24 Tetor 2024

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike vijon me vizitën zyrtare në Parlamentin Europian.

Deputetët Gazment Bardhi, Flamur Noka, Jorida Tabaku, Agron Gjekmarkaj dhe Albana Vokshi, kanë takuar sot eurodeputetët e grupit parlamentar të “Konservatorëve dhe Reformatorëve Europian” (ECR).

Lajmi është bërë i ditur nga një postim në Facebook nga kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi. Postimin, Bardhi e ka shoqëruar edhe me pamje nga takimi.

POSTIMI I PLOTË: 

Gjatë vizitës në Parlamentin Europian patëm mundësinë për një seancë dëgjimore me përfaqësues të grupit parlamentar të “Konservatorëve dhe Reformatorëve Europian” (ECR). Ky takim ishte një mundësi e shkëlqyer për t’i informuar mbi të gjitha shqetësimet tona për gjendjen e demokracisë në vend, duke theksuar sfidat madhore që duhen kapërcyer në rrugën e integrimit në BE. 

Shqipëria, si vend kandidat për në BE, e ka jetike të respektojë parimet themelore në qeverisje. Cënimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, përmes keqpërdorimit të burimeve shtetërore nga partia në pushtet, përdorimi i parave të korrupsionit, bashkëpunimi me krimin e organizuar deri në pikën e caktimit prej tij të kandidatëve për deputetë, tentativa për asgjësimin e opozitës përmes burgosjes politike të lidershipit, mosrespekimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, e largojnë edhe më shumë Shqipërinë nga rruga europiane.

Me miqtë europianë bashkëndamë qëndrimin se është emergjente që Shqipëria të përqëndrohet në reformat kritike të nevojshme për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, duke përfshirë sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, forcimin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit, dhe luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.