Denoncimi i Berishës: Të ëmës së Gjiknurit i grabitën 6 mln euro, para që vodhi i biri
10 Maji 2023
Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar ditën e sotme një takim elektorale me kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” në bashkinë e Lushnjes vetëm pak ditë para 14 majit.
Berisha deklaroi se kryeministri Rama gjatë fushatës kalon nga sheshi në shesh e zorrën qorre në gojë dhe me shprehje halabaku.
Sipas tij me atë fjalor dhe tallavanë e tij Rama përpiqet të mbulojë vjedhjen e tmerrshme që ka bërë gjatë këtyre viteve.
Ai shtoi më tej se Rama ka kryer 137 fluturime me avion privat me dhomë gjumi luksoze, në një kohë kur kancelari i Austrisë përdor linjën ekonomike.
Sakaq, ai vijoi duke thënë se kreu i qeverisë ka përfaqësues në Lushnje persona si Damian Gjiknuri, për të ëmën e të cilit tha se i janë vjedhur 6 milionë euro nga banesa, para sipas tij të vjedhura nga i biri.
“Ai kalon nga sheshi në shesh e zorrën qorre në gojë. Me shprehje halabaku. Në vend të japë llogari përpiqet të mbrohet me shprehje banale, përpiqet të përdorë një fjalor me të cilin tregon qartësisht se për atë qenie qytetarët nuk ekzistojnë. Me atë fjalor dhe tallavanë e tij përpiqet të mbulojë vjedhjen e tmerrshme që ka bërë gjatë këtyre viteve.
Me këtë regjim shkohet nga e keqja në zi. A nuk u sulm me tërbim ky për të vjedhur pasuritë e shqiptarëve, përdori bordet për të rritur çmimet, rriti energjinë për bizneset. Ky ka qëllim vetëm pasurimin e tij dhe klaneve të tij. Prandaj vjedh në mënyrë të papërmbajtur. Ka vjedhur 122 miliardë lekë në 9 muaj sipas KLSH-së. Të ecësh përpara me Edi Ramën do të thotë të ecësh drejt greminës. Do të thotë të vraposh drejt varfërisë.
137 udhëtime me avion në dispozicion, asnjë të tillë kancelari austriak. Zotëria me avion me dhomë gjumi luksoze, për vakanca. E shndërroi Shqipërinë në delen e zezë të Ballkanit. Çdo socialist e demokrat duhet të dijë se Edi Rama do shkojë në bankën e të akuzuarve me McGonigalin dhe e pret fati i tij. E garantoj se do dënohet për të gjitha firmat e tij fap fap fap e bam bam bam. Ato janë vjedhje të qytetarëve të këtij vendi.
Të ëmës së Gjiknurit iu vodhën 6 milionë euro në shtëpi, nuk iu gjetën 500 mijë si Alda Klosi. Të gjitha para të vjedhura nga i biri”, u shpreh Berisha.
Gazeta Shqiptare