DËSHMI TË ARTIT TË LASHTË NË DURRËS / ARCHAIC DURRAH. –
Gjetjet arkeologjike në Durrës kanë bërë të mundur të ndriçohet jeta e kësaj qendre të lashtë në bregun e Adriatikut edhe në rrafshin e dëshmive të hershme të artit. Këto dëshmi na ndihmojnë të bëjmë një lidhje midis tyre, për të ndërtuar një vështrim Motorik mbi artin e manifestuar në këtë qytet në harkun kohor që përfshin fundin e shekullit VII, shekullin VI e fillimin e shekullit V para eres sone
Dëshmitë e skulpturës dhe relievit arkaik të Durrësit përbëjnë një koleksion më vete. Studimi i tyre është në ndërlidhje me tërë jetën ekonomike, politike e kulturore të qytetit e të botës mesdhetare në epokën arkaike. Ndër monumentet më tipike e të hershme të artit arkaik do të veçonim një shtyllëz prizmatike, me bazë trekëndëshe me brinjë 15,5 x 10,5 x 22 cm dhe e lartë 23 cm. Nga tri faqet e për-caktuara të saj dy janë gati të barabarta e të skalitura në reliev, kurse e treta është e lëmuar dhe pa figurë.
Mendojmë se kemi të bëjmë në këtë rast me një këmbë të një froni të gdhendur në gur. Këtë e mbështet vetë karakteri prizmatik i shtyllëzës, figurimi me reliev vetëm i dy faqeve të dukshme, kurse për faqen e tretë s’ka qenë nevoja se nuk e përfshinte shikimi, si dhe fakti që shtyllëza e fragmentuar ka pasë vazhduar sipër (element i këtij vazhdimi është pjesa e një këmbe të djathtë, mbi buzinën ndarëse të sipërme të njerit nga relievet e monumentit). Dy faqet me reliev kanë secila nga një figurë të seksit femër, joidentike me njëra-tjetrën. Njëra figurë është me kokën në profil, torsin përballë, dy duart i ka të kryqëzuara mbi gjoks, është e veshur me peplos e mbi supe ka një mantel të shkurtër, ndërsa mesin ja shtrëngon një rryp i hollë. Flokët i ka të modeluar në tipin e parukës me vija horizontale njëra pas tjetrës e quajtur «parukë me shkallë», kurse mbi ballë buklet i ka të spërdredhura. Syri është i madh, me kokërdhok pak të dalë, koka gjithashtu e madhe, me hundë e mjekër të zgjatur, shpatulla të gjera, kurse vithet të ngushta .
Qëndrimi monumental, i ngrirë, i figurës përkon me një kore të Aukserës të stilit dedalik kretas të shekullit VII para erës sonë, me të cilën ka të përbashkët edhe tipin e veshjes së peplosit me mantel të shkurtër mbi supe, të parapëlqyer në Kretë dhe në Delos. Figura e dytë e ka dhe kokën dhe torsin në profil, është e veshur me një rrobë me mëngë të shkurtëra, me rrip në mes. Dorën e djathtë e ka të ngritur pranë nofullës, kurse flokët në formë paruke i kapërcejnë mbi supet.
Nga: Moikom Zeqo, ILIRIA Nr. 1-1986