Deputeti Dashnor Sula plas deklaratën e fortë: – Mbrëmë u ndalua arrestimi i tre oligarkëve në Tiranë, është bërë presion ndaj Prokurorisë
15 Shtator 2022
Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula nga foltorja e Kuvendit deklaroi se është ndaluar arrestimi i tre oligarkëve në Tiranë.
Duke folur për aksionin e qeverisë për ndërtimet pa leje, Sula tha se tre urdhra arresti janë tërhequr mbrëmë, pasi i është bërë presion Prokurorisë së Tiranës. Sipas deputetit urdhrat e arrestit ishin për biznesmenët që ndërtojnë pa leje në kryeqytet, por që nuk është lejuar prekja e tyre.
“Mos fusni fshatarët në burg. Por ju them edhe lajmin e fundit, mbrëmë kanë dalë tre urdhra-arresti për tre oligarkë dhe janë tërhequr të tre. Nuk po i them emrat. I është bërë presion prokurorisë dhe nuk janë arrestuar”, tha ai.
Deputeti kritikoi ashpër aksionin e fundit për ndërtimet pa leje, duke thënë se qeveria nuk shikon katet shtesë në mes të Tiranës.
Demokrati solli në vëmendje se një 83-vjeçaare u arrestua për ndërtim pa leje dhe se ata që ndërtojnë në kryeqytet janë miqtë e qeverisë dhe nuk preken.
“E morën vesh për atë plakën në Vlorë, 83 vjeçe arrestim në flagrancë për ndërtoi pa leje. Ndërsa këtu ata që bëjnë ndërtime pa leje, pse nuk u prek njeri. Ajo VKM që bëtë në kundërshtim me ligjin. Ndodhi që iniciator për këtë ishte ministria e Brendshme dhe dha dorëheqjen sekretarja sepse ka shkelur ligjin”, tha ai.
Gazeta Sot