Dëshmitë e zyrtarëve për ‘TIMS’: – Janë tejet tronditëse, i është shërbyer grupeve kriminale
5 Qershor 2024
Kreu i Grupit të Rithemelimit, Gazment Bardhi ka deklaruar se dëshmitë e zyrtarëve për sistemin TIMS në Komisionin Hetimor, sipas tij, janë tronditëse.
Ai deklaroi se “ndaj duan mbylljen e dyerve të Komisionit”, duke shtuar se sistemi TIMS i ka shërbyer grupeve kriminale dhe se janë fshirë të dhënat për t’u dhënë mundësinë që të arratisen.
Bardhi: Qytetarët dje nuk kishin mundësi të ndiqnin atë që ka ndodhur në Komisionin hetimor për TIMS por dëshmitë e zyrtarëve janë tronditëse.
Ndaj duan mbylljen e dyerve të Komisionit sepse kanë përdorur një sistem të sigurisë kombëtare për ti shërbyer grupeve kriminale, kanë fshirë të dhënave sipas interesit të tyre që ata të kalojnë e të arratisen që kur të nxjerrë urdhërat SPAK të mos jenë në Shqipëri por në Dubai. Është projekt politik, Rama ka ardhur në pushtet me krimin e organizuar.
I keqpërdor në zgjedhje dhe i përball me qytetarët. Kush mendon se do i ikë më propagandë kësaj çështje, konfirmoj se kjo nuk do të ndodhë. Rama është përgjegjës për forcimin e krimit të organizuar, ja priteni kur të shpallë ndonjë iniciativë për të luftuar krimin e organizuar.
Gazment Bardhi, sa i përket protestës së thirrur ditën e enjte ( 6 qershor) para Parlamentit, u shpreh se nuk do të pajtohen me ligje që sipas tij fuqizojnë grupet kriminale.
Deputeti i Rithemelimit deklaroi se “Rama ka zgjedhur të ketë kontratë me përfaqësuesit e grupeve më të rrezikshme kriminale në vend”.
Bardhi: Nuk pajtohemi kurrë që qeveria të miratojë ligje, të japë tendera dhe të fuqizojë grupet kriminale. I bëj thirrje kryetares së Kuvendit të zbatojë rregulloren, kërkesa për zhvillimin e një mocioni me debat për një temë që shqetëson shqiptarët, do të duhet të kishte bërë mbledhjen për të caktuar kohën e debatit.
Nëse mendon se do t’ia hedhë sa herë që Rama ka qenë në vështirësi duke injoruar kërkesat e grupit parlamentar të PD, do ishte e papranueshme ne.
Rama ka zgjedhur të ketë kontratë me përfaqësuesit e grupeve më të rrezikshme kriminale në vend. Kjo çështje duhet të jetë në rendin e ditës, deputetët do të duhet të trajtojnë me përgjegjshmëri situatën e rëndë ku ndodhet vendi dhe të kemi mundësi të bëjmë propozimin tonë sesi do të shkëputen fijet e pushtetit me krimin e organizuar.
Gazeta Sot