Deri në fund të shekullit, gjysma e plazheve të botës mund të zhduken
Deri në fund të shekullit, gjysma e plazheve të botës mund të zhduken
3 Mars 2020
Ndryshimi i klimës paraqet një kërcënim ekzistencial për plazhet me rërë të botës, gjysma e të cilëve, sipas një studimi të ri, mund të zhduken deri në fund të shekullit. Madje që në 2050-n, sipas hartuesve të tij, disa vija bregdetare mund të mos jenë më ato që njohim sot, duke qenë se përballen me një erozion të fuqishëm.
Niveli i plazheve të humbura do të ndryshojë sipas vendndodhjes, megjithatë studimi tregon se shumë zona me popullsi të dendur, përfshirë ato përgjatë Bregut Lindor të SHBA-së, Azisë së Jugut dhe Europës Qendrore, deri në vitin 2100 mund ta shohin ujin të gllabërojë deri në 100 metra tokë.
“Nëse kalohet niveli i 100 metrave, ka shumë të ngjarë që plazhi të zhduket, sepse plot plazhe nëpër botë janë edhe më të vogla se kaq”, tha Michalis Vousdoukas, oqeanograf dhe zyrtar shkencor pranë Komisionit Europian, i cili është dhe autor kryesor i studimit.
“Në një farë mënyre, ne e konsiderojmë këtë si një vlerësim konservator,“ shprehet ai. Studimi u botua në revistën shkencore “Journal Nature Climate Change” dhe u realizua nga shkencëtarë të Qendrës së Përbashkët kërkimore të BE-së, si dhe universitete në Spanjë, Portugali dhe Holandë.
Duke përdorur projeksionet e përditësuara të rritjes së nivelit të detit, studiuesit analizuan se çfarë do të ndodhë me plazhet në një botë ku deti është më i lartë dhe stuhitë, më të dhunshme e shkatërruese. Ata morën në konsideratë dhe procese natyrore si erozioni I dallgëve apo gjeologjia e vetë plazhit, si dhe faktorët njerëzorë përfshirë ndërtimet në zonat bregdetare apo digat.
©Copyright Gazeta SHQIP