Denoncimi i Nuhut: Ja si u shkarkuan drejtuesit e policisë në Elbasan në 2017
Denoncimi i Nuhut: Ja si u shkarkuan drejtuesit e policisë në Elbasan në 2017
– 22/12/20
Ish-Oficeri i Policisë së Fushë Krujës, Emiljano Nuhu bëri sot një denoncim të fortë, duke implikuar Sekretarin e Përgjithshëm të PS dhe njëherazi kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.
Nuhu tha se dispononte një përgjim telefonik të Ballës me një personazh të botës së krimit në Elbasan në vitin 2017.
Sipas rrëfimit të Nuhut në emisionin “Abc e Mëngjesit” të gazetarit Enkel Demi, “i forti” i kërkon Ballës të ndërpriten hetimet për grupin kriminal në Elbasan, ose në të kundërt ai do të kërkojë t’i kthehen pas 3 milionë eurot e hedhura në fushatë. Atë vit kanë qenë zgjedhjet parlamentare (28 qershor 2017) të zhvilluara në një atmosferë politike mjaft të tensionuar.
Ai shkon edhe më tej duke kërkuar që të merren masa për drejtuesit e Policisë së Elbasanit. Nga një vëzhgim i thjeshtë, rezulton se ngjarja për të cilën denoncon Nuhu, përkon me një sulm ndaj zv/drejtorit të Policisë së Elbasanit, te tregu agro-ushqimor tre vite më parë, çështje e cila trazoi uniformat blu.
Në vend që organet ligjzbatuese të merreshin me hetimin e ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve, pasi provat ishin të forta, të dokumentuara edhe me pamje filmike, ndodhi krejt e kundërta.
Me urdhër të drejtorit të atëhershëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako u shkarkua i gjithë zinxhiri komandues i Policisë së Elbasanit, një muaj pas incidentit që cenoi jo vetëm imazhin e uniformave blu, por njëherazi tregoi edhe dobësinë e Policisë përballë elementëve të rrezikshëm, të cilët kurdoherë kanë pasur dhe kanë mburojë politike.
Më konkretisht u morën këto masa në 19 tetor 2017:
- Lirimin nga kjo detyrë të Drejtorit të Policisë Vendorë Elbasan, Drejtues i Parë Arben Dashidhe vënien në dispozicion të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për emërimin e tij në një detyrë tjetër.
- Shkarkimin nga detyra të Zv/Drejtorit të Policisë Vendore Elbasan, Kryekomisar Gjergji Oshafi.
- Shkarkimin nga detyra të Shefit të Sektorit për Krimet e Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, Kryekomisar Ilir Sula.
- Shkarkimin nga detyra të Shefi I Rendit në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, Kryekomisar Kujtim Muça.
- Shkarkimin nga detyra të Shefit të Komisariatit të Policisë Elbasan,Kryekomisar Zija Sulaj.
- Shkarkimin nga detyra të Shefit të Seksionit për Krimet e Rënda, N/Komisar Ervin Ballaci.
- Shkarkimin nga detyra të Shefit të Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Elbasan, N/komisar Abedin Halilaj.
- Shkarkimin nga detyra të Specialistëve për Krimet, N/Komisar Petrit Mustafa, N/komisar Klajdi Hoxhadhe N/komisar Gerald Agalliu.
- Shkarkimin nga detyra të SPZ-së, Inspektor Gëzim Suli.
- Përjashtim nga Policia e Shtetit për SPZ, Inspektor Ferdinand Balliu.
Ngjarja për të cilën denoncon Nuhu numrin dy të PS, lidhet pikërisht me incidentin e 18 shtatorit 2017, ndërsa një muaj më pas solli shkrirjen e Drejtorisë Rajonale, me vendim të Haki Çakos, por siç dyshohet, urdhri ka qenë politik nga një funksionar i lartë i partisë në pushtet.
Telefonata e Ballës
“Gjatë vëzhgimit dhe përgjimit ka qenë një telefonatë mes Taulant Ballës dhe një personi shumë të fuqishëm në Elbasan ku ky person i kërkonte të merrte masa për drejtuesit e policisë që kishte sjellë ose do të kërkonte paratë që kishte investuar për zgjedhje, diku te 3 mln euro. Një javë pas kësaj telefonate të gjithë drejtuesit e policisë u pushuan direkt nga puna. Drejtoria e ndërpreu operacionin dhe informacionin e mbledhur nuk e referoi në prokurori”, – thotë Emiljano Nuhu.
Incidenti i 18 shtatorit 2017
Mbrëmjen e 18 shtatorit 2017 në Elbasan, u godit makina e nëndrejtorit të Policisë së këtij Qarku, Gjergji Oshafi. Ngjarja ndodhi në hyrje të tregut agro-ushqimor, ku ishte vendosur një postbllok policie. Një mjet i blinduar, ky dyshohet se ndodhej një “i fortë”i Elbasanit, hyri me forcë brenda, duke mos iu bindur urdhrit të Policisë. Makina tip “Audi” goditi edhe automjetin e Policisë së Elbasanit, ku ndodhej zv/drejtori, Gjergji Oshafi. Për më tepër, patrulla e policisë që ndodhi në vendin e ngjarjes nuk ndërhyri, duke lejuar automjetin e dyshimtë që të fshihej brenda tregut agro-ushqimor.
Gazeta Mapo