Dëshmia e Muçës te ‘Hetimorja’. Salianji: – Iranianët u përdorën si justifikim për sulmet kibernetike
27 Korrik 2024
Deputeti i PD-së, njëkohësisht kryetari i Komisionit Hetimor për rrjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS ka prezantuar në Kuvend raportin e punës hetimore.
Salianji tha se ish-drejtuesi i departamentit të IT, Ervin Muça ka deklaruar se ka pasur dy sulme kibernetike të pretenduara nga hakerët iranianë. Ai tregoi më tej se Muça ka dëshmuar për raste të tjera të prekjes së të dhënave edhe në Policinë e Shtetit.
Deputeti demokrat ka zbuluar se këto sulme kibernetike janë justifikuar nga drejtues të Ministrisë së Brendshme si vepra të hakerëve iranianë, por sipas Ervin Muçës dhe gjetjeve të komisionit hetimor kjo nuk është e vërtetë.
Salianji: Ervin Muça na ka deklaruar se ka pasur dy sulme kibernetike. Sulmi i parë u mbajt i fshehtë pa kryer hetim apo masa që solli edhe sulmi ne dytë të pretenduar nga hakerat iranianë. Si rezultat i këtyre sulmeve çdo e dhënë në sistemin TIMS nga krijimi I tij deri në shtator 2022 gjenden në një kanal online që na është thënë konkretisht. Këto të dhëna janë të aksesueshme nga ata që kanë interes nga krimi i organizuar te shtetet jomiqësore që në këmbim të një shume monetare sot çdo e dhënë mund të shitet e blihet lehtësisht.
Ai ka deklaruar se ka pasur raste të tjera kur të dhënat janë prekur. Justifikimi më i përdorur nga drejtuesit e ministrisë së brendshme ka qenë se sulmet janë kryer nga iranianët. Kjo nuk ishte e vërtetë sipas tij dhe hetimit të komisionit parlamentar. Kjo vërtetohet nga një memo e vitit 2021 ku ish-drejtuesja e departamentit IT konfirmon se disa kompjuterë të drejtuesve administrativë janë hakeruar dhe kjo ngjarje u fsheh. Këto sulme janë kryer edhe në sistemet e policisë së shtetit, të cilat arritën të prekin çdo pikë fundore sepse personat që e kishin për detyrë jo vetëm që nuk kanë bërë izolime por kanë bashkëpunuar me hakerët e sistemit sipas deklarimeve të zotit Muça.
Gazeta Sot