11 Mars 2024

Dështimi i funksionimit të termocentralit të Vlorës, publikuar ditët e fundit nga Ina Media ka sjellë reagimin e tejzgjatur me argumente nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, se përse TEC nuk u vu kurrë në punë. Në shkrimin e botuar një javë më parë citoheshin dy raporte konfidenciale ku zbulojnë se KESH ka lënë në gjumë letargjik prej 10 vitesh një pasuri që mund të riparohej me një faturë prej 13 milionë eurosh.

Që kur është ndërtuar dymbëdhjetë vjet më parë, TEC-i i Vlorës i ka ngarkuar shqiptarët me një faturë rreth 200 milionë euro, pa funksionuar asnjë ditë të vetme. Sot ka ardhur reagimi i gjatë i Ministrisë, duke fajësuar këdo që e ka çuar TEC-in në këtë pikë.

Historia sipas Ministrisë nis më qeverinë e kaluar e pastaj një sërë kushtesh të tjera të jashtme që nuk e bënë dot këtë TEC funksional, por pa hedhur përgjegjësi tek vetja.

Në një reagim për mediat, MIE e ka cilësuar projektin si një projekt të dështuar të trashëguar nga qeveria e para vitit 2013 ndërsa ka renditur studimet ndërkombëtare dhe hapat e ndërmarra ndër vite për të zgjidhur problematikën e projektimit të gabuar të sistemit të ftohjes së tij.

Reagimi i plotë i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë:

Duke marrë shkas nga një artikull investigativ në titull, por spekulant në përmbajtje, mendojmë se është e udhës që të hedhim dritë mbi disa fakte të pakontestueshme që shoqërojnë historinë e gjatë e të trishtë të TEC Vlora.

Termocentrali i Vlorës, i parashikuar për të prodhuar 97MW energji elektrike në vit, është një vepër e dështuar që në nisje të tij, për shkak të projektimit të gabuar dhe problematikave që pasuan vënien e tij në punë, në vitin 2011.

Ky impiant është një tjetër dështim i trashëguar nga qeveria e asaj kohe, për të cilën MIE dhe KESH janë përpjekur me të gjitha resurset e disponueshme për ta bërë operacional dhe për të ulur e rikuperuar kostot financiare të krijuara nga ky projekt i keqmenaxhuar.

Termocentrali u dorëzua përfundimisht në tetor 2011, me dy vite vonesë nga parashikimi kontraktual dhe ka qenë në statusin afatgjatë të konservimit, që nga janari 2012.

Impianti është një termocentral me cikël të kombinuar me një turbinë me gaz dhe një turbinë me avull.

Fillimisht e planifikuar të funksiononte me naftë me përmbajtje të ulët squfuri, tek pritej që gazi natyror të ishte lënda kryesore,  pasi të sigurohej lidhja me Gazsjellësin Trans Adriatik.

Impianti u komisionua me dy vjet vonesë për shkak të një instalimi të gabuar të tubacionit të ftohjes së ujit të detit në brigje, fakt ky i pranuar nga palet e perfshira ne proces aso kohe.

Tentativa e parë për vënien në punë të TEC Vlora, në tetor 2009, shkaktoi një dështim të plotë të sistemit të ftohjes me ujin e detit. Kontraktori i inxhinierisë, prokurimit dhe ndërtimit (EPC), kompania “Tecnimont”, mori përgjegjësinë per te  riparuar sistemin e sapo ndërtuar, pa asnjë orë pune konsum.

Menjëherë pas deklarimit se sistemi ftohës tashmë ishte riparuar, në janar 2012, tentativa e dytë rezultoi në një tjetër dështim të plotë të sistemit të ftohjes.

Asnjë punë riparimi apo rehabilitimi nuk është ndërmarrë që atëherë nga kontraktori EPC apo ndonjë kompani tjetër.

Aktualisht KESH-i ka mbajtur Siguracionin e Performancës të EPC, sipas detyrimeve kontraktuale.

Pretendimet se një stuhi detare ka shkaktuar problemet me sistemin e ftohjes ngjajnë më shumë me alibi, që kërkojnë të fshehin problemin e vërtetë të impiantit, pasi dy tentativat për vënien në punë të TEC janë kryer në kohë të ndryshme në një distancë 2 – vjeçare dhe do të ishte një rastësi e çuditshme që pikërisht në ditët e vendosjes në punë të TEC, të ndodhnin dy stuhi kaq të mëdha, sa të shkaktonin dëmet e pariparueshme në sistemin e  ftohjes se TEC.

Qartësisht projekti inxhinierik ishte i mangët dhe implementimi akoma më i mangët, ndaj edhe nëse duam të aludojmë për stuhi a tsunami në gjirin e Vlorës, minimalisht ky projekt pavarësisht se parashikonte ndërtimin e një TEC në brigjet e detit Adriatik,  nuk kishte parashikuar situata të mundshme stuhish detare.

Pastaj edhe nëse do të ishte i vërtetë versioni i një stuhie të paprecedentë nga ato që përsëriten një herë në 100 vjet si ngjarje që kishte ndodhur në vitin 2012, po në 2009 kur u deklarua i përfunduar për herë të parë TEC Vlora,  pse nuk punoi asnjë ditë?

Pikërisht për shkak të sistemit ftohës, që u projektua dhe implementua gabim që ditën e parë dhe nuk u arrit kurrë t’i jepej zgjidhje, pavarësisht mundësisë së dytë që iu dha nga qeveria e asaj kohe kompanisë.

Situata në sistemin energjetik në vitin 2013

Është e lehtë të dalësh sot e të thuash ç’i ka qeveria apo KESH 13 milion euro , që të rregullonte një gabim teknologjik që i kushtoi vendit miliona euro, por mirë është të freskojmë pak memorien e investigatorëve të shkrimit, pasi sistemi energjitik i një vendi trajtohet si një i tërë e jo si ishuj të izoluar mes prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes.

Në vitin 2013, sistemi elektroenergjetik shqiptar gjendej në situatën e tij më të vështirë, në prag të një kolapsi, jo më vetëm teknik si në vitet 2000 por tashmë edhe financiar.

Humbjet në sistemin e shpërndarjes ishin mbi 45%, pra rreth gjysma e energjisë së prodhuar apo të importuar shkonte dëm.  Kjo si rrjedhojë e mungesës se vizionit, strategjisë dhe implementimit të investimeve në rrjet. Mungesa e kontrollit në territor dhe dorëzimi i shtetit para vjedhjes e abuzimit me energjinë elektrike.

Gjendja teknike e HEC-eve në kaskadën e lumit Drin ishte në momentet më kritike, me mungesë në mirëmbajtje, me efekte deri në rrëshqitje të digës Koman në vitin 2011, si një nga skandalet më të mëdha që zbuloi papërgjegjshmërinë e një shteti të tërë ndaj një prej aseteve më të vyera të vendit.

Mungesa e vlerësimit operacional të aseteve energjitike të kaskadës së Drinit, mungesa e investimeve dhe norma të gatishmërisë në nivelet më ulëta janë një tjetër fakt i pakontestueshëm, bazuar në dokumenta.

Sikur të mos mjaftonte lënia në mëshirë të fatit e Kaskadës së Drinit, sistemi elektroenergjitik u rëndua nga një vendim arbitrar për të hequr nga portofoli i kompanisë publike të gjenerimit  HEC  Bistrica 1 – 2 dhe Ulëz-Shkopeti. Të shitura me një vlerësim qesharak, pasi as çmim nuk mund të quhet procedura që u zgjodh nga qeveria për t’i dhënë këto hidrocentrale te privati, duke shkatërruar pa kthim balancën elektroenergjitike shqiptare.

Në ndërkohë, situata financiare karakterizohej  nga borxhe ndaj paleve të treta, në mbi 200 milionë euro. Nga borxhe tatimore të shoqërive publike, deri edhe në mospagesa të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Kostot e  humbjeve mbuloheshin nga buxheti i shtetit me hua buxhetore dhe hua në bankat e nivelit të dytë, për shoqërinë KESh sh.a, deri në 500 milionë euro. Ekspozime me hua në banka të nivelit të dytë, me pamundësi për tu ripaguar, ishin një normalitet i atyre viteve. Padyshim, i gjithë ky kaos do të sillte mungesë  të plotë të investimeve publike për kapacitete të reja gjeneruese.

Nën një panoramë të tillë, konsolidimi financiar i sistemit energjetik ishte prioritar, ndërsa hapësirat për të siguruar investime të tjera shtesë për një projekt që tashmë ishte i ngarkuar me kredi të mëdha si ai i TEC Vlora, ishin të pamundura.

Raportet e ECA (2017) dhe Roland Berger (2018)

MIE dhe KESH jo vetëm që nuk e kanë lënë jashtë vëmendjes TEC Vlora, por janë agazhuar me të gjitha kapacitetet, që në vitin 2013 për gjetjen e mundësive për vënien në punë të TEC-it, duke kërkuar asistencë ndërkombëtare të specializuar për këtë sektor.

Dy raporte ndërkombëtare nga konsulentë të specializuar janë siguruar si rrjedhim i këtij angazhimi, njëri në vitin 2017 nga ECA (Economic Consulting Association)  dhe tjetri në 2018 nga “Roland Berger”.

Studimi i ECA është fokusuar në pozicionin e TEC Vlorës, në kuadër të zhvillimit të rrjetit dhe tregut të gazit në Shqipëri, duke lidhur ngushtësisht nevojën e rrjetit të furnizimit të TEC-it me gaz për vijimin e veprimtarisë së tij.

Në këtë studim parashikohet një kosto prej 13 milionë eurosh vetëm për riparimin e sistemit të ftohjes, por raporti nuk ka llogaritur edhe një sërë kostosh të tjera për vendosjen në punë të impiantit, që lidhen me gjithë sistemet e tjera të TEC-it.

Kjo sepse ECA nuk ka pasur si detyrë bërjen e një analize tërësore të TEC Vlora, nuk është bërë një vlerësim i statusit teknik të tij duke mos analizuar tërësinë e funksionalitetit të asetit.

Raporti i “Roland Berger” ka analizuar mundësitë e vendosjes në operim TEC-in e Vlorës duke konsideruar disa opsione:

Modeli i dhënies në përdorim për një periudhë kohe ,duke përfshirë tubacionin Fier-Vlorë, i cili sot është një nga projektet konkrete të MIE, por jo në 2013, kur nevojat e sistemit elektroenergjitik ishin bazike, energji për qytetarët që vinin nga një periudhe me shkëputje disa orëshe në ditë, e deri te rikuperimi i financave të rrënuara.

Modeli i dhënies në përdorim për një periudhë kohe (përjashtuar tubacionin Fier-Vlorë)

Privatizimi i pjesshëm

Modeli i ofruesit të shërbimit operacional

Të dy konsulentët në raportet e tyre nuk kanë përcaktuar koston përfundimtare, por kanë sugjeruar kryerjen e një studimi fizibiliteti tekniko – ekonomik për përcaktimin përfundimtar të kostove reale të vënies në punë të TEC Vlora.

TAP

Të dy raportet e konsulentëve ndërkombëtarë sugjerojnë funksionimin e TEC Vlora me gaz, ku furnizimi të kryhet nëpërmjet lidhjes me tubacionin e TAP. MIE së bashku me KESH kanë eksploruar në mënyrë të vazhdueshme vendosjen në funksionim të TEC-it të Vlorës duke përdorur këtë strategji.

Në mars të vitit 2017 është nënshkruar një marrëveshje e angazhimit midis Qeverisë Shqiptare dhe TAP për zhvillimin e tregut të gazit dhe marrëveshjes për përfitimet vendase, e miratuar me VKM Nr. 233 datë 21.03.2017.

Nëpërmjet kësaj marrëveshje TAP u angazhua në ndërtimin e pikës së daljes në zonën e Fierit sipas të dhënave teknike bazë të dakordësuara. Për zbatimin e këtij angazhimi, mes MIE dhe TAP është nënshkruar më 09 Korrik 2021, një Marrëveshje për Bashkëpunim dhe dorëzimin e pikës së daljes në jug të Fierit.

Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje shoqëria e projektit TAP do të ndërtojë me kostot e saj pikën e daljes në Fier, pikë në të cilën do të lidhet infrastruktura e transmetimit të gazit, pjesë e IAP, me drejtim Vlorën, e cila do të zotërohet nga shoqëria publike Albgaz sh.a.

Zhvillimi i kësaj infrastrukture, pas nënshkrimit të marrëveshjes, u kushtëzua negativisht nga një faktor shumë i rëndësishëm, ai i luftës në Ukrainë dhe impaktit që pati në tregjet e energjisë, në veçanti të energjisë elektrike dhe gazit.

Aktualisht tregjet e gazit dhe të energjisë janë në një tjetër situatë, ku kushtet e zhvillimit të projekteve janë më të sigurta dhe qëllimet e këtyre projekteve janë të orientuara edhe në sigurinë e sistemeve kombëtare dhe europiane të energjisë.

Në marrëveshjen me TAP, është e mundshme lidhja me stacionin e kompresorit të Fierit dhe TAP ka marrë përsipër të lehtësojë lidhjen e tubacionit Fier-Vlorë me këtë pikë lidhje, si investim i TAP.

Vënia në punë e TEC Vlora është ngushtësisht i lidhur me tubacionin e gazit Fier-Vlorë.

Aktualisht AlbGaz po punon për përditësimin e projektit të tubacionit Fier-Vlorë, i cili do t’i shërbejë edhe TEC-it të Vlorës sipas edhe rekomandimeve të sipërpërmendura.

Përpjekjet aktuale për vënien në operim të TEC-it të Vlorës

Në funksion të rivënies në punë të TEC Vlorë dhe në zbatim të rekomandimeve të konsulentit ndërkombëtar “Roland Berger”, në fund të vitit 2018 është zhvilluar gara ndërkombëtare për “Rehabilitimi dhe vënien në punë të Termocentralit të Vlorë-s si dhe të ndërtimit të tubacionit Fier-Vlorë për furnizimin me gaz të tij”. Kjo procedurë nuk rezultoi e suksesshme, pasi ofertat e paraqitura nuk përputheshin me kriteret e përcaktuara në dokumentet e koncensionit/PPP të formës R.O.O.T.

Ndërkohë angazhimi dhe përpjekjet e MIE dhe KESH për vënien në punë të TEC Vlorë kanë qenë të vazhdueshme dhe nuk kanë ndalur as gjatë situatës së krizës globale energjitike.

Në kontekstin e bashkëpunimit me SHBA dhe zhvillimin e sektorit të gazit në Shqipëri, në vitin 2021, MIE nënshkroi një marrëveshje mirëkuptimi me kompanitë amerikane ExxonMobil dhe Excelerate Energy për projektin e integruar të rijetësimit të TEC-it të Vlorës dhe furnizimin e tij me gaz përmes terminalit të lundrueshëm të gazit të lëngshëm në gjirin e Vlorës.

Rritja e sigurisë energjitike dhe diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë elektrike mbeten prioritete kryesore të Qeverisë Shqiptare dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Në këtë kuadër, rivënia në punë e TEC Vlora ka pasur një vëmendje dhe angazhim të vazhdueshëm, por problematika e rrjedhur nga projekti i dështuar që në nisje dhe i mbivendosur më pas me faktorë të tjerë jo më pak të rëndësishëm, si kriza globale energjitike dhe lufta në Ukraninë, e kanë bërë edhe më të vështirë gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë të këtij problemi.

Përtej gjithë këtyre vështirësive objektive, mundësitë e integrimit të projektit fillestar të TEC Vlora me infrastrukturat e gazit natyror që po planifikohen të zhvillohen në vend, kanë krijuar tashmë klimën e nevojshme dhe hapësirat e duhura për të rivitalizuar parkun energjitik të Vlorës.

Është për të ardhur keq se si një artikull i financuar për arsyen e mirë  të transparencës dhe me etiketën  ‘artikull investigativ’, në vend që të hedhë dritë e t’i referohet fakteve të vërteta, krijon thjeshtë alibi për të mbuluar diellin me shoshë, hedh akuza tek ata që në të vërtetë kanë punuar e punojnë jo thjeshtë për të zgjidhur problematikën e projektimit të gabuar në sistemin e ftohjes të vitit 2009, por për të vendosur në operim, njëherë e mirë TEC Vlora dhe jo vetëm me 97MWH fuqi si ishte parashikuar, por me tre module që të ndara në tre faza, në fund do të ofrojnë një aset termal prej 350MWH fuqi.

E vërteta del gjithmonë në sipërfaqe përmes punës, por i bëjmë thirrje gazetarëve “investigativë” të tregohen të kujdesshëm dhe të mos disinformojnë publikun për çështje kaq të rëndësishme, madje të konsideruara thelbësore për infrastrukturën kritike të vendit.

Gazeta Dita