Dëmshpërblimi 110 mln euro për Becchettin? Basha: Do të paguhet me pasuritë personale të personave që kanë shkaktuar dëmin
Dëmshpërblimi 110 mln euro për Becchettin? Basha: Do të paguhet me pasuritë personale të personave që kanë shkaktuar dëmin
– 05.04.21
Shqipëria humbi përfundimisht gjyqin me sipërmarrësin italian, Francesco Becchetti, lidhur me dëmshpërblimin e kërkuar nga ai për mbylljen e televizionit “Agon Channel” në vitin 2015.
Mbrëmjen e sotme, kryedemokrati Lulzim Basha i pyetur në emisionin “Çim Peka Live” nëse do t’ia paguajë gjobën Becchetti-it, deklaroi “një nga masat që do marrim në kuadër të korrigjimit të padrejtësive është përgjigja me pasuritë personale të atyre që i kanë shkaktuar dëm shqiptarëve me vetëdije”.
Gazetari: Në Shtator kur të merrni detyrën nëse ju do të fitoni zgjedhjet e 25 Prillit në tryezën tuaj do të gjeni ndër të tjera edhe një vendim të ICID-it që e detyron qeverinë shqiptare të paguajë mos gabohem 110 milion euro për biznesmenin Francesko Beketi. A do ta paguani ju këtë gjobë me taksat dhe paratë dhe paratë e taksapaguesve shqiptarë?
Lulzim Basha: Një nga masat që do të marrim në kuadër të korrigjimit të padrejtësive të këtyre 8 viteve do të jetë përgjegjësia personale, pra përgjigja me pasuritë personale të atyre që i kanë shkaktuar dëme të kundërligjshme shtetit shqiptar me vetëdije dhe rasti i Beketi-t është fare i qartë.
Një media ka zbuluar një pjesë të vendimit që më thonë është maja e ajsbergut ku përfaqësuesi i Edi Ramës ulet me Beketin dhe i thotë ndrysho linjën editoriale që të të lëmë të qetë dhe kjo është një vepër penale, natyrisht, nëse prokuroria shqiptare do të kishte duart e lira sot sekretari i përgjithshëm do të ishte i pandehur ndoshta dhe i arrestuar.
Gazetari: Ëngjëll Agaçi?
Lulzim Basha: Ëngjëll Agaçi. Absolutisht po. Sot ndoshta dhe vetë kryeministri do ishte marrë i pandehur, siç janë marrë shumë nga kryeministrat, edhe presidentë të pandehur edhe në kohë fushate. Një nga vlerat e shtuara të 25 Prillit është që do t’i japë fund kulturës të pandëshkueshmërisë.
Gazetari: Pse do të fusni duart te drejtësia zoti Basha që do t’i detyroni ti dënojnë ata?
Lulzim Basha: Kriminelët dhe politikanët e korruptuar, i mbrojnë ata. Politika duhet të bëjë që drejtësia të funksionojë, është të mbajë duart larg nga drejtësia dhe të lejojë që drejtësia të bëjë punën e saj.
Gazetari: Pra do ti paguani paratë e Beketit me paratë e zotit Rama, zotit Agaçi dhe zotit Veliaj me shumë gjasë, nëse i referoheni.
Lulzim Basha: Do të kalojmë në legjislacion për të cilin kemi nisur konsultimet tashmë me juristë të njohur ndërkombëtarë, të institucioneve ndërkombëtare për të bërë atë që njihet në terminologjinë juridike si kalimi i përgjegjësisë financiare për një dëm të shkaktuar interesit publik si përgjegjësi individuale.
Gazeta Shqiptare