“Der Standard” akuzon qeverinë shqiptare se është përfshirë në abuzime masive me fondet që jep BE. – Gazeta austriake përmendet edhe korrupsonin e ish-ministres Krifca me paratë e programit IPARD
1 Nentor 2023
Gazeta e njohur austriake, “Der Standard” duket se i ka dhënë një goditje të fortë kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së drejtuar prej tij teksa e akuzon se është përfshirë në abuzime masive me fondet që jep Brukseli për vendin tonë. Përmes një shkrimit të publikuar, gazeta “Der Standard” i bën jehonë abuzimeve me fondet e Bashkimit Europian në rajonin e Ballkanit, ndërsa përmend edhe rastin e Shqipërisë, ku fondet e BE-së të destinuara për sektorin bujqësor u abuzuan masivisht. Madje media në fjalë përmendet edhe batërdinë e ish-ministres Frida Krifca me paratë e programit IPARD II, duke i dhënë kështu një “shuplakë” qeverisë. “Në korrik të këtij viti, agjencia e BE kundër mashtrimit, OLAF, kërkoi që BE të pezullonte grantet nga programi IPARD II për sektorin bujqësor në Shqipëri.
Sipas platformës Oligarkia.al, 82 përfitues kanë marrë fonde bazuar në informacione të rreme. Disa thuhet se u kanë dhënë ryshfet ndërmjetësve ose direkt zyrtarëve të Agjencisë Shqiptare për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, e njohur si AZHBR, e cila është përgjegjëse për shpërndarjen e fondeve të IPARD. Prokuroria publike është duke hetuar. Në shtator, kryeministri Edi Rama vendosi të zëvendësojë ministren e mëparshme të Bujqësisë, Frida Krifca. Ajo e drejtoi AZHBR-në nga viti 2017 deri në vitin 2021,” shkruan gazeta njohur austriake, “Der Standard”.
Abuzoi me fondet e BE, OLAF kërkon kokën e “Frida Krifcës
Megjithatë pozitat e ish- Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca duket se po lëkunden. Kjo pasi OLAF, zyra europiane kundër mashtrimit, pritet të vijojë hetimet për korrupsionin në shpërndarjen e fondeve në ndihmë të bujqësisë nëpërmjet programit IPARD II të destinuara për bujqësinë shqiptare. Zyra e OLAF thekosi pak ditë më parë për “Monitor” se prej muajit gusht 2023 ka dorëzuar tek autoritetet shqiptare raportin përfundimtar për fondet e IPARD II dhe është në pritje të dhënies së përgjigjes nga autoriteti kompetent. OLAF nuk ka pranuar të japë detaje nga konkluzionet e raportit përfundimtar, ndërkohë që ndjekja është në vazhdim, pasi bërja e tyre publike qoftë edhe pjesërisht, mund të rrezikojë në procedurat vijuese.
Pra duket qartë se kjo është një thirrje për autoritetet e drejtësisë, ku OLAF kërkon “kokën” e ish-ministres Krifca dhe zinxhirit komandues. “Gjykata e Përgjithshme ka njohur ekzistencën e një prezumimi të përgjithshëm të mosaksesueshmërisë sipas të cilit zbulimi për publikun sipas Rregullores 1049/2001 të dokumenteve që lidhen me OLAF mund të minojnë rrënjësisht objektivat e aktiviteteve hetimore si tani ashtu edhe në të ardhmen. Kjo pasi personat e dyshuar për parregullsi mund veprojnë në mënyrë të tillë që të pengojnë zhvillimin e duhur të aktiviteteve vijuese. Prandaj, prezumimi i përgjithshëm vlen edhe për një procedurë që është mbyllur. Për këtë rast vijojnë hetimet. OLAF mbylli hetimin në gusht 2023 dhe ia komunikoi konkluzionet e tij autoritetit kompetent me rekomandime për fillimin e procedurave të duhura. OLAF ka marrë informacion të njëkohshëm nga autoriteti kompetent që nuk e ka përfunduar ende ndjekjen. OLAF konsideron se periudha, e cila ka kaluar ndërmjet datës së transmetimit të raportit tek autoriteti kompetent dhe data e kësaj përgjigje duhet të konsiderohet si e arsyeshme duke pasur parasysh mbylljen e fundit të rastit”, thuhet në sqarimin e zyrës së OLAF për “Monitor”.
Gazeta Sot