Dëmtimi në kishën e Shën Thanasit, Jaho Brahaj: – Afresket me vlera të jashtëzakonshme, ruajtja përgjegjësi e institucioneve
Dëmtimi në kishën e Shën Thanasit, Jaho Brahaj: – Afresket me vlera të jashtëzakonshme, ruajtja përgjegjësi e institucioneve
NGA JULIA VRAPI
20 KORRIK 2021
Kisha e Shën Thanasit në Voskopojë është dëmtuar si pasojë e reshjeve në ditët e fundit. Një pjesë e çatisë së këtij objekti kulti monument kulture ka pësuar shembje. Dëmtimet janë kryesisht në pjesën veriore. Edhe pse problematikat në kishë janë konstatuar më herët, ka qenë e pamundur të sigurohen financime, dhe punimet e kryera më parë për mirëmbajtje duket se nuk qenë të pamjaftueshme për të shmangur shembjen e çatisë që ndodhi së fundmi nga moti i keq. Me rëndësi në këtë objekt kulti janë dhe afresket, që kanë vlera të jashtëzakonshme sipas studiuesve dhe specialistëve të trashëgimisë kulturore. Studiuesi Jaho Brahaj shprehet se për monumentet e kulturës në vend përgjegjësia për ruajtjen e tyre është e institucioneve, që janë Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore dhe Institutit i Monumenteve të Kulturës (sot IKTK). “Për kishën në Voskopojë derisa ka rënë një pjesë e çatisë, që duket dhe në foto që ka rënë, do të jenë prishur dhe pjesë të afreskeve të saj, që janë me vlera të jashtëzakonshme në trashëgiminë tonë kulturore. Institucionet si DRTK dhe IMK kanë përgjegjësi. Përgjegjësi e DRTK është për ti ruajtur ato dhe për ti mbrojtur”, shprehet ai. Në reagimin e tij studiuesi Jaho Brahaj thotë se kisha e Shën Thanasit është objekt monument kulture me shumë vlera. “Unë kam publikuar dhe një foto se si janë afresket. Ajo kishë është një nga më të mirat për vlerat e saj artistike, që ka në Voskopojë”, thotë Brahaj.
Dëmtimi në kishë
Kisha e Shën Thanasit është një nga më të vjetrat në Voskopojë, me një ansambël të pasur pikturash murale. 30 për qind e çatisë të kishës së Shën Thanasit është shembur, ndërsa nëse nuk ndërhyhet para dimrit, dëmi rrezikon të bëhet edhe më i madh. Në një reagim të tij pas dëmtimit, drejtori i monumenteve në Korçë Gjergji Koki u shpreh se kisha e Shën Thanasit ka nevojë për ndërhyrje emergjente. “E gjithë çatia është degraduar dhe janë kalbur elementë e drurit në brendësi të saj, pavarësisht se ne kemi bërë ndërhyrje të herë pas hershme të mirëmbajtjes me vlera të vogla të përfillshme sa i takon anës financiare.
Por ndërhyrje që i kanë rritur jetëgjatësinë është bërë e mundur, që të shtyhet deri më tej kjo situatë. Por për shkak të reshjeve është shembur pjesa veriore e kishës, që është në gjendje SOS”, pohon Koki. Në reagimin e tij drejtori i DRTK Korçë Gjergji Koki tha se lagështira sjell dëme të pariparueshme në afreske nëse nuk ndërhyhet. “Nëse do të kemi reshje në vijim rrezikon që piktura murale të laget e gjitha, dhe të kemi lagështirë e cila me vonë sjell dëme të pariparueshme, sepse lagështira fillon dhe depërton dhe shfaqen probleme në afreske”, tha ai. Para mediave, Gjergji Koki drejtor i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Korçë shtoi se do kryhet një ndërhyrje improvizore për të shmangur depërtimin e ujërave. Kisha e Shën Thanasit është ndërtuar në 1724, por në Voskopojë ka dhe të tjera kisha monument kulture që janë me probleme.
Gazeta Sot