Derë me motive kulti kushtuar Diellit e viteve 1800-te – në Malësitë e Rrethit Pukes.
Nga: Orsela Droja
Nga puna e organizuar para disa viteve nga Instituti Shqiptar i Shkencave, i financuar nga Ministria e Kulturës Tiranë, per dokumentimin dhe inventarizimin shkencor te pasurisë trashëgmi kulturore krahas shumë objekteve me vlera trashëgimi, u evidentua, se pranë kishes se Arst-Miliskaut në Rrethin e Pukë, ruhet një derë druri e gdhendur në fillim të viteve 1800. Dera u gjetë e permbysur në balte e rrezikuar nga kalbja te shkaterrohej plotësishte. Dera ka qenë pjese e arkitekturës së kishës që në fillimet e viteve 1800, dhe është rivendosur edhe pas riparimeve që i janë berë ngrehinës disa herë gjatë shekujve te fundit. Kisha është ringritur në vitin 1926 dhe falë kujdesit të banoreve, dera është ruajtur brenda kishës deri ne vitin 1967, ku kishat u mbyllën. Pas ketij viti ngrehina e kishës për arsyen e terrenit dhe truallit te rreshqitshëm pësoj dëmtime duke u shembur. Në fundin e viteve ‘90 kisha u ringrit, por për derën e fillimshekullit XIX nuk u tregua kujdes, dhe ajo nga pjestarët e grupit te specialisteve u gjet pa perkujdesje.
Ajo paraqet mjaft interes per traditën e dekoracionit dhe arkitekturën e faltoreve të lashta dhe kishave në Shqiperine e Veriut. Në vendin tonë ruhen vetem dy dyer të objekteve fetare të Shqipërisë së Veriut për këtë periudhë, njëra është blerë nga albanologu Franc Nopça dhe sot ruhet në një muze të Vjenes dhe kjo për të cilën po flasim. Ne pjesen e siperme, dera ka nje diell me rreze, motiv i cili haset shpesh në gdhendje në gur, qendisje, në ornamentet e veshjeve popullore të Shqipërisë së Veriut dhe në objektet me endje të punuara me vekë (vegje), sipas traditës popullore.
Mbizotërojnë motivet gjeometrike të cilat i kemi në gdhendjen e drurit tek furkat e tjerrjes së leshit, djepave dhe orendive te tjera shtëpiake, motive të ngjashme dhe vazhduese të Kulturës materiale te Komanit.
Dera nga ana e pasme në dërrasat e drurit vertikale jane thelluar dy kanale horizontalisht sa gjysma e trashësisë së tyre dhe mbushur me shirit druri të thattë, kjo për ta mbrojtur nga perkuljet dhe kurbimi që mundet ta rrezikontenga agjentet atmosferik. Kjo teknikë eshtë e njohur edhe në përgatitjen e ikonave dhe të disa mobiljeve dhe është tregues që mjeshtrit ishin njohës të teknikave, por edhe të punimit të orendive e mobiljeve prej druri. Dera ishte e vendosur në një portik guri ku ruhet një galeri gdhendjesh në gur, ku nder to shquhen dhe dy ikona që janë të ruajtura që nga shekujt XII-XIII. Ansambli i gdhendjeve të gurit dhe i derës me motivin e diellit dhe ornamented gjeometrike dekoruese është në harmoni dhe në propocionalitet si një vepër unike artit tradicional popullor. Evidentimi dhe dokumentimi i kësaj dere dhe të shume objekteve me vjetërsi shumëshekullore, ngre dhe çeshtjen dhe problematikën, që hulumtime të tilla, si ky i Institutit Shqiptar të Shkencave, të organizohen edhe në të ardhmen. Mendojme e shpresojmë që kjo vepër arti e arkitekturës tradicionale me vlera, nga institucionet e specializuara të restaurohet dhe të ruhet, si një relike e çmuar dhe e pazëvendësueshme e trashëgimisë tonë materiale.
Figurat dhe objektet e paraqitura te gdhendura gjithashtu ne gure na rezulton si nje “ikonostas” me shume interes, ne te cilin paraqiten objekte perfaqesuese pagane dhe te krishterimit katolik.