprën e shkrimtarit të madh shqiptar, gazetarja ka gjetur versionin anglisht të librit, botuar në Londër në 1971. Në faqen e parë të tij ishte dedikimi origjinal i Kadaresë për “Shokun Enver”, ish-diktatorin shqiptar: “Shokut Enver, me shumë dashuri nga autori, Ismail Kadare“, ka shkuar në faqen e parë të librit në anglisht, shkrimtari Ismail Kadare. Libër i cili i është bërë dhuratë diktatorit nga shkrimtari.

Nuk më kujtohet nëse këtë libër e pata blerë te të përdorurit, apo e pata gjetur tek një qese e zezë plot me libra të tjerë që dikush kishte lënë poshtë pallatit për të hedhur… por teksa gjithë debati eshtrave dhe zhvarrimeve më risolli në mendje Kadarenë, gjeta këtë surprizë në faqe të parë të botimit anglisht të ‘71-shit. “Shoku Enver” të ketë qenë vallë pronari i vjetër i librit, apo…??– shkruan gazetarja në Facebook teksa boton foto të kësaj vepre.

Gazetarja Elona Gjylmi.

Sipas ekspertëve bëhet fjalë për kopjen origjinale të përkthimit në anglisht të “Gjeneralit” dhuruar pikërisht udhëheqësit të madh në nëntor të 1971-shit. Çmimi në atë kohë i këtij botimi ishte 2 paund.

Pyetja që lind vetiu është: Sa vlen vallë tani?

Nga: lupa.al.