Deklarata e gazetarit Denis Dyrnjaja: – Rama ka degraduar, ka nisur të delegojë vetveten
2 Shkurt 2023
Analisti Denis Dyrnjaja, duke komentuar seancën e sotme parlamentare, u shpreh në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” se skenat që pamë sot kanë qenë edhe në kohën kur kryetare parlamenti ishte Jozefina Topalli, kryeministër ishte Berisha dhe të majtët protestonin rrethuar nga badigardët. Por, sipas tij, gjendja ka degraduar edhe më tej sepse tani Rama delegon vetveten, siç ishte delegimi i ministres Spiropali për të mbrojtur qeverinë për akuzat e opozitës ndaj aferës “McGonigal”.
“Nëse do të bënim një analizë të asaj që pamë sot në parlament është një gjë shumë e shëmtuar, pa kripë, pa ngjyrë, pa kuptim, pa sens dhe vetëm parlament nuk mund t’i thuash pasi kishim dy krahë që nuk ndërvepronin. Mazhoranca nuk dëgjonte fare se çfarë po kërkonte opozita. Kryeministri duhet të ishte aktori dhe objekti kryesor sepse kishte një kërkesë për interpelancë nga deputeti Gazment Bardhi, por që nuk ndodhi sepse ai ia kishte deleguar Elisa Spiropalit që është marioneta kryesore politike e tij. Ka degraduar aq shumë kjo historia se si Rama e denigron parlamentin sa tani ka nisur të delegojë vetveten te dikush.
Nuk është hera e parë që e shohim parlamentin kështu. Po të kthehemi vite pas, me zonjën Topalli, ka qenë e ngjashme historia kur kryeministër ishte Berisha. Të majtët ishin aty, bodyguardët po aty dhe ky nuk është problem as i PD-së as i PS-së, por se si ne kemi konceptuar demokracinë dhe parlamentarizmin. Nuk ka patur parlamentarizëm në Shqipëri. Në parlamentin britanik ndodh që nëse kryeministri i vendit bën atë që bëri Rama, brenda mazhorancës, e rrëzojnë vetë ata”-u shpreh Dyrnjaja.