Dëshmia e italianes që vuajti 46 vjet internim në Shqipëri: – Në atë kamp nënat varrosnin me duart e veta fëmijët
15 Janar “023
Tepelena…! Një fushë përqëndrimi e pune të detyruar, një kamp, i populluar nga dymijë qenie njerëzore të ardhur, pothuajse të gjithë nga Veriu i Shqipërisë: pleq, gra, fëmijë, të shkulur në pak orë nga shtëpitë e tyre e të grumbulluar në pesë kazerma.
E të mendosh se atëherë, e gjithë popullsia shqiptare nuk arrinte në një milion! Vendi i zgjedhur ishte llogaritur deri në hollësitë më të imta: një ultësirë e gjërë, gati si një fushë e vogël beteje, e rrethuar pikërisht nga kazerma, bazë prapavije e ushtarake për ushtrinë italiane gjatë Luftës italo – greke në vitet e Luftës së Dytë Botërore.
Për rreth nuk shiheshin veç male, një erë e akullt gjatë dimrit na e bënte jetën të pamundur, tela me gjemba kudo, ndalim i rreptë për të ndezur zjarr për t’u ngrohur me rrezikun për të mbetur, të lidhur, gjithë natën jashtë në ngricë. Zgjimi bëhej në mëngjes herët. Katërqind vetë në çdo kazermë, shtrënguar njëri me tjetrin në dy kate shtretërish të pandërprerë dërrase në të gjithë gjatësinë e saj.
Nuk ishin lejuar më shumë se gjashtëdhjetë centimetra për secilin prej nesh; dyshekët, për këdo që kishte fatin t’i kishte, dukeshin si rrugica të vogla e të ngushta. Bëhej thirrja e emrave, me ngut, pastaj nisja për në punë.
Të gjithë të rinjtë në mal: nuk mjaftonin dy orë ecje për të arritur, për t’u kacavjerrur më pas nëpër një shteg shumë të ngushtë e të pjerrët, deri atje lart ku ishte pylli ku punonim.
Duhet të kishe krahë e muskuj të fuqishëm, për të prerë drunjtë me sëpatë, për t’i shpënë në kurriz poshtë në një livadh të vogël të stivuar, për t’u kthyer përsëri sipër e për të zbritur disa herë i ngarkuar deri sa të plotësohej sasia e kërkuar nga ata që na shoqëronin, rojet e kampit.
I shëmbëllenim një karvani që, në rresht indian, mezi ngjitej e zbriste i heshtur, me këmbët që dhembnin, herë-herë të gjakosura, të mbathura me një copë lëkure derri që bashkë me lidhëset merrte formë sandalesh.
Deri në mbrëmje me stomak bosh dhe gojën e shkrumbuar nga mungesa e ujit: në perëndim të diellit, rreshti i gjatë i këtyre qenieve njerëzore vihej përsëri në rrugë për t’u kthyer “në shtëpi”. Ishim gjithmonë të ngarkuar me dru, copa të gjata e të trasha, të lidhura me litar mbi kurrizet tona.
Ishte tashmë natë kur arrinim në kamp.
Pleqtë, të sëmurët, prisnin kthimin tonë me ankth mbas murit të telave me gjemba; pastaj fëmijët. Nuk mund të harroj kurrë fëmijët tanë që na dilnin përpara, të zbathur, të rreckosur, fëmijët që i linim në mëngjes duke lutur Zotin t’i gjenim shëndoshë e mirë në darkë.
Por sa nëna në kthim gjenin një kufomëz: sëmundjet, veçanërisht ndërmjet fëmijëve, korrnin viktima pa mëshirë. Nuk kishte barna. Një mjek, dhe ai i përndjekur, mbasi nuk ishte komunist i besuar, aftësia profesionale e të cilit zbehej e pafuqishme para aq fatkeqësish e aq mjerime, vinte duart në kokë kur hynte në kamp.
Megjithatë gruaja shqiptare, nëna shqiptare e atyre viteve kishte një vendosmëri stoike: me duart e veta varroste krijesën e saj, pa derdhur asnjë pikë loti. Nuk kishte më lot në sytë tanë, i kishim derdhur të gjithë! Të nesërmen shkohej në punë, e kështu vite me radhë. Një kazan me ujë të zier me ndonjë kokërr fasule brenda e një copë bukë, ky ishte ushqimi ynë; në mëngjes pak ujë me ngjyrë të errët që, duhet të ishte “çaj”.
Afroheshin Krishtlindjet e vitit 1951. Shokë internimi ishin me ne disa meshtarë, Dom Nikoll Mazreku, At Viktor Volaj, At Jak Gardin, ky i fundit italian. Të tjerëve nuk ua kujtoj më emrat. Menduam t’a lusnim atë Krishtlindje me një Meshë.
Nuk kishte vetëm katolikë në kampin tonë, kishte myslimanë, ortodoksë, por nisma duhet t’ishte e jona e nuk qe e lehtë. Në vitin 1951, ishin ende të hapura kishat e xhamitë, por ishin në përgatitje ligjet që do të miratonin mbylljen e tyre dhe do të vendosnin ateizmin si “fe” të Shtetit.
Kërkesën tonë drejtoria e kampit e kundërshtoi prerë: “Çdo të thotë “Krishtlindje” – tha drejtori Xhaferr Pogaçe,- ne nuk njohim veçse Pashkët”. Me durim të pamasë i shpjeguam se Pashkët përkujtonin vdekjen e Jezuit tonë, por Krishtlindja ishte festa e gjithë njerëzimit sepse kremtonte lindjen e tij.
Asgjë, për më tepër se Krishtlindjet, nuk binin të dielën, por më duket se n’atë të largëtin 1951, në një ditë pune. I siguruam se do të shkonim të gjithë në punë, pa dallim, mjaft që të na lejonin të ktheheshim pak më shpejt, para se të errësohej. Nuk kishim drita, as qirinj, as dhe një bishtuk.
Sa lutje burgosësve tanë, por qemë të gjithë në një fjalë, pavarësisht nga besimi i secilit, atje ku na mblidhnin për të nisur rrugën e malit në punën tonë, nuk lëvizëm deri sa na premtuam se mund të lusnim Meshën e Shenjtë që, në padijen e tyre, nuk arrinin të kuptonin çfarë ishte dhe pse ne e dëshironim aq shumë.
Ku do të thuhej kjo Meshë? Na caktuan mbeturinat e një kazerme, pothuajse të shkatërruar nga granatat greke, ku vetëm një mur kishte mbetur mrekullisht në këmbë, por ku kishte vend për të gjithë.
Filloi kështu puna për pastrimin e vendit nga gurët, blloqet, barishtet e mbeturinat, gjithmonë mbas pune, n’errësirë me flakën e copave të pishës së ndezur që shërbenin si pishtarë drite.
Buzëqeshnin Dom Nikolla e At Gardini në mes nesh duke na ndihmuar. At Gardini organizoi korin: nuk ishin më shumë se shtatë a tetë gra e burra por ia dolëm në krye. Don Nikolli do të çonte meshën.
U kthyem me vrap nga puna atë 25 dhjetor 1951. Kazerma e prishur ishte mbushur me gjind. Altari, i mbështetur në të vetmin mur të mbetur në këmbë, mbështetej mbi një grumbull gurësh të renditur mirë e të mbuluar nga një çarçaf i bardhë.
Dom Nikolli, kishte ruajtur fshehtas një kupë dhe disa ostie e filloi meshën. Pothuajse pa u vënë re rojet e kampit u afruan “për të vigjëluar”, por besoj më shumë për kërshëri, për të parë se çfarë ishte ajo gjë për të cilën u ishim lutur aq shumë.
Kush u dha zërave tanë aq fuqi sa dukej se jehona arrinte deri në qytet? “Adeste fideles”, “Natë yjesh”, “Ti zbret nga yjet” u përhapën në hapësirë duke mallëngjyer të gjithë të pranishmit. Dom Nikolli, në predkun shqiptoi pak fjalë, të thjeshta, të thella, si ato që vetëm Krishterimi mund të frymëzojë.
Nuk dëgjohej as flladi më i lehtë; së fundi notat e këndshme e të thella të Ave Maria, ndërsa meshtari përsëriste si ndër shekuj “Ite Missa est” dhe qe një shpërthim lotësh e duarsh që ngriheshin lart drejt qiellit…! Atëherë të gjithë fuqishëm tonin “Christus vincit, Christur regnat”; tashmë ishte natë.
Dom Nikoll Mazreku e At Gardini, nëse janë ende gjallë, nuk di nëse do të lexojnë ndonjëherë këta rreshta të thjeshtë, por cilido që qe i pranishëm, si unë, në atë ndodhi nuk do t’i harrojë kurrë.
Kam jetuar 47 vite në kampet e internimit, nga Tepelena në Vlorë, Kantieri 216, nga Tirana, Kampi nr. 3, në Lushnjë, Gradisht, Pluk, Savër e së fundi në Grabian, kampe pune e dëbimi.
Isha e huaj, italiane, e diplomuar, por kam punuar me ato malësore, me ato fshatare që më mësuan se si vihej barra e druve mbi shpinë, se si mbatheshin opingat prej lëkure derri, që habiteshin si jetoja, flisja, merresha me problemet e tyre kur më kërkonin ndonjë këshillë, por më shfaqnin dashuri e më jepnin kurajo, kemi kaluar një jetë të tërë.
E kthyer në 1990, në Itali munda të shoh një Kishë, t’i afrohem një altari, të marr kungimin e shenjtë.
Gjithçka është e bukur, magjepsëse, por asgjë nuk mund të barazohet me emocionin aq të thellë, aq të mirëfilltë të asaj Krishtlindjeje të largët të vitit 1951, mes kaq dhimbjeje, kaq vuajtjesh por edhe kaq shpresash në Virgjëreshën e Bekuar, Ruzari i së cilës shoqëronte kthimin tonë nga ajo punë çnjerëzore dhe e padrejtë, fryt i një ideologjie të rreme e të mallkuar.
Kalonin vitet në kampin tonë, gjithmonë mes punës e kazermës, mes sëmundjesh e mungesash të çdo lloji. Sa shumë vuanin të moshuarit dhe të sëmurët, nëpër çfarë torturash kalonin, kuptohej kur të tregoheshin kushtet higjienike në të cilat jetohej. Nevojtoret, dhjetë gjithsej, për dymijë vetë, ishin larg rreth dyqind metro.
Natën duhej shkuar deri atje, edhe duke qenë të sëmurë apo të pamundur, në të kundërt dënimi ishte çnjerëzor: njeriut i varej në qafë një kanaçe me jashtëqitje dhe detyrohej të vinte vërdallë nëpër kamp një ditë, dy, tri, deri sa t’a quanin “t’arsyeshme” xhelatët tanë. Ishte për të qarë e për të qeshur ajo tragjedi e tmerrshme!
Ishte viti 1952, kishte pesë vite që ishim “mysafirë” në Tepelenë. Jetoja me vjehrrën dhe djalin tim, dukeshim një trup i vetëm dhe një shpirt i vetëm. Im shoq, që ishte dënuar me 15 vjet pune të detyruar si “Armik i popullit”, ndiqte kalvarin e tij në kampet e tmerrshme të Maliqit, ku të burgosurit duhej të thanin kënetën me krahë e jo me mjete mekanike.
Kanale gjigantë, që duhej të çonin drejt detit ujërat e shumta të kënetës, për të liruar qindra mijra hektarë toke, ky ishte objekti i punës së “armiqve të popullit”. Për vite të tëra nuk jemi parë, ndonjëherë këmbenim pak rreshta, kur e lejonin, për t’u siguruar se ishim gjallë.
Erdhi pranvera, malet u veshën me gjineshtra, shumë gjineshtra me ngjyrën e verdhë dhe me aromën e tyre. Stina e bukur duhej të na jepte pak ngushëllim e më shumë fuqi në punën tonë. Ndërsa për ne ishte fillimi i një ankthi: nisnin shpërnguljet për arsye pune.
Të tjera kampe na prisnin, të tjera mundime, të tjera “plane” të regjimit komunist, për t’u sendërtuar “për të mirën e popullit”, nëpërmjet vuajtjeve dhe poshtërimeve tona.
N’atë vit i gjithë vendi u godit nga një epidemi shumë e rëndë gripi, që pati viktima të shumta, dhe mund të merren me mënd pasojat për Tepelenën, ku mungonte çdo lloj forme e ndihmës mjekësore, ku nuk kishte barna, ku ishte i ndaluar zjarri e vdisnin shumë, sidomos pleq e fëmijë.
Mungesa e ushqimit, virusi që përhapej, të grumbulluarit në ato kazerma, na katandisën në skeletër shëtitës; megjithatë duhet të ngriheshim çdo mëngjes e të shkonim në punë, kush mbeste në rrugë gjysëm i vdekur çohej në kamp nga dy shokë për krahu ose duke e mbajtur me radhë në kurriz. U sëmurën rëndë vjehrra dhe djali; për mrekulli i shpëtova ngjitjes së sëmundjes, kështu që mund t’u shërbeja kur kthehesha nga puna e gjatë natës.
Filluan të përmirësohen sepse Zoti i madh vuri dorën e Tij, mbasi nuk kishim asnjë mjet me përjashtim të një barishteje që e mblidhja në mal, e zieja e me atë lëng të hidhur i jepja diçka të ngrohtë.
Të ftohtit po pakësohej me kalimin e ditëve, afrohej maji dhe epidemia zvogëlohej si shtrirje e si rrezikshmëri.
Në një ditë të bukur me diell u zgjuam të befasuar nga një sërë kamionësh të ndritshëm, me një grup të madh policësh që i shoqëronin e që drejtoheshin nga një oficer i ri, me një sjellje më pak të ashpër nga rojet tona të zakonshme e më i edukuar. Vinte nga Tirana dhe duhej të përfaqësonte “me dinjitet” ata që e kishin dërguar.
Atë ditë nuk shkuam në punë: u bë një mbledhje e përgjithshme në fushën e gjerë të kampit, ku u lexuan shifra e të dhëna mbi realizimet e mëdha të regjimit për “të mirën dhe përparimin e popullit”, programe të tjera pune e, si përfundim, lista me emrat e atyre që brenda një ore, duhej të linin kampin e Tepelenës për arsye pune e, do të shpërnguleshin gjetiu, në një drejtim të panjohur deri në çastin e mbërritjes në vendin e caktuar.
Një heshtje e plotë nga të pranishmit dhe një pritje me dridhje: së pari nevoja për tridhjetë punëtore gra, emri im i pari në listë, “në krye të klasifikimit”, më pas 29 të tjera; pastaj burrat për dy qëllime të ndryshme, njëqind me ne gratë, njëqind gjetiu.
Me të thënë e me të bërë: brenda një ore dysheku i palosur e i lidhur, një valixhe druri në dorë e të gjithë në rresht para kamionëve që duhej të ngarkonin më parë teshat e, mbi këto, tridhjetë vetë në secilin automjet.
Të kota lutjet për të më zëvendësuar me ndonjërën që nuk kishte fëmijë. Dolën shumë gra të reja që ishin gati të zinin vendin tim, mbasi kisha një fëmijë dhe vjehrrën të moshuar e të sëmurë. I luteshin komandantit të operacionit, të më linte në Tepelenë me të dashurit e mi, por nuk qe e mundur.
Nuk mund të harroj kurrë atë skenë: vjehrra, pothuajse një hije, që më shihte nga dera e kazermës së madhe, djali im që kacavirrej në spondën e makinës e më thërriste, polici që i binte duarve të tij me qytën e pushkës, ai që binte por nuk epej dhe ne që ishim shtrënguar pranë njëra tjetrës mbi dyshekët në një heshtje varri.
Na dhanë një racion bukë e një presh, ishte e mjaftueshme për një ditë! Lotët e vjehrrës, që kishte zëvendësuar nënën të cilën nuk e shihja prej dhjetë vitesh, nuk do të shuhen kurrë nga kujtesa ime së bashku me zërin e hollë të fëmijës time “mama, mama”.
Të tjera gra e merrnin me të mirë e më thoshin të ikja e qetë mbasi do të kujdeseshin ato për të, se së shpejti do të bashkoheshim përsëri…! Kolona e gjatë e makinave u nis e pak nga pak u zhdukën shëmbëlltyrat e të dashurve tanë dhe pamja e atij kampi të mallkuar.
U nisa dhe Tepelenën nuk e pashë më kurrë. Kaluam në kampe të tjera vite të gjata, vende të ndryshme, por gjithmonë me një ankth që na printe e na përcillte: e panjohura e së nesërmes./ Memorie
Nga Gazeta Sot