vjosa osmani

Deklarata e fortë presidentes së Kosovës: – Putini si Millosheviçi, përmes Serbisë synon ta destabilizojë Ballkanin dhe më pas…

17 Prill 2022

“Presidenti rus Vladimir Putin do të kërkojë të përdorë Serbinë për të destabilizuar Ballkanin dhe bashkë me të, të gjithë Evropën Perëndimore, në një sulm ndaj vlerave demokratike të Bashkimit Evropian”. Kështu ka thënë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë dhënë agjencisë spanjolle të lajmeve EFE, në të cilën bën thirrje që shteti i saj, ish-krahinë serbe, të njihet nga të gjitha vendet evropiane dhe të Amerikës Latine.

EFE shkruan se Kosova u bë e pavarur në vitin 2008, pas një dekade administrimi të OKB-së pas ndërhyrjes së NATO-s kundër Serbisë, e cila nën presidentin autoritar Slloboban Millosheviç, kishte shtypur popullin e Kosovës. Ajo ndërhyrje e Aleancës, pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përdoret tani nga Rusia për të justifikuar pushtimin e saj në Ukrainë, ku synon të “denazifikojë” vendin dhe të ndalojë një “gjenocid” të supozuar të popullatës rusisht-folëse.

Osmani e përshkruan këtë krahasim rus thjesht si “propagandë” dhe kujton se rreth 13,000 njerëz u vranë në Kosovë para ndërhyrjes së NATO-s, me shumicën e popullsisë të zhvendosur nga kërcënimi i spastrimit etnik.

“Nëse ka diçka për të krahasuar në këto dy luftëra, janë veprimet e Millosheviçit me veprimet e Putinit”, thotë Osmani.

Sipas saj në të njëjtën mënyrë që Millosheviçi u bë i njohur si “kasapi i Ballkanit”, Putini tani është kasapi i demokracisë, duke shtuar se ai jo vetëm që kërkon të dominojë Ukrainën, por “të shkatërrojë mënyrën tonë të jetesës demokratike”.

“Pa dyshim, Putini do të përpiqet të përdorë Serbinë për të destabilizuar rajonin tonë, sepse përmes rajonit tonë ai dëshiron të arrijë Evropën”, ka thënë ajo.

Serbia, Bosnja Hercegovina dhe Kosova janë të vetmet vende në rajon që nuk janë pjesë e NATO-s. Në Bosnje dhe Kosovë ka kontigjente nga Bashkimi Evropian dhe Aleanca për të siguruar stabilitet.

Ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Ballkan “do të thotë ruajtje e paqes dhe stabilitetit në të gjithë kontinentin evropian”, ka thënë Osmani, duke kujtuar se Serbia gjatë muajve të fundit ka kryer dhjetëra stërvitje ushtarake me Rusinë.

“Ne mbetemi mjaft të shqetësuar se Serbia ka rritur sasinë e armëve që po blen dhe kjo tregon synimet e saj në rajon”, ka thënë ajo, duke iu referuar mbërritjes së fundit në Beograd të një sistemi modern kundërajror kinez. “Mendoj se anëtarësimi në NATO është vendimtar. Dua t’u bëj një apel katër anëtarëve të NATO-s që ende nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë këtë, sepse ne nuk duhet të vazhdojmë ta shohim këtë vetëm nga pikëpamja e politikës së brendshme”, ka theksuar ajo duke folur për shtetet mosnjohëse si Spanja, Greqia, Sllovakia dhe Rumania./Koha.net

Nga Gazeta Panorama