31 Janar 2025

Ndërkohë që një sërë ndryshimesh ligjore u miratuan në seancën maratonë të mbajtur ditën e djeshme në Kuvend, dy çështje të rendit të ditës nuk morën votat e nevojshme për t’u miratuar.

Bëhet fjalë për dërgimin e mandatit të deputetit socialist Vullnet Sinaj në Gjykatës Kushtetuese dhe ngritjen e një komisioni hetimor për projektin zhvillimor të Portit të Durrësit.

Projektvendimi “Për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë në procedurat e (i) miratimit të projektit “Marina & Jahtet e Durrësit”; (ii) shitjes së koncesionit të menaxhimit të portit kompanisë Schapha d. o. o. ; dhe (iii) ndërtimit të portit të ri në Porto Romano”, mori një votë pro, 1 abstenim dhe 73 vota kundër.

Ndërkohë projektvendimi për “Për dërgimin e mocionit në gjykatën kushtetuese”, për mandatin e deputetit të Partisë Socialiste Vullnet Sinaj, nuk u miratua pasi u votua kundër nga 61 deputetë, 12 të tjerë abstenuan dhe nuk mori asnjë votë pro.