Deri tani 1 milion EURO për një shërbim që duhet ta kishin marrë falas nga shteti.
“Kriminale”, eksperti i Shëndetit nxjerr prapaskenat se çfarë po ndodh me COVID-19 në Shqipëri dhe hedh akuzat e forta: – Çeqet një milion….
Eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho ka reaguar sërish për situatën e pandemisë së koronavirusit në vend.
Sipas tij po abuzohet me qytetarët, teksa shërbimin për testimin duhet ta ofronte shteti, qytetarëve iu kërkohet ta bëjnë në privat duke paguar shifra të larta. Jo vetëm kaq , por edhe medikamentet ata që po trajtohen në shtëpi i paguajnë vet. Tashmë edhe nxënësit duhet të pajisen me maska dhe detergjent me vete, kosto këto për çdo familje.
Dasho e quan këtë kriminale, pasi qytetari po e paguan faturën e pandemisë vet, ndërkohë që ligji i sëmundjeve infektive garanton trajtim falas në rast epidemie.
Postimi i plotë:
ÇEQET NJË MILION…
Kanë kaluar 4 javë nga hyrja në lojë e sektorit privat për të kryer testimet për COVID-19. Me rreth 300 testime në ditë që kryen pranë laboratorëve të këtij sektori, përllogaritet se shqiptarët kanë paguar deri tani 1 milion EURO për një shërbim që duhet ta kishin marrë falas nga shteti.
Sot fillon shkolla. Në formularin tashmë të famshëm (apo famëkeq) të vetëdeklarimit të fëmijës dhe prindit ofrohet garancia se fëmija do të pajiset me maskë dhe detergjent para se të shkojë në shkollë. Për qindra mijëra fëmijë që ndjekin shkollën, edhe sikur të bëhet fjalë vetëm për një maskë shumë përdorimëshe dhe një shishe me detergjent në muaj, krijohet një tjetër çek 1 milionësh.
Prej muajsh pacientët që trajtohen në kushtet e shtëpisë i blejnë vetë medikamentet e nevojshme. Me një kosto disa mijë lekë për trajtim, medikamentet (shumica e të cilëve përshkruhen në mënyrë të gabuar sepse protokollet e testimit dhe monitorimit në familje janë difektozë), bëhet një çek tjetër milionësh.
NË MËNYRË KRIMINALE, QYTETARI SHQIPTAR PAGUAN FATURËN E PANDEMISË NDËRKOHË QË LIGJI I SËMUNDJEVE INFEKTIVE GARANTON TRAJTIM FALAS NË RAST EPIDEMIE.
EDHE SA DO TË VAZHDOJË KJO SITUATË?!