1 Dhjetor 2024

Thatësirat, reshjet e dendura, rritja e nivelit të detit dhe ndotja do të ndikojnë gjithnjë e më shumë në pellgun e Mesdheut, i cili po ngrohet 20% më shpejt se pjesa tjetër e botës.

Kjo u theksua në COP29 në Azerbajxhan nga ekspertët Piero Lionello, nga Universiteti i Salentos, dhe këshilltari për klimën dhe zhvillimin rural, Abdel Monem, duke paraqitur dy raporte, për të cilat ata koordinuan kontributet e 55 shkencëtarëve nga 17 vende, pas një ftese nga Unioni për Mesdheun, pra Konferenca e Bashkimit Evropian me 16 vende të pellgut të Mesdheut.

Duke iu referuar konkluzioneve kryesore të këtyre dy raporteve, gazeta franceze Le Monde nënvizon se ata japin alarmin për pellgun e Mesdheut dhe 540 milionë banorët në rajonin e tij, duke theksuar se nëse nuk do të reduktohen të ashtuquajturat gazra serë, të aftë për të kufizuar rritjen mesatare të temperaturës në 1.5 gradë Celsius gjatë dy dekadave të ardhshme, atëherë ato që konsiderohen si ngjarje ekstreme të motit, si “reshjet apokaliptike” të fundit në rajonin e Valencias të Spanjës, do të bëhen më të shpeshta. Në të njëjtën kohë, dy ekspertët parashikojnë se projektet bazë të infrastrukturës në Mesdheun Europian do të kërcënohen nga përmbytjet.

Dy shkencëtarët flasin edhe për një përkeqësim të përgjithshëm mjedisor në pellgun e Mesdheut duke theksuar se për shkak të rritjes së temperaturës do të ketë thatësira të përhapura dhe ulje të rezervave të ujit të ëmbël. Ata gjithashtu i referohen mbetjeve plastike, duke vënë në dukje se ato janë 100% lundruese dhe 50% të zhytura në ujë. Ata theksojnë gjithashtu se gjatë dy dekadave të fundit valët e të nxehtit janë rritur në Mesdhe me 40% dhe se 15% kanë qenë të zgjatura. Që rezulton, ndër të tjera, me ngordhjen e koraleve, sfungjerëve, molusqeve, ekinodermave etj., por edhe shtimin e meduzave.

Së fundi, efektet janë të ndjeshme edhe në fushën e prodhimit bujqësor, ku tashmë vërehen probleme në ullinj, rrush, drithëra, fruta dhe perime. Diçka që, siç raportojnë dy shkencëtarët, do të ketë implikime edhe në fushën e sigurisë ushqimore për banorët e Mesdheut.