Departamenti Amerikan i Shtetit nxjerr faktet: – Ja si digjitalizimi i të gjitha shërbimeve publike ka shtuar korrupsionin në Shqipëri
8 GUSHT 2022
Në datën 1 maj 95% e shërbimeve për qytetarët shqiptarë kaluan online përmes portalit e-Albania.
Kryeministri Edi Rama e deklaroi këtë përmes një postimi në faqen e tij zyrtare, si një hap që do
shmangte ryshfetin:“ S’ka më sportele! S’ka më radhë! S’ka më orare! S’ka më as edhe një arsye në
botë për të dhënë ryshfet për marrjen e një dokumenti shtetëror!”, tha ai. Por Departamenti Amerikan
i Shtetit vulosi dështimin e shtetit digjital që qeveria ka investuar aq shumë. Miliona eurot që janë
shpenzuar vitet e fundit nga taksat e qytetarëve për të mbajtur “në këmbë” shtetin i cili ka kaluar i gjithi online kanë nxjerrë zbuluar abuzimet që janë bërë nga të gjithë personat e përfshirë në këtë proces. Në raportin e DASH
për Klimën e Investimeve 2022 në Shqipëri, vërtetohet me fakte nga amerikanët se dixhitalizimi i të
gjitha shërbimeve publike ka shtuar korrupsionin në Shqipëri. Sipas raportit, kjo reformë filloi nga
kryeministri për të zhdukur korrupsionet nëpër zyra, por në fakt ka ndodhur e kundërta dhe amerikanët
nxjerrin shifrat. DASH thekson se Shqipëria vazhdon të ketë rezultate të dobëta në Indeksin e
Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International. Në vitin 2021, Shqipëria ra në vendin e
110-të nga 180 vende, një rënie prej gjashtë vendesh nga viti 2020. “Në përpjekje për të kufizuar
mundësitë për korrupsion, Qeveria Shqiptare filloi një reformë gjithëpërfshirëse për digjitalizimin e të
gjitha shërbimeve publike. Që nga marsi 2021, 1200 shërbime ose 95 për qind e të gjitha shërbimeve
publike për qytetarët dhe bizneset ishin të disponueshme në internet nëpërmjet Portalit E-Albania.
Megjithatë, Shqipëria vazhdon të ketë rezultate të dobëta në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të
Transparency International. Në vitin 2021, Shqipëria ra në vendin e 110-të nga 180 vende, një rënie prej
gjashtë vendesh nga viti 2020. Shqipëria vazhdon të renditet e ulëta në Indeksin Global të Inovacionit,
duke u renditur në 84 nga 132 vende”, thuhet në raportin e DASH.
Dështimet e njëpasnjëshme të e-Albania
Përveç korrupsionit që evidentoi Departamenti Amerikan i Shtetit. Sulmi i fundit nga hakerat që
pretendoi qeveria, “rrëzoi” shtetin digjital të kryeministrit Rama.
E-albania dhe disa faqe të tjera zyrtare dhe qeveritare pezulluan përkohësisht shërbimet si pasojë e një
sulmi kibernetik. Por a ishte me të vërtetë një sulm kirbenetik, apo një dështim i sistemit online?
Ende nuk është zbardhur gjithçka plotësisht. Që nga momenti kur qeveria deklaroi se nga 1 maji i këtij
viti shërbimet do të kalonin të gjitha online, nisën dhe problemet pasi sistemi u mbingarkua dhe shpesh
herë qytetarët ankoheshin për bllokim të faqeve, apo dhe rënie të sistemit. Por nuk mjafton vetëm kjo pasi,
edhe pse qeveria është shprehur se çdo gjë mund ta marrin online dhe falas, nuk i është dhënë fund pagesës
për marrjen e këtyre dokumenteve. Që në fillim të muajit maj u raportua se sidomos kategoria e të
moshuarve nuk dinte ku të drejtohej, qoftë edhe për të hapur një adresë e-maili në e-Albania.
Sot, ky shërbim ofrohet në mënyrë informale me pagesë nga kancelaritë, libraritë etj, duke ngritur alarmin
edhe për shpërdorimin e të dhënave personale. Jo zyrtarisht ka reaguar edhe institucioni i Komisionerit
për të Drejtën e Informimit dhe të Dhënave Personale. Që nga nisja e këtij procesi, ku të gjitha institucionet
kaluan online dhe marrja e dokumenteve për shqiptarët duket se është komplikuar më shumë, ndërsa ata
po detyrohen të paguajnë.
Në kryeqytet numërohen disa pika të cilat ofrojnë hapjen e adresave në e-Albania për qytetarët të cilët
nuk kanë akses, kundrejt pagesave të cilat nisin si më poshtë:
1) Hapja e një adrese të re në e-Albania me një e-mail të ri 500 deri në 900 lekë
2) Riaktivizimi i adresës, 500 lekë.
3) Shkarkimi dhe printimi i dokumenteve online, 100 lekë për çdo dokument.
Një qytetare nga Tirana nuk ka mundur të hap një adresë në e-Albania që të mund të marrë dokumentet
e pensionit. Ajo i është drejtuar një kancelarie dhe ka paguar kundrejt shërbimit ka 200 lekë të reja.
“Nuk kam asnjë afër që të më ndihmojë, fëmijët i kam jashtë. Më thanë që këtu i nxjerrin këto vajzat
dokumentet dhe shkova pagova, sepse më duheshin për pensionin”, tha ajo.
Shpërndarja e të dhënave personale
Ndërkohë, një tjetër pikë të rëndësishme që gazeta e ka përmendur pak kohë më parë është edhe
problematika që del nga shpërndarja e të dhënave personale të qytetarëve, që kundrejt pagesës përfitojnë
aksesin në e-Albania në pika të pakontrolluara. Bizneset në të cilat këto shërbime ofrohen janë të
paautorizuara dhe nuk ka asnjë informacion se çfarë bëhet me të dhënat e qytetarëve pasi hapen këto
llogari. Ndërkohë, sa i përket bizneseve që ofrojnë shërbime për marrjen e një dokumenti në e-Albania
në zonën e rrugës së Elbasanit rezultojnë disa biznese të cilët edhe pse nuk kanë lidhje me shërbime
të ngjashme vetëofrohen për të hapur adresa në e-Albania për qytetarët kundrejt pagesave. Ajo që bie
në sy rëndom është fakti se në asnjë rast qytetarët nuk marrin një faturë për shërbimin që paguajnë.
Ndërkohë, edhe nëpër rrjete sociale vihet re një numër në rritje i profileve të cilat ofrojnë këto shërbime
kundrejt pagesës, shumë prej tyre të hapura si llogari personale e të tjera si faqe.
Edhe shifrat zyrtare nga INSTAT dëshmojnë se vetëm një përqindje e ulët e personave mbi 18 vjeç
arrijnë të kryejnë veprime për plotësimin apo shkarkimin e formularve në shërbimet online të qeverisjes.
Sipas këtyre të dhënave, në vitin 2020 vetëm 15,1% e qytetarëve mund të dërgonin formularë të plotësuar
nëpërmjet internetit, ndërsa në vitin 2021 kjo shifër ndryshonte shumë pak 15,7%.
Gazeta Sot