Dëmi 430 milionë euro në buxhet, KLSH zbulon shkeljet në tendera dhe shpenzimet e administratës
Dëmi 430 milionë euro në buxhet, KLSH zbulon shkeljet në tendera dhe shpenzimet e administratës
5 Dhjetor 2021
Nga janari deri në shtator dëmi në buxhetin e shtetit nga tenderat dhe keqmenaxhimi shkon në 430 milionë euro. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar të dhënat nga auditimi ku theksohet se 30 milionë është dëm që vjen nga parregullsitë në të ardhura e shpenzime.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar shkelje me dëm në buxhetin e shtetit në vlerën e 430 milionë eurove.
Bëhet fjalë për një rezultat që ka dalë nga auditimi i 134 subjekteve prej muajit janar deri në shtator.
Në raport thuhet se nga parregullsitë dhe shkeljet financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, dëmi ekonomik shkon në 29.5 milionë euro.
Ndërsa shuma me ndikim negativ në performancën e subjekteve të audituara arrin në 400.9 milionë euro, nga e cila 46.6 milionë euro në fushën e të ardhurave dhe 354.3 milionë euro në fushën e shpenzimeve jo me eficencë.
Keqmenaxhimi i fondeve të programuara apo mungesa e kontrollit në realizimin e procedurave të prokurimit jo në përputhje me kuadrin ligjor mbetet ende shqetësim.
Madje procedurat e prokurimit në shumë raste rezultojnë të realizuara jo në përputhje me kuadrin ligjor.
Pas shkeljeve të zbuluara, KLSH ka përcjellë në Prokurori 7 kallëzime penale.
Sa i përket dëmit në shpenzimet për paga, sigurime dhe shpërblime janë zbuluar 25,212 milionë lekë shkelje, në shpenzimet operative 32,578 milionë lekë dhe në shpenzimet për investime 337,608 milionë lekë.
Nga OraNews