14 Prill 2025

Harta gjyqësore e miratuar nga qeveria Rama në vitin 2023 ka dështuar dhe ka futur sistemin e drejtësisë në kolaps. Ky fakt pranohet nga Gjykata e Apelit në raportin e vitit 2024, ku sipas të cilit numri i dosjeve të cilat presin shqyrtim jo vetëm nuk është ulur por dhe koha e pritjes për qytetarët është rritur. Gjykata e Apelit kërkon që qeveria dhe të gjitha institucionet e tjera të marrin për të zgjidhur këtë ngërç, pasi sipas saj, edhe numri i gjykatësve për të përballuar këtë fluks është i mangët.

Harta e re gjyqësore, e prezantuar nga Qeveria e Edi Ramës dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor si një zgjidhje fatlume për krizën e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, ka dështuar tërësisht, sipas një raporti të Gjykatës së Apelit për vitin 2024.

“Harta e re Gjyqësore e miratuar në vitin 2023 synoi ekuilibrimin e ngarkesës në gjykata, si edhe unifikimin e cilësisë së shërbimeve në të gjithë territorin e Republikës. Por, zbatimi i saj është larg qëllimit kryesor që pati reforma”, thotë Gjykata e Apelit në dokumentin për aktivitetin e saj gjatë vitit të kaluar.

Raporti bën një zbërthim të detajuar të ngarkesës së gjykatës së vetme të shkallës së dytë, ku panorama jepet me nota tejet pesimiste.

Në fund të vitit 2024, Gjykata e Apelit e Jurdiksionit të Përgjithshëm kishte rreth 41.700 dosje të pashqyrtuara. Nga këto mbi 28 mijë janë të natyrës civile dhe mbi 13.500 janë penale.

Gjykata e Apelit pranon se ajo, jo vetëm që nuk arrin të reduktojë stokun e çështjeve të prapambetura, por vijon të rrisë atë.

Referuar të dhënave statistikore, rezulton se shqyrtimi i një çështje civile në Gjykatën e Apelit kërkon mesatarisht 2683 ditësh nga regjistrimi, ose pas rreth 7.3 vitesh. Ndërkohë, një çështje penale kërkon mesatarisht rreth 2.4 vite për shqyrtim.

Nëse shihen me detaje, aktualisht në Gjykatën e Apelit janë mbi 2100 dosje ende të pashqyrtuara, të cilat janë regjistruar prej më shumë se 5 vite më parë.

Gjykata e Apelit thekson në Raportin Vjetor se trupa aktuale po përpiqet që të evadojë sa më shumë dosje gjyqësore. Megjithatë, në situatën aktuale, duket se gjithçka është e pamundur.

Gjykata e Apelit ka në detyrë 26 gjyqtarë, nga 78 që është organika. Pra, në këtë gjykatë mungojnë rreth 70 përqind e trupës së gjyqtarëve të nevojshëm, duke sjellë një kolaps thuajse të plotë në funksionimin e saj.

Gjykata e Apelit kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga Parlamenti, qeveria dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, për të ndërmarrë nismat e nevojshme ligjore dhe infrastrukturore, me qëllim zbutjen e kolapsit dhe dhënien më të shpejtë të drejtësisë.

Qeveria e Ramës dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor miratuan në vitin 2023 atë që e quajtën Harta e re Gjyqësore, e cila, sipas tyre, do të tejkalonte ngërçin e krijuar pas vakancave të shumta, të krijuara nga aplikimi i procesit të vetting-ut me standarde të dyshimta.

Harta e re gjyqësore u kundërshtua fuqishëm nga profesionistët e ligjit, ndër të cilët Avokatët bojkotuan për ditë të tëra proceset gjyqësore. Megjithatë, Harta Gjyqësore hyri në fuqi dhe tashmë, zbatimi i saj rezulton të jetë një dështim i plotë.