Dëshmi për ruajtjen e një kopje të MESHARIT të Gjon Buzukut në fshatin Flet-Pukë deri në fillimshekullin XX.
Dëshmi për ruajtjen e një kopje të MESHARIT të Gjon Buzukut në fshatin Flet-Pukë deri në fillimshekullin XX.
Gazeta “Bota Sot”, Prishtine
NGA: JAHO BRAHAJ
Nga studiuesit, vazhdimisht është shtruar pyetja; vallë a do kemi të ruajtur ndonjë kopje tjetër të “Mesharit”. Kjo edhe për arsyen, se kopja, që njohim (jo e plotë), është zbuluar në vitin 1740, nga gjakovari Nikoll Kazazi, pas një harrese është rizbuluar e sot ruhet si kopje unike në Bibliotekën e Vatikanit.
Nuk kemi ndonjë të dhënë për tirazhin e këtij monumenti të kulturës shqiptare, por është hedhur mendimi, duke u bazuar dhe në praktikën e kohës, që Meshari të mos i ketë kaluar të 100 kopjet, në mos ndoshta ka patur një tirazh afro 50 kopjesh, kjo duke bërë dhe përllogaritje të kostos, e cila dimë, që në mesin e shekullit XVI, teknologjia e shtypit dhe e letrës ka qenë shumë e shtrenjtë.
Si libër tepër i kushtueshëm (në çmim), kopjet duhet t’i kenë siguruar në radhë të parë institucionet e rëndësishme fetare të kohës. A ka patur kopje tjetër, që është ruajtur? Studiuesi Vili Kamsi ka hedhur dhe mbron idenë se: “Mundësitë janë që të ruhet edhe ndonjë ekzemplarë i Mesharit në trojet shqiptare”, ose ndër ngulmimet e të mërguarëve (1).
Kopje të Mesharit shqip duhet të kenë (siguruar) përdorur dhe kapedanët shqiptarë të shpërndarë në pika të ndryshme strategjike në shërbim të shteteve perëndimorë, ku këta ishin bashkë me familjet e tyre. Nga një e dhënë arkivore, njihemi se ata (kapedanët) nuk e njihnin gjuhën italiane (2), dhe për to, në komunitet, siç jetonin ishte e domosdoshme që ceremonitë fetare të bëheshin në gjuhën amtare, kur në këto bashkësi ishin dhe gratë e fëmijët e tyre, që flisnin vetëm shqip.
Edhe popullsia shqiptare, që mërgoi në Itali dhe u vendos në fshatra, vazhdoi të përdorte, ashtu si në jetën e përditshme edhe në shërbesat fetare, gjuhën shqipe. Për këtë na njoftojnë edhe studiues që nga fundi i shekullit XVI e fillimin e shekullit XVII. Njëri prej tyre, në vitin 1601, na njofton për arbëreshët e Kalabrisë se: “…i bëjnë shërbesat fetare sipas zakonit të gjuhës së tyre, e cila është e ndryshme shumë nga zakoni latin e grek. (3)”
Domosdo që libri i parë i gjuhës shqipe i Buzukut duhet të ketë qarkulluar edhe në këto vendbanime, kur dimë se edhe lidhja në mes të këtyre komuniteteve dhe atdheut ka vazhduar me intensitet për dy shekujt e parë pas emigrimit.
Interes paraqet fakti i dhënë nga albanologu austriak, Teodor Ippen, mbi ruajtjen e një Meshari në krahinën e Pukës. Nga ky shkak, e pamë të udhës të hulumtojmë në këtë drejtim. Dimë, që në Abacinë e Shën Palit, Kabash (Pukë), deri në mesin e shekullit të XVII, ruhej një kryq shumë i kushtueshëm, me gurë të çmuar, dhe një abaci me stoli të tilla të çmuara e kishte mundësinë në mesin e shekullit të XVI, kur u botua Meshari, për blerjen e një kopjeje. Një studim i Dhimitër Shuteriqit hedh dritë, se Meshari, që ruhet në Vatikan e ka origjinën nga kisha e Laçit (Kurbin) dhe na shpjegon rrethanat, që e çuan këtë kopje në Selinë e Shejtë, ajo ishte indeksuar në zbatim të vendimit të inkuizicionit. Libri ndoshta është konfiskuar nga Marin Bici, në vizitën e vitit 1610 (4).
Librin në fjalë e ka njohur dhe Pjetër Bogdani dhe e përmend në një relacion të tij, duke e quajtur “Ungjijt Shqipt” (5). Lind pyetja, në qoftë se në krahinën në fjalë, ruhej një kopje e Mesharit shqip të Gjon Buzukut, atëherë pse nuk na përmendet tek relatorët e shek. XVII, dhe nga e ka origjinën e pronarit kjo kopje? Për këtë na duhet të hedhim vështrimin mbi institucionet, që kishin mundësi ta posedonin në trevën e mësipërme. Së pari, është Abacia e Kabashit, e njohur për lashtësinë dhe rëndësinë e saj.
Së dyti; Abacia e Shtanës, dhe më në lindje, qyteti i Prizrenit, ku e kishte selinë Ipeshkvia Shkup-Prizrend. Godina e Abacisë së Shën Palit, Kabash, në kapërcyellin e shekullit XVI-XVII, pësoi disa goditje shkatërrimi, si e tregojnë informacionet shumë të sakta, për gjendjen e saj në vitet 1628-376. Për Prizrenin, në vitin 1592, na lajmëron Pjetër Mazrreku, se kisha katedrale është djegur me dëm të madh në libra, sa edhe sot ato popuj vajtojnë (7).
Fakti më interesant, për ruajtjen e një kopje të këtij libri të çmuar, si e thamë, na vjen nga konsulli Austro-Hungarez i Shkodrës. Ai në studimin e tij të titullar: “Malësia e Drinit apo e Dukagjinit” (8), të publikuar në Vjenë, në vitin 1908, shkruan: “…Jam njoftuar gjithashtu, që hoxha muhamedan i këtij fshati (Flet) edhe sot (1908), i ruan zbukurimet e altarit dhe Librin e Meshës të kishës së dikurshme katolike…”. Ndryshe nga sa ruan tradita gojore e popullit e dëshmitarët okularë, Ippeni e quan “Meshar” dhe jo ungjill, si ruhet kujtimi gojarisht e siç është regjistruar ky fakt dhe publikuar në mesin e shek. XX.9 Kërkimet tona, për gjurmë të materialeve arkivore (shënime) të Ippenit, nuk kanë rezultat dhe shpresat janë të pakta, se si njoftohemi nga një shpallje ankandi, që ruhet në A.Q.Sh. Tiranë, trashëgimia arkivore private dhe biblioteka e Ippenit, është shitur në vitin 1935(10).
Kopja e Mesharit, që u ruajt në familjen e hoxhës së Fletit, sipas të gjitha rrethanave e ka origjinën nga Abacia e Shtanës, që në dokumentet mesjetare na del Sostana (11). Rrethanat, që nuk na përmendet ose që e shpëtuan nga sekuestrimi Mesharin, që ruhej në Flet, (Pukë), deri në fillim të shek. XX, na e ndriçon botimi i relacionit të Marin Bicit (12), dhe konkretisht itinerari i kalimit për në Kosovë, i cili kaloi nga Fandi në Kolsh dhe vijoi në Kukës, pa e vizituar dot Shtanën, ku do e kishte parë apo ndoshta edhe sekuestruar Mesharin, për shkaqet, që thamë më lart.
Edhe në vitin 1632, Pjetër Mazrreku, nuk e vizitoi dot Shtanën. Në materialin e botuar të tij, tashmë, thotë: “Shën Maria e Sostanit nuk dimë a ka prift. Jam njoftuar mirë, se në vitet e kalueme e vranë një prift, dhe se dukagjinasit ja kanë marrë hakun” (13). Jemi në fillimet e shekullit XVII dhe nga dokumentet osmane njihemi, se në zonën e Pukës ka filluar islamizimi.
Shtjefën Gaspari, në vitin 1671 na njofton se: “Stana (Shtana) kishte kishën me titullin e Shën Jakut, që tani është e rrafshuar; në atë vend është ndërtuar një altar druri. Prifti banon në katundin e Stanës, ku
janë 50 shtëpi me 400 frymë, 36 shtëpi katolike me 250 frymë, të tjerat tash 25 vjet kanë mohuar fenë” (14).
Një familje nga fshati i sotëm Dukagjin, që atëherë ishte lagje e Shtanës, ku në Mesjetë kemi Abacinë dhe kishte nxjerrë shumë priftërinj katolik, dimë se e vazhdoi këtë traditë, por në kushtet e reja të shek. XVII, tashmë shkollimi i bijve të sajë bëhej për klerikë të një besimi tjetër. Familja e klerikut (hoxhës) të Fletit e ka origjinën nga ky fshat (15) dhe trashëgohet nga kjo familje, që thamë, vazhdimisht e ka përtërirë traditën e shkollimit dhe ka ruajtur reliket dhe “librin” e paraardhësve, të cilët e nderonin, megjithëse të një besimi tjetër.
Meshari, për fat të keq, u dogj nga mizoritë e ushtrisë pushtuese serbe në vitin 1912, 16 pasi u mbrojt me gjakun e pronarit, që e trashëgonte dhe e ruante prej më shumë se treqind vjetësh.
____________
1). “E do mendja se në trevat shqiptare etnike duhet të gjenden ende kopje të Mesharit. Për mendimin tim zhdukja e këtij libri në Shqipëri e ka shkaktuar vështirësia për tu ruajtur”. Vili Kamsi, “Gjon Buzuku e Koncili i Trentit”, botuar në; Seminari XVII Ndërkombëtar për gjuhën e letërsinë shqipe, Tiranë 1995, f. 385.
2). Në vitin 1595 kalorësi (cavalier) Tom Plezha i shkruante Papës: “Unë jam një kalorës i rroguar prej zotërinjve venedikas…. nuk kam shumë përvojë në gjuhën italiane”. Revista Leka, Shkodër 1936, f. 447v.
3). G. Marfioti, Croniche et antichita di Calabria.
4). Dh. Shuteriqi, Nga e ka prejardhjen kopja e vetme që njihet e Mesharit të Gj. Buzukut, në librin: “Mbi Barletin dhe shkrime të tjera”. Tiranë 1979, f. 136-143. Në sesionin përkujtimor në Ulqin (27-28 maj, 2005) nga disa kumtues u hodh ideja që Meshari, nuk duhet të jetë indeksuar nga Vatikani. Kjo ide nuk ngjalli interes për diskutime.
5). Pjetër Bogdani, në origjinal e shkruan: “L’Evagelij in Albanese”.
6). Relacionet e Frang Bardhit për Pukën, Iballën e Spasin, Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë së Veriut, Vëllimi i II, Tiranë, 1965.
7). Relacioni i Pjetër Mazrrekut, 1632: “Më 1592 u dogj kisha e Prizrenit me dëmtim të madh librash të vjetër e të pajisjes së Shejtë. Sot ata, që e dinë dhe e kujtojnë qajnë…”. Relacione … vëll. I. f. 433.
- Theodor Ippen, Das Drin-oder Dukadchingerbirge, Vjenë, 1908, f. 39.).
- Gjon Karma, Folklor, Nder malet tona, Shkodër, 1940.
10). Kopja e shpalljes së ankandit ruhet në AQSH, Tiranë, Fondi; Ministria e Arsimit, viti 1934.
11). Në vitin 1348, rezulton me emrin Kashtanje, shih; Acte et Albaniae… vëllimi i II, dok. nr. 46. Ne e identifikojmë Abacinë e Shtanës në fshatin e sotëm Shënmëri, (vendasit e thërrasin Shmri), që e mori emrin nga kisha Abaciale, me emrin Shën Mërija. Sot ekziston ende një lagje; Shtanë, në këtë vend. Për
identifikimin, na ndihmon edhe arkeologjia. Në fshatin Shënmëri ruhen rrënojat e një fortifikimi me sipërfaqe 80 x 50 m. të periudhës së vonë antike. Shih; L. Përzhita-Gëzim Hoxha, “Fortifikime të shekujve IV-VI në Dardaninë Perëndimore”, Tiranë, 2003, f. 32.
12). Relacioni i M. Bicit, Mbi vizitën e kryeme në dioqezet e Shqipërisë dhe Serbisë. Burime dhe materiale për historinë e Shqipërisë, 1610-34, vëllimi i I, Tiranë, 1963.
13). Relacione …, vëll. I, f. 455, Tiranë 1963.
14). Shtjefen Gaspari e njeh ndarjen e fshatit Stanë (Shtanë) që ka abacinë, sot ë përfshirë në Shënmërinë e afërt, në aë vit numëronte: “38 shtëpi me 308 frymë, janë 40 frymë katolike, të tjerët kanë mohuar besimin tash 28 vjet”. Po aty, kemi njoftimin se: “Asnjë katund nuk ka kishë (në Malzi), por të gjitha janë rrënuar prej turqve”. Shtjefën Gaspari, Relacion për peshkopatën e Lezhës 1671-72. Hylli i Dritës 1931, korrik-gusht, nr. 7-8, f. 440-41.
15). Fshati Dukagjin, nga e ka origjinën familiare Hoxha i Fletit, është ngjitur me Shtanën, e cila sot është lagje e komunës Shënmëri.
16). “Sipas kujtimeve, që ruhen në popull, këto objekte (libri dhe veshja e priftit) ruheshin në një arkë bashkëkohëse me objektet, këto u dogjën bashkë me shtëpinë në vitin 1912 nga pueshtuesit serbë”. Folklor, Nder Malet Tona, përgatitur për botim nga Gjon Karma, Shkodër 1940.
- O. Kjo është kumtesa e mbajtur në Sesionin Shkencor Nderkombëtar me rastin e 450 vjetorit të botimit të MESHARIT të Buzukut organizuar nga Akademia e Shkencave, Tirane.
- * * *
Nga Gazeta “Bota Sot”, Prishtine, me 17 DHJETOR 2021