Dështimi i suksesshëm i Lavrov që demaskoi agjentët rusë të Ballkanit të Hapur
6 Qershor 2022
Dështimi i vizitës së Lavrov në Serbi ishte një goditje e rëndë për elitat politike të Ballkanit, të cilat prej kohësh janë duke gatuar një çorbë të shpifur dhe pa kurfarrë shije me termin Ballkani i Hapur. I trumbetuar me tamtame histerike nga dyshja Vuçic-Rama, dhe i mbështetur me iso nga ish KM i Maqedonisë, Zaev, Ballkani i Hapur ka qenë një shpikje e paaprovuar nga kancelaritë emerikane dhe europiane.
Më të zëshmit kundër kësaj paçavureje pa asnjë sens ka qenë pala gjermane me kancelarin e ri Sholc, i cili ka deklaruar se fantazma të këtij niveli janë të paabsorbueshme. Ky proces i dyshimtë që shkon para me ngulmimin e Edi Ramës dhe Vuçic pa gjysmën e Ballkanit, për më shumë pa gjysmën tonë, Kosovën, bie erë e një afere të pisët që nuk ka lidhje me interesin tonë kombëtar, integrimin europian.
Deklaratat propagandistike të Edi Ramës me shalqinj e domate nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse e kanë bërë këtë proces bajat dhe të papranueshëm. Nëse deri dje, kjo iniciativë është parë si një dëshirë për ti bërë karshillëk BE, për vonesat e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Europë, vizita e Lavrov, i çori maskën kësaj afere të ndyrë antiamerikane.
Duhej deklarata e Lavrov që të zbërthente lojën misterioze që po luhej në kurriz të shqiptarëve, duke zbërthyer se pas gjithë kësaj coftire që quhej Ballkan i Hapur fshiheshin interesat ruse. Deklarata e Lavrov se, Brukseli nuk do Ballkanin e Hapur, por atë të mbyllur dhe se Rusia është e interesuar e drejtpëpërdrejtë për këtë marrëveshje me protagonizmin e Vuçiç dhe Edi Ramës zbardhi skemën e kaq reklamuar.
Nga sot u pa qartë se loja e elitave politike ballkanase i ka lidhjet e shkurtra në Rusinë e Putin, sesa në perëndimin demokratik. Autokracia ballkanase e ka të qartë se një integrim europian brenda kushteve demokratike të përcaktuara qartë, nuk ju lejon një sundim të gjatë pa ligje, rregulla dhe korrupsion në çdo qelizë të shtetit.
Vizita e dështuar e Lavrov pati sukses të plotë në një gjë të vetme, atë të hedhjes në erë të Ballkanit të Hapur, duke demaskuar dy lolot e kësaj ideje si agjentë të fshehtë të interesave ruse në Ballkan, kundër partnerëve tanë strategjikë SHBA-BE.