Deklarata surprizë e Berishës, ç’ndodh në kampin blu dy ditë para zgjedhjeve

12 qershor 2021

Një deklaratë e beftë, e papritur, por e qartë dhe e vendosur e Sali Berishës, ka dominuar në orët e vona të së enjtes dhe dje në mëngjes rrjetin social dhe mediat. Berisha ka lënë të kuptohet se ai mund të rikthehet në krye të PD, i pyetur nga Çim Peka në Syri-tv.

Lideri historik i demokratëve u shpreh se do të ushtrojë çdo të drejtë kushtetuese (pra për të zgjedhur e për t’u zgjedhur) dhe se ai nuk i konsideron më pengesat.

Ky qëndrim në vetvete është shumë i qartë. Sakaq, jo pak mbështetës të tij kanë shpërthyer me entuziazëm në Facebook, duke thënë që udhëheqësi, ose burri i shtetit, po kthehet.

Ky aktivizim i fortë i Berishës sjell një realitet të ri në PD, ku njihet fuqia dhe ndikimi i tij. Dhe kjo e gjitha, dy ditë para 13 qershorit, ku demokratët do të shkojnë në kutitë e votimit për zgjedhjen e kryetarit të ri, pasi më 25 prill qeveria e Ramës mori një mandat të tretë. Deri më tani pyetja ka qenë se cilin kandidat mbështet Berisha në këtë garë dhe a ka ai sërish të njëjtën marrëdhënie me Lulzim Bashën.

Mirëpo, qëndrimi i parmbrëmshëm duket se përmbys gjithçka lidhur me faktorin Berisha në PD. Mbetet për t’u parë se si do të jenë reagimet dhe deklaratat, pas surprizës të ish-kryetarit të PD. Duke nisur së pari, nga vetë kandidatët.
Sakaq duhet pranuar se me shpalljen që bëri lideri historik lëvizja tektonike në kampin blu ka ndodhur.

Sali Berisha duket se ka ndryshuar kurs pas shpalljes “non grata” që i bëri Departamenti i Shtetit. Ai vetë ka pranuar se kishte konsideruar tërheqjen nga politika, por pas këtij akti ndaj tij, ka vendosur të qëndrojë me gjithë energjitë dhe kapacitetin. Ai është po ashtu në një betejë ligjore, ku ka paditur në një gjykatë në Paris, Sekretarin e Shtetit Blinken.

Rivalët e Bashës/ Edith Harxhi: Vizioni im për ringritjen e PD-së
E para grua kandidate zyrtare për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike, Edith Harxhi, është afruar pranë kësaj partie në të njëjtën kohë me Lulzim Bashën. Ashtu si Basha dhe ajo konsiderohet si mikeshë e vajzës së ish-kryeministrit Sali Berisha. Pas studimeve universitare ajo u zhvendos në Turqi ku punoi si zv.ambasadore në ambasadën shqiptare në Ankara. Më pas, ajo punoi në Kosovë me Kombet e Bashkuara në çështjet gjinore, ku në partneritet me grupet e grave nga parlamenti dhe shoqëria civile hartoi Ligjin e parë të Barazisë Gjinore të Kosovës.

Ajo ka qenë për një kohë vartëse e Bashës kur ai ishte ministër i Jashtëm, pasi ka mbajtur funksionin e zv.ministres së Punëve të Jashtme në vitet 2005-2013 . Gjithashtu, ajo ka qenë përgjegjëse në marrëdhëniet e diplomacinë ndërkombëtare, si dhe në procesin e integrimit të Shqipërisë. Harxhi thotë se ka një vizion të ri për të ringritur partinë.

“Unë kam hyrë në këtë garë me një vizion të ri, me një projekt të ri, për të ringritur PD-në. Dhe mesazhi im gjatë gjithë kësaj periudhe ka qenë të ringrejmë, të riformatojmë Partinë Demokratike mbi idealet e ’90. Që do të thotë, se vizioni im parashikon fundin e tranzicionit në Shqipëri dhe fundin e tranzicionit dhe në Partinë Demokratike. Pra një projekt që fillon për herë të parë në këto 30 vite, që synon kthimin e Partisë në shinat ideologjike të djathta, një ristrukturim të thellë të PD-së, statutor, politik, me teza politike të forta, për të bërë të mundur rrëzimin e Qeverisë në një kohë sa më të shpejtë”, – thotë ajo.

Harxhi thekson se ka qenë një kritike e fortë brenda PD-së.

“Në vitin 2018, gjatë Kuvendit Kombëtar unë dhashë dorëheqjen nga qenia në Këshillin Kombëtar, por edhe kjo ishte pas një beteje shumë të fortë në Këshillin Kombëtar, kur në fund të vitit 2017 unë paraqita një statut të ri për reformimin e PD-së. Pra angazhimi im është i gjithanshëm, përveç angazhimit diplomatik që unë e mbaj gjithë kohën e mundohem të jem pranë kancelarive kryesore apo t’i informoj kancelaritë kryesore, për zhvillimet më të fundit në vend”.

Agron Shehaj: Një PD e hapur ku vendos anëtarësia
Mund të jetë një ndër njerëzit më të pasur në vend. Agron Shehaj ka nisur biznesin në vitin 2005 duke u kthyer ndër punëdhënësit më të mëdhenj në vend dhe numëron një pasuri rreth 50 milionë euro me kompanitë e tij brenda dhe jashtë vendit. Shehaj u fut në politikën aktive në zgjedhjet e vitit 2017 i ftuar nga Basha për t’u zgjedhur deputet në vendlindjen e tij në Vlorë.

Këto zgjedhje ai ishte drejtues politik në Tiranë ku shënoi një rezultat të lartë në votat personale duke rritur dhe votat e partisë në zonat ku kandidoi. Shehaj është i vetmi kandidat që e njëson veten me shtresën e ish-të përndjekurve politike, kauzë që e ka mbështetur dhe nëpërmjet fondacionit Kujto.al për kujtimin e viktimave të komunizmit. Ai shihet si një njeri i pëlqyer edhe nga elektorati gri jashtë PD-së, ndërsa ka bërë një fushatë të fortë duke takuar nga afër demokratë në çdo degë të vendit.

Shehaj thotë se ai do të forcojë partinë duke e hapur atë për të gjithë dhe duke krijuar meritokraci dhe garë të ndershme brenda saj.

“Unë mendoj se demokratët duan të fitojnë zgjedhjet e ardhshme. Dhe për të fituar ne duhet të kemi besimin e shqiptarëve, duhet të fitojmë besimin e shqiptarëve. Zgjedhjet fitohen vetëm nëpërmjet votës së shqiptarëve. Për të fituar zgjedhjet, Partia Demokratike duhet të jetë më e fortë dhe më e besueshme. Duhet të ketë rreth vetes, njerëzit më të aftë dhe më të zotë që ka Shqipëria, me të cilët të kemi mundësi të ndryshojmë Shqipërinë dhe ta bëjmë atë një vend më të mirë për të gjithë shqiptarët”, – thotë ai.

Ish-emigrant i vitit 1991 Shehaj nëse fiton do të thyejë tabunë që e lidh PD-në me Veriun e vendit. Ai e ka bazuar fushatën e tij në sulmimin e rivalit kryesor, kryetarit aktual të partisë duke i kërkuar të mbajë përgjegjësi për gabimet që ka bërë në drejtimin e opozitës. Sipas Shehajt me Bashën në krye demokratët do të jenë gjithmonë në opozitë.

Fatbardh Kadilli: Partia ka nevojë për transformim rrënjësor
Ish-deputet dhe anëtar i kryesisë, Fatbardh Kadilli, e pa veten jashtë listës së kandidatëve për deputetë në këto zgjedhje. Ai ishte i pari që hodhi kandidaturën për kryetar dhe i kërkoi Bashës të jepte dorëheqjen dhe të mbante përgjegjësitë për humbjen në zgjedhje. Kadilli thotë se partia më e madhe e opozitës ka nevojë për një transformim rrënjësor për të ardhur në pushtet.

Ai shprehet se Partia Demokratike nuk duhet të jetë më ajo që ne trashëgojmë që nga periudha e zotit Berisha, apo qoftë nga periudha e zotit Basha. Ai ka paraqitur një manifest politik ku synon një parti më të madhe se kryetari dhe një parti më të madhe se vetvetja, që, sipas tij, “do të thotë se partia zmadhohet përmes partneritetit”.

“E treta, partia duhet të jetë frymëzuese. Partia frymëzon me modelin e saj, me mënyrën se si sillet, se si organizon punët e saj, sa demokratike është brenda vetes, sa përfaqësuese është e interesave përtej vetes, për t’u shndërruar në një lëvizje popullore. E katërta duhet të jetë e vërtetë, me kauza jo rastësore, si sende të gjetura në rrugë, por me kauza programore, të tilla si ndarja administrative, e cila është një çështje që duhet të trajtohet nga e para. Kushtetuta, ka nevojë për t’u balancuar, për t’u rikonsideruar e tëra sepse është arnuar aq shumë sa nuk gjendet copa origjinale e saj. Reforma në Drejtësi, është një nga pikat më delikate të sistemit të sotëm demokratik.

Ne duhet ta ushqejmë këtë Reformë, institucionet e saj, jo vetëm me teksturën ligjore e formale, por me moral shoqëror, me burime njerëzore dhe me mjetet e domosdoshme që ajo të jetë efikase. Këto janë sfidat programore që e bëjnë atë të vërtetë. Qëndrimi ndaj tyre e shpall të vërtetë ose të pavërtetë një parti. Dhe së fundi, partneriteti, partneriteti brenda saj, me organizimet rrotull saj dhe mbi të gjitha me partnerët strategjikë. Është e patolerueshme që kjo parti të jetë në një raport fërkimi apo moskuptimi me partnerët strategjikë të cilët janë aksionerë të rëndësishëm të demokracisë shqiptare, që janë garant të sigurisë së këtij shteti dhe të lirisë e demokracisë shqiptare”, shprehet Kadilli.

Gazeta Mapo