“Deputetë, kryebashkiakë e lidhje të afërta të qeveritarëve të kapur si trafikantë droge”. – Salianji: Miliarda euro nga aktiviteti kriminal përfshihen në politikë
26 Nentor 2022
Deputeti i PD, Ervin Salianji ka reaguar për laboratorin e drogës të zbuluar në vilën e zyrtarit të PS, Viktor Çervanaku në Fier.
Çervanaku, tri herë kryetar i Komunës Frakull nga PS, sot drejtues i lartë në Operatorin e Sistemit të Transmetimit, në varësi të Ministrisë së Energjisë, trafikonte kokainë nga Kolumbia nën kamuflimin e plehrave kimike.
Në një postim në rrjetet sociale, Salianji thotë se miliarda euro të gjeneruara nga aktiviteti kriminal “përfshihen në politikë për të prodhuar plehun politik që dhunon, zhvat dhe varfëron qytetarët”.
“Deputetë, kryebashkiakë dhe lidhje të afërta të qeveritarëve janë kapur tanimë si trafikantë droge, trafikantë të qënieve njerezore, hajdutë, përdhunues”, shkruan ai.
POSTIMI I PLOTE
Thasët me “pleh” që prodhojnë dhe imponojnë plehun politik prej vitesh.
Një operacion i vetëm i koordinuar nga partnerët kap një sasi droge me vlerë 40 milion Euro, kjo vetëm në një fshat!
Prej vitesh Departamenti Amerikan i Shtetit në raport tregon që Shqiperia është kthyer në qëndër operacionale për trafikun e kokainës përveçse vendburim i kanabisit!
Miliarda euro të gjeneruara nga aktiviteti kriminal përfshihen në politikë për të prodhuar plehun politik që dhunon, zhvat dhe varfëron qytetarët. Deputetë, kryebashkiakë dhe lidhje të afërta të qeveritarëve janë kapur tanimë si trafikantë droge, trafikantë të qënieve njerezore, hajdutë, përdhunues.
Është sistemi i ndertuar nga Rama, duhet shëmbur
Gazeta Panorama