Deklarata e Ramës për KFOR-in, kërkesë “e stërvjetëruar e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç”.
29 Shtator 2023
Ministra të qeverisë së Albin Kurtit iu përgjigjën deklaratës së kryeministrit Rama, i cili tha dje se situatën në veri të Kosovës duhet ta marrë nën kontroll KFOR-i.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një postim në Facebook tha se kjo është e panevojshme, por shtoi se patrullime të përbashkëta mund të kryhen në vijën kufitare, pasi “prej andej vjen armatimi, municioni dhe mercenarët që duan luftë”.
Deklaratën e Ramës për KFOR-in, ministrja Haxhiu e quajti kërkesë “të stërvjetëruar të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç”.
“Kosova është Republikë e pavarur dhe sovrane. Mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë ka përfunduar më 10 shtator 2012. Në veri të Kosovës, terroristët dhe kriminelët nga Serbia vranë rreshterin e Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku në pritë në ora 3 pasmesnate të dielën që shkoi.
Gjatë luftimeve të mëpastajme, ata nuk kishin kurrfarë shansi me Policinë e Kosovës. Së paku tre terroristë u vranë, kurse të tjerët ose janë arrestuar (gjashtë sosh) ose janë në ndjekje (sepse janë në ikje). Nuk ka nevojë që KFOR-i ta marrë nën kontroll veriun e Kosovës”, ka thënë ajo.
Të njëjtin qëndrim përsëriti edhe ministri i Brendshëm i Kosovës në një lidhje Skype me mediat në Tiranë.
“Nuk ka nevojë KFOR që të marrë nën kontroll asgjë. Kemi policinë e Kosovës që po mbron me sukses integritetin dhe sovranitetin”.
Lidhur me deklaratën e kryeministrit Kurti për patrullime të përbashkëta të Policisë së Kosovës me KFOR-in, Zveçla sqaroi se bëhet fjalë për vijën kufitare.
“Policia e Kosovës është e aftë të menaxhojë situatën. Ajo që Kurti ka thënë që patrullime të përbashkëta mes KFOR dhe policisë kufitare. Kemi vështirësi në patrullim aty për shkak të marrëveshjes së Kumanovës, e cila përcakton që policia e Kosovës të rrijë 1 km nga kufiri. Nuk bëhet fjalë për menaxhimin e situatës në 4 komunat e veriut. Policia e Kosovës është e mjaftueshme për ta menaxhuar këtë situatë”.
Gazeta Dita