D E K L A R A T Ë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mungesë transparence

dhe ndryshime të paligjshme të akteve të miratuara më parë

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë në monitorimin e procesit zgjedhor konsideron si thelbësor dhe vendimtar funksionimin dhe sjelljen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) jo vetëm në respekt total të ligjit, por edhe në përmbushje të detyrimit ligjor si një garant i tij.

KQZ-ja i ka të gjitha mundësitë që me përkushtimin dhe profesionalizmin e trupës së anëtarëve si dhe të administratës së vet, të sigurojë një proces të arrirë pavarësisht disavantazheve dhe presioneve që krijohen nga mjedisi apo konfliktualiteti politik.

Në këtë këndvështrim, Koalicioni ka mbështetur dhe nxitur fort KQZ-në që të përmbushë autoritetin e plotë të dhënë nga ligji në përgatitjen dhe administrimin e procesit zgjedhor, duke siguruar mbi të gjitha transparencë të plotë mbi çdo aspekt të përgatitjes së procesit, përfshirë këtu hartimin, diskutimin, miratimin dhe publikimin e akteve nënligjore që ajo miraton apo të aspekteve të tjera përgatitore që ndërrmer, duke mos hezituar në asnjë çast për t’i dhënë informacion të plotë e të shpejtë të gjithë aktorëve të interesuar, në zbatim jo vetëm të detyrimeve të Kodit Zgjedhor, por edhe të Ligjit për të Drejtën e Informimit.

Koalicioni në raportet e publikuara[1] ka vënë në dukje se përpos përmirësimeve të vërejtura, në punën e KQZ-së vazhdojnë të mbeten problematike mospublikimi i menjëhershëm dhe i plotë i akteve të miratuara në faqen zyrtare të KQZ-së në internet, si dhe mosvënia në dispozicion e akteve paraprake që do të shqyrtohen në mbledhje, as nëpërmjet faqes së internetit dhe as dorazi në sallën e mbledhjeve, përveçse përfaqësuesve të përhershëm të forcave politike.

Pikërisht një situatë e tillë mungese transparence dha mundësinë që në opinionin publik të kalojë shpejt dhe pa marrë vëmendjen e duhur, megjithë denoncimin publik të një ditë më parë prej një partie joparlamentare, një akt i paprecedent i KQZ-së, i ndryshimit të përmbajtjes së një vendimi dhe akteve shoqëruese të tij në mënyrë të jashtëligjshme, pasi ai ishte miratuar dhe publikuar në faqen e internetit.

Bëhet fjalë për Vendimin nr. 88, datë 07. 04.2015 “Për miratimin e modeleve të kandidimit, që do të përdoren në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 21 qershor 2015”

Koalicioni është shprehur disa herë publikisht si dhe iu drejtua zyrtarisht edhe Kuvendit të Shqipërisë që në amendimet e Kodit Zgjedhor të bëra dy javë më parë, të adresonte edhe saktësimin e së drejtës së të zgjedhurve aktualë të pushtetit vendor, për të kandiduar si të pavarur për organet qeverisëse të bashkive të reja pa qenë nevoja për të mbledhur firma mbështetëse, në mënyrë që kjo barrë interpretimi mos t’i mbetej KQZ-së.

Në mbledhjen e datës 7 Prill 2015, KQZ-ja morri në shqyrtim projekt-vendimin “Për miratimin e modeleve të kandidimit, që do të përdoren në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 21 qershor 2015” dhe pas shumë diskutimesh vendosi të miratojë të drejtën e këtyre të zgjedhurve për të kandiduar[2] pa qenë e nevojshme mbledhja e firmave të votuesve mbështetës, sikundër parashikohet për kandidatët e pavarur që aktualisht  nuk kanë mandat si të zgjedhur të pushtetit vendor në bashki apo komunë.

Pas publikimit në faqen zyrtare të KQZ-së në internet në datën 8 prill 2015, më datën 14 prill në mënyrë abuzive, totalisht të paligjshme dhe të paprecedentë, në faqen zyrtare të KQZ-së bëhen ndryshime në përmbajtjen e vendimit, si dhe preken 6 nga 15 modelet shoqëruese të këtij vendimi.

Në tekstin e vendimit të miratuar[3] fjalia: “Përjashtohen nga detyrimi i mësipërm kandidatët e propozuar nga zgjedhësit, nëse janë kryetar bashkie ose komune, anëtarë të këshillit të njësisë së qeverisjes vendore përkatëse (sipas ligjit për ndarjen territoriale, do te përfshihen ish komunat dhe bashkitë që tashmë janë njësi administrative përbërëse të bashkisë për të cilën do të kandidohet) ose deputet”, zëvendësohet me fjalinë[4]: “Përjashtohen nga detyrimi i mësipërm kandidatët e propozuar nga zgjedhësit, nëse janë kryetar bashkie, anëtarë të këshillit të bashkisë përkatëse ose deputet”, duke i hequr në këtë mënyrë të zgjedhurve aktualë të drejtën e kandidimit si të pavarur për organet qeverisëse të bashkive të reja pa detyrimin për të mbledhur firma mbështetëse, në kundërshtim me atë çka u siguron Ligji në gërmë dhe në frymë, të drejtë që edhe vetë KQZ-ja e miratoi në mbledhjen e datës 7 prill 2015.

Neni 24 i Kodit Zgjedhor “Vendimmarrja në KQZ”, në pikën 3 të tij përcakton se: “Çdo vendim i KQZ-së zbardhet brenda 24 orëve nga marrja e tij. Jo më pak se dy ekzemplarë origjinalë të vendimit ose, sipas rastit, edhe të udhëzimit të KQZ-së, mbahen në arkivin e KQZ-së. Vendimet publikohen menjëherë në faqen zyrtare të KQZ-së”.

Akti i ndryshimit arbitrar të përmbajtjes së vendimit të publikuar në faqen zyrtare të KQZ-së në internet, pa u rimarrë në shqyrtim dhe pa u miratuar prej saj në seancë plenare, referuar edhe nenit 24/3, nuk mund të konsiderohet si një “gabim teknik”, por është pasqyrim i akteve të ndryshuara edhe në arkivin e KQZ-së, çka rëndon më tej situatën dhe kompromenton jo vetëm anëtarët e KQZ-së, por edhe administratën e saj dhe në veçanti pozitën e dy Krerëve të KQZ-së si dhe të Sekretarit të Përgjithshëm, i cili është përgjegjës për publikimin e akteve të KQZ-së (neni 25, pika 4/b e Kodit Zgjedhor).

Koalicioni duke e konsideruar këtë rast si një precendet mjaft të rrezikëshëm për ecurinë në vazhdimësi të procesit zgjedhor si dhe të praktikës institucionale të KQZ-së, i kërkon urgjentisht secilit prej anëtarëve të trupës së KQZ-së të shprehë publikisht qëndrimin e tij lidhur me këtë çështje.

KQZ duhet të marrë hapat e duhur sa më parë dhe të rikthejë ligjshmërinë në këtë çështje.

KQZ duhet të ndërmarrë masat e duhura për të siguruar transparencë maksimale në punën e saj sikundër kërkohet nga ligji, duke ofruar paraprakisht informacion të plotë mbi çdo akt apo hap përgatitor që do të ndërmarrë për procesin zgjedhor, duke publikuar të gjitha materialet në internet dhe duke bërë funksionale shkarkimin e tyre; duke rregulluar cilësinë e transmetimit “live”, veçanërisht të audios, gjatë seancave të mbledhjeve; duke vënë rregull gjatë zhvillimit të seancave si dhe duke shmangur diskutimet pa mikrofon çka e bëjnë tranmetimin “live” në internet si dhe rregjistrimin elektronik të seancave të pavlefshëm.

Gjithashtu, Koalicioni i kërkon Kuvendit të Shqipërisë,  Shërbimit të Monitorimit të Institucioneve të Pavaruara e veçanërisht Komisionit Parlamentar të Ligjeve të marrin seriozisht në shqyrtim rastin dhe të ushtrojnë presionin e duhur pranë KQZ-së me synim parandalimin e tentativave të tilla në të ardhmen të cilat minojnë hapur konceptin e shtetit ligjor dhe të së drejtës, që qytetarët shqiptarë po rreken prej 25 vitesh të ndërtojnë.

[1] Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë “Raporti i Ndërmjetëm Monitorimi  I”, fq. 15, publikuar datë 30 Mars 2015. Për më shumë tek: http://www.zgjedhje.al/uploads/File/2014-2015/KVV-RaportiNdermjetemMonitorimi-I-ZgjedhjeLokale2015-30Mars2015.pdf .

[2] Shih diskutimet e bëra gjatë kësaj séance tek artikulli i publikuar në gazetën “Panorama” datë 8 Prill 2015 “Kandidimi pa firma, Lleshi bashkon voten me te majten” tek: http://www.panorama.com.al/kandidimi-pa-firma-lleshi-bashkon-voten-me-te-majten, si dhe tek artikulli i publikuar në gazetën “Shqiptarja.com” të datës 8 Prill 2015 “Kryekomunarët “rrugë” të lirë për të tentuar bashkitë, debate në KQZ” tek: http://shqiptarja.com/politike/2732/kryekomunaret-rruge-te-lire-per-te-tentuar-bashkite-debate-ne-kqz-283976.html.

[3] Për më shumë shih kopjen e “fshehur” të versionit original të miratuar të vendimit tek: http://webcache.googleusercontent.com/search?q=cache:Ek2iet8C7O0J:www2.cec.org.al/Portals/0/Documents/CEC%25202013/Legjislacioni_2015/VENDIME_2015/VENDIM_88/VENDIM_88.docx+&cd=2&hl=sq&ct=clnk

[4] Për më shumë shih versionin e ndryshuar të vendimit tek: www2.cec.org.al/Portals/0/Documents/CEC%202013/Legjislacioni_2015/VENDIME_2015/VENDIM_88/Vendim_88.docx .

Tiranë më 16 Prill 2015

——————————————

KOALICIONI I VËZHGUESVE VENDORË
COALITION OF DOMESTIC OBSERVERS
——————————————
Rr. “Ymer Kurti”, Nd. 4, H. 2/3, Nj.B. Nr. 5, Tirana (AL)
Postal address:
P.O.Box 2396 Tirana,
ALBANIA
Tel.         + 355 (0) 4 22 45 078;
Mob.      + 355 (0)67 38 90 174;
E-mail:             info@zgjedhje.al;
Website:           www.zgjedhje.al;