Deputetja e PD-së: U shpenzuan 28 mln euro për inceneratorin e Fierit i cili nuk punon
Deputetja e PD-së: U shpenzuan 28 mln euro për inceneratorin e Fierit i cili nuk punon
9 Shkurt 2022
Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi akuzon qeverinë se ka shpenzuar 28 mln euro për inceneratorin e Fierit, e cila sipas saj nuk përpunon asnjë mbetje.
Një ditë pasi ishte në inspektim në inceneratorin e Fierit në kuadër të punës së Komisionit Hetimor Parlamentar, Çupi thotë se çdo ditë e më shumë, po vërtetohen akuzat e PD-së për inceneratorin.
Deputetja demokrate ka postuar në Facebook një video ku kryeministri Rama në vitin 2020 shprehej se inceneratori i Fierit përfundon punimet në dhjetor të atij viti.
Postimi i Dhurata Çupit:
Inceneratori i Fierit sot duhet të ishte skenë krimi, pagesat duhet të kishin ndaluar dhe ata që kanë abuzuar me paratë e shqiptarëve të ishin para drejtësisë duke nisur me Edi Ramën.
28 mln euro janë shpenzuar për inceneratorin e Fierit dhe në të nuk përpunohet asnjë mbetje, ndërkohë që duhet të kishte përfunduar 3 vite me parë!
Çdo ditë shqiptarët po shohin se si akuzat e PD për vjedhjen me inceneratorët po vërtetohen. Shqipëria është sot vendi më i korruptuar i Europës.
Rama është i korruptuar. Qeveria e tij është e korruptuar. Me këta në krye, Shqipëria nuk mund të ketë zhvillim. Shqiptarët duhet ta braktisin të shkuarën dhe të korruptuarit!
Gazeta Panorama