12 Dhjetor 2023

Emisioni “Fol” në MCN TV është ndalur në fshatin Delbnisht të Kurbinit i cili është lënë si në Mesjetë, pasi nuk ka rrugë, ujë, drita dhe shkollë.

Banorët ankohen se në 30 vjet demokraci nuk kanë asnjë përkrahje dhe ndonëse janë bërë shumë tendera për rrugën, nuk është vënë dorë, edhe pse ndodhet vetëm 3 kilometra nga Laçi.70% e Delbnishtit kanë ikur nga kushtet e vështira, janë 200 familje që kanë ikur. Në fshat kanë mbetur 50 familje.

Kërkojmë që zëri ynë të dëgjohet deri në qeveri, pasi pa mbështetje ne mbetemi në shkretëtirë.

Për një kilogramë vaj apo bukë na duhet të shkojmë deri në Laç, se nuk ka as dyqan.

Banorët ankohen se nuk shkojnë dot në varreza pasi nuk kanë rrugë dhe se makinat e morgut i shtyjnë.

Ata që rikthehen në fshat, thonë se shkojnë duke qeshur dhe ikin duke qarë dhe se rruga ekzistuese është e kohës së Zogut. Një tjetër shqetësim që ngrenë banorët është se nuk kanë rrugë për në varreza, por se për të kujtuar të afërmit e ndjerë, kalojnë në rrugë qorre, duke shtuar se “kemi mall të shohim varret e të parëve”.Shkolla dikur kishte 170 nxënës, sot është bosh dhe ata që kanë mbetur shkojnë në Shullaz ose Laç.

Madje fugoni i nxënësve mbetet shumë herë rrugëve dhe nxënësit më shumë e shtyjnë fugonin.

Kur përmbytet rruga bëhet e pakalueshme dhe na duhet ta zhbllokokmë me krahë.

Një tjetër banor thotë se kanë ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike, dhe se një erë e lehtë po të fryjë, iu ikin dritat dhe shtyllat e korrentit janë gati të shemben dhe se elektriçisti shkon në fshat vetëm kur shkrin dëbora.Siç i ka lënë Enver Hoxha, këtu nuk ka drita. Fryu erë apo zuri shiu, nuk ka drita këtu.

Fshati Delbnisht nuk ka as ujësjellës dhe për tu furnizuar me ujë banorët detyrohet që të marrin rrugët, për të mbushur në burime apo në përrua si dikur, apo tek ata që kanë hapur pus.Në kohën e Enverit kishim ujë. Mbushin ujë në përrua për të larë rrobat.

Kemi të dhëna shumë të sigurta po ti hapim dosjet ndër vite për rrugën e Delbnishtit janë dhënë fondet disa herë, po ku kanë ikur lekët.

Personalisht kam një shpresë te kryetarja e bashkisë se mund të na bëj ndonjë gjë e vogël.

Një tjetër banor thotë se Delbnishti ishte qendra e Arqipeshkvisë së Durrësit dhe se shkolla e Kurbinit shqip ka funksionuar në vitin 1632 në fshatin Gallatë, duke deklaruar se kjo është shkolla e parë shqipe.

Sipas tij, kuvendet patriotike mbaheshin në Delbnisht dhe se shkolla u dogj nga Haxhi Qamili, nga ushtria e tij, si hakmarrje ndaj vendimeve të marra në atë ndërtesë për t’iu kundërvënë Turqisë.

Ndër të tjera thotë se në 17 nëntor 1912 u ngrit flamuri në Milot, por se ngjarja u la në harresë totale për ta injoruar.

Banorët thonë se në shkollën e Delbinishtit u rrit Don Nikollë Kaçorri, një nga figurat kyçe të pavarësisë së vendit.

Ndër të tjera banorët thonë se në vitin 2017 qeveria e rekomandoi Delbnishtin si fshat turistik dhe urdhri u bë me firmën e sekretarit të kryeministrisë, Engjëll Agaci.

Po ashtu banorët ngrënë si shqetësim se në vitin 2020 qeveria vendosi tenderimin e rrugës së Delbnishtit, por se sot në bashki sot nuk ka as projekt dhe se nga zyra e urbanistikës në bashki, thonë që nuk ka tender fare.Po na ikin fëmijët se nuk ka rrugë!

Banorët thonë se Delbnishti gjatë monizmit ishte vend pushimi dhe se tashmë të gjithë të ikurit duan të kthehen, por se presin vetëm që të bëhet rruga.

Po ashtu ata akuzojnë pushtetin aktual si më të keq se ai i Enver Hoxhës dhe thonë se edhe pas malit kanë çuar asfalt, përveç Delbnishtit.

Ndërsa qendra shëndetësore është si magazinë, ku ka vetëm një infermier për të bërë gjilpëra, autoambulanca nuk hyn dot në fshat dhe se të sëmurin detyrohen ta çojnë në qytet.

Banorët thonë se në Delbnisht ka shkuar dy herë Nënë Tereza në vitin 1991 dhe 1992, dhe e ka vizituar edhe Edit Durham, ku pretendojnë se shumë njerëz të shquar vinin për shkollën e parë shqipe.Rruga e fshatit lidhet me Kishën e Laçit, do shërbente si unazë për pelegrinët dhe do shmangte kaosin.

Banorët thonë se rikonstruksioni i shkollës shqipe po has në probleme dhe se institucionet janë në dilemë, nëse do të jetë muze apo manastir.Ne e duam muze dhe bibliotekë si ka qenë, pasi manastiri nuk i shërben komunitetit.

Ajo ishte biblioteka më e madhe në Shqipëri, është qendra historike e Kurbinit.

MCN