Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli), maj 1943: “Në Prizren, midis të vdekurve dhe të gjallëve”. –
Po të jetë se vini në Prizren – për ndonjë punë më të kthjelltë se kontrabanda – mbasi të keni shijuar bukuritë pa shoq të këtij vendi të qetë edhe gazet e jetës të të gjallëve, mos harroni të vizitoni edhe banesat e të vdekurve.
Sa burra të lartë e sa vasha e zonja të hijshme që adhuroni qysh shëtisin aty te Shatrivani a në këmbë të Xhamisë të Sinan Pashës ose mbi Urën e gurtë, janë një pikë ujë në një det, në krahasim me numrin e atyre që çlodhen nën dhe.
Nuk di nëse këta, atje ku janë e ku s’janë, e ndiejnë çapin tonë e në kanë ndonjë gaz, në mënyrën e tyre, po di se shpirti ynë del, nga këto parakalime për në banesën e fundit, më i platitur, më i njerëzishëm e mbase më i larguar nga kotësirat e tokës.
Ah, është fort e rëndë të vizitosh gjithë varret e një qyteti kaq të madh e kaq të vjetër, se janë të shumtë e të përhapur. Dhe shumë gjurma janë zhdukur. Po ne bëjmë sa mundim.
Ja, të kalojmë së bashku Urën e gurtë me harqe venetike, aty afër Xhamisë të Sinan Pashës, e të shkojmë ngadalë, nëpër disa rrugë shumë të ngushta e të dredhuara (mua këto më pëlqejnë më shumë se rrugët monotonisht të drejta, të hapura me litar, të qyteteve të reja) gjer te Xhamia e Bajrakliut. Përpara kësaj Xhamie me minare çuditërisht të hollë, si fije kallmër, është një oborr dhe në oborr disa varre të vjetra zonjash e zotërinjsh, nga të fuqishmit e një kohe.
Tani, kur asnjë dorë nuk zgjatet t’i përkujdesë, as varret as qoshkun aty pranë, pllakat e mermerta kanë rënë poshtë, ku i shkel këmba dhe i bluan koha. Do dëshëroja fort të lexoj mbishkrimet, me nj’ato fantastike kaligrafi arabe, që asnjë nga alfabetet e ngurta evropiane nuk mund t’iu afrohet nga bukuria. Po nuk di, dhe jam i dëshpëruar se ndofta nuk do di kurrë. Megjithëkëtë më pëlqen t’i vështroj e t’i prek me gishtrinj. Sepse më duket se kur i prek me gishtrinj këto veprat e artit skulptural, i afrohesh shpirtit të artistit që i punoi.
Ja, të gjithë të vdekurit të këtushëm që flenë nën shenjën e komplikuar të svastikes ariane në trajtë dielli, që i patën sjellë dikur të gjallët, me bujë e me lot. Pastaj u ardhi radha edhe atyre të ikin nga kjo botë – si na ka për të ardhur edhe neve, nesër – dhe mbetën të shkretë.
Është mirë të rrish disa orë këtu në oborrin e Bajrakliut (dhe unë pata ndenjur, shumë herë) se uji i çezmave dhe shushëllimi i vijës të preh, po ne sot kemi për të bredhur më. Zbresim, si pa qëllim, nëpër arabeskun e rrugëve të qytetit të cilin Zoti e dhuroi me ujra shumë.
Ja këtu, një portë e madhe me një yll e gjysmë hënë përsipër. Porta është e hapur. S’ka njeri për të pyetur. Zgjatim kryet në një dritore. Brenda varre – janë gjashtë – me kësula e çallma të rënda përsipër.
Dhe pranë – pranë banesa/ Këtu jeta – aty vdekja.
Sa qetësi në oborr! Një shatrivan, me ujë të kulluar, nën një pjergull. Një trëndafil i çelur, një zog që këndon. Jemi në muajin maj… Shkon një njeri. Pyes e më përgjigjet:
Varret e para janë varre jabanxhinjsh, miq të Teqesë që i arriti vdekja aty. Varret e tjera janë të baballarëve të Teqesë, duke filluar me Sheh Osmanin, dhe pas tij, Sheh Ahmeti, Sheh Sinani e katër të tjerët. Edhe këtu qetësia e Zotit të thotë: rri. Po ne jemi udhëtarë e nisemi.
Që aty te lumi duket, mbi një kodër, Kisha e Shën Spasit ose Kisha e Gogëve (e vllehëve) si i thotë populli. Kjo ka historinë e saj. Sërbët e kanë djegur disa herë në kohën e Turkut, se vllehët nuk pranonin gjuhën sërbe në kishë. Ka atje disa varre të vjetër, me kryeshkrime greqishte që mund të na shërbejnë si dokumente historike për të vërtetuar se pjesa më e madhe e popullsisë sërbe e Prizrenit është, në realitet, një popullsi shqiptare – rumune e sërbizuar përmjet kishës, dhe e cila, dikur, ka dashur të rrojë jetën e vet kombëtare.
Varret e reja, të sotmet, të Prizrenit janë përtej, në hyrjen e qytetit. Që t’arrijmë atje mbajmë krahun e djathtë të lumit. Mos qëndroni fort këtë radhë në urat për të vështruar ujët e shkumbëzuar që rrjedh poshtë e as mullinjt’ e shumtë. Pa fjalë se këta janë më të mirë, se ai i Xha Brahos të Shkumbanores. Kanë nga pesë e gjashtë gurë. Po ne do vijmë tjetër herë t’i shkelim. Arrijmë në ura e fundit – urë e drunjtë. Duhet ta kalojmë.
Ja aty, më të djathtë, një fushë e madhe me varre: Varret e musulmanëve. Rrasa të rrepta prej guri të hirtë. Shumica pa kryeshkrime. Disa që kanë, janë arabisht. Bari është i gjelbër, i freskët, po ne mundim të kalojmë përmes se dielli e piu vesën e mëngjesit. Aty nën një hije fle një njeri: i qetë, me duar nën kryë, pranë një guri. Si nesër do flerë gjith’ aty, po nën dhe, përgjithmonë.
Varret e ortodoksëve, nënë sallkëmet e lulëzuar. Janë varre te kujdesur mirë këta të borgjezisë sërbe, zotëronjëse në vitet e fundit. Gurë me shkronja të arta, lule, fotografi.
Reshpërojnë gra shumë, veshur nër të zeza. Pata besuar, në fillim, se do ish ndonjë varrim, po jo. Sot qënka e Shtuna e të vdekurve, 22 maj 1943. Vaje e lotë shumë. Kështu ështe ortodoksia: mistike, sentimentale, lakrimogjene.
Aty, pranë njëj varri të freskët është shembur një grua e re dhe qan e lodhur, e dërmuar. Përtej, disa të tjera, me zhurmë. Disa gra rrahin të ngrehin që poshtë, me këshillime, një plakë që vajton edhe përsërit litaninë “dushe moje, dushe, dushe, dushe”, “shpirti im, shpirt, shpirt, shpirt”. Një tjetër i drejtohet të birit, që tretet brenda, me një fjalë sërbisht – një shqip: “sine – bir – o! sine – bir – o!” E qan e dëshpëruar. Është pa fjalë, ndonjë shqiptare a ndonjë rumune nga Shqipëria (shumë nga gogët e Prizrenit janë të ardhur nga rrethi i Korçës edhe i Manastirit) tani e sërbizuar, po e cila birit të vdekur i thotë në gjuhën e vjetër gjith’ “bir – o”.
Ka ngashërime shumë dita e sotme dhe mund të lotojmë duke kujtuar të vdekurit tanë, sado që sallkëmi ështe i lulëzuar dhe shpeshët këndojnë.
Po, shpeshët këndojnë e midis varreve… Shkon aty pranë një foshnjë nër të zeza që e heq për dore një nënë gjith’ nër të zeza. Sa ngjyrë e tmershme kjo e zeza! Zonja loton dhe foshnja vështron shpeshin që këndon aty mbi degë, se ajo nuk di dhembjet e lotit të vërtetë.
T’i lemë varret e ortodoksëve me shkrime te rënda kirilike përsiper. Flenë këtu brenda kaq kombësi të sërbizuara. Ne shkasim më tej dhe kalojmë kufirin e gjelbër që ndan varret ortodokse nga varret katolike. Po, vetëm një vije e gjelbër, kurse varret e Shkodrës ngjet të rrethohen me mure e me porta të hekurta, me katinare të rëndë.
Ah, këtu në varret e katolikëve të Prizrenit ka mbishkrime shqipe! Shqipe – në kohën e Turqisë dhe të Sërbisë! Është ky një afirmacion shqiptar i shkruar vendimtarisht dhe guximtarisht mbi gur, të cilin duhet ta nënvizojmë, me ngjyra të dukëshme, si një nga shprehjet e ndërgjegjes kombëtare. Emra të njohur: Shirokanj, Mjedanj e të tjerë.
Ja një varr mjaft i moçëm, me një kryq të rëndë. Dhe mbi kryq një mbishkrim: “Këtu pushojnë Balta e Mana Tarabolluzi të mbytun prej Lumjanve më 2 Tetuer 1880”. Kanë aty edhe fotografitë e tyre. Balta me kostumin si gjiritli, me pantallona të zeza të gjera; Mana në dimit e vendit.
Kam pyetur në qytet për tragjedin’ e Baltës dhe të Manës: Balta ka qënë tregëtar i madh (shtëpia e tij e shembur është aty, pranë kishës katolike). Dhe trim. Kish patur një grindje me Destan – policin për një gjerdhan florinjsh të lënë amanet. Destani i solli lumjanët që ta vrasin. I rrethuan shtëpinë, natën. Balta e Mana, burrë e grua “kan pas qit pushkë” me trimëri të madhe sa u këndohet edhe sot kënga në Prizren:
Mana mush e Balta qit/ I Madhi Zot mos na korrit/ Moj Mane, moj krajlicë/ Na kallshe ç’at dite/ Se kan ardh cubat me të mbytë.
Kanë luftuar me trimëri, po lumjanët ishin të shumë dhe i kish sjellë Destan – polici vetë. Një lumjan ra në oborr, një brenda në lesh (se Balta bënte edhe tregti leshi) e një tjatër s’di se ku. Disa u patën plagosur. Po më në fund edhe Balta edhe Mana ranë të vrarë…
Tani shtëpia e tyre është e shkretë. Nuk u mbeti veçse kënga. Dhe kënga mjafton. A mos prej nesh do mbetet më shumë?
Po ja, atje, një tjetër varr, i rrethuar, me kangjella hekuri. Bari i varrit është i freskët, i madh, i kujdesur. Mbi kryq fotografia e një vashe të re. Një rusp përralle, me vija fisnike, aristokrate. Unjem e lexoj “këtu pushon Filja e Ukës Zef (Toçes). Leu më 16 Tetuer 1901, diç më 29 Shtatuer 1921”. As njëzet vjet! Dhe kaq e bukur!
Më poshtë disa vargje mirë latuar mbi gur, me atë shqipen e vjetër të Veriut:
N’kohë ma t’mirën t’vajzniis
Filja e Ukës sod ndroj jetë;
Tuj kenë shembulli i pastriis
Vllaan e nanën shkoj me gjetë.
Ku e pata ket rrezik
Me i mblu baba fëmit n’dhe
Me ditë t’soçme un jam fikë
E nuk m’met asnji për bee.
Ah! ti morde, moj katile,
Shum rrenime bone n’fëmii,
Ti na morre t’shkretën File
E keshtu m’lee me duer n’gji.
Strofa e fundit është më mallëngjenjëse nga të gjitha, po e ka mbuluar bari i freskët, aty rrëzë kryqit. Flet vetë e vdekura: T’lutem Babë mos m’u idhnue/ Malli i Vllaut fort m’ka mollisë
A, përsëri ky bari i mbulon shkronjat. Jo vetëm bari, po edhe një shkëndijë që më shkrep nër sy. Të jetë ushtima e këtyre vajtimeve që vijnë që përtej, nga varret e ortodoksëve, ose fjala e dhembëshme e kësaj Files së Ukës? Apo bukuria e vërtetë e vargut?
Vijon: Te nanë zeza du me shkue/ Me dite t’soçme t’kam braktisë/
U dhemb, lexues, u dhemb?
As unë, as ju nuk e dimë cila pat qënë Filja e Ukës nga Prizreni. Dhe asnjë lidhje s’kemi me ta. Po vasha pat qëne e re, e bukur fort dhe fjala e saj ngashërimtare…
Tani të lemë qimitiret e të kthehemi në qytet e të presëm ndajnatën. Dalin asohere, kur skuqen në zjarr malet e Shqipërisë së Vogël, vashat e Prizrenit për të shëtitur aty në Shatrivani, në Xhamia e Sinan Pashës e gjer te Ura e gurtë me harqe venetike. Nuk është, pa fjalë, midis tyre, Filja e Ukës që tani u bë hi e tokë po edhe këto të tjerat motrat e saja prizrenase janë edhe ato fort të këndëshme në të parë. Një grua që di të vishet bukur, me fisnikëri e të shkelë lehtë, është një dhuratë e Zotit. Një veshje e hijëshme që plotëson bukurinë e natyrës së gruas është edhe ajo një dhuratë prej Zotit.
Dhe Prizreni i ka që të dyja: Zonja e Zojusha të bukura që dinë të vishen bukur, të ecin me nur dhe veshje të hijëshme. Veshja karakteristike është çitjania, e sjellë prej turkut dhe e përshtatur nga gjithë elementet e vëndit: myslimanë, ortodoksë, katolikë. Sikush nga këto kategori i ka sjellë ndryshmëritë e ndjenjës së vet, duke bëre nga një veshje tipike një veshje specifike. Si bukuri zotëron, pa fjalë, veshja katolike, dimija, si i thonë zonjat e atjeshme, e plotësuar me valle, për të lidhur flokët, me parlant, e me t’lesht që hidhet krahëve. Të gjitha me ngjyrat e forta të parverës: i kuqi shumë i kuq, i gjelbri shumë i gjelbër. Dhe të gjitha këto ngjyra të përzjera midis tyre, me trajtë lulesh e arabeske i bëjnë si një kopsht me lule që ecën,një gjylistan shëtitës që të çudit e të robëron.
Ja lexues, harroni varret edhe vështroni aty në Shatrivani: Tri zonja a tri zojushe zbresin ngadal për në Ura. Ajo e së djathtës edhe ajo e së majtës, në kostume të Evropës. Veshur mirë, korekt edhe shkelin bukur. Janë dhe të hijëshme. Dhe kanë shumë fisnikëri në ecje dhe në pamje. Po nuk na tërheqin vështrimin përveçse në mënyrë të dytë e të tretë. Sepse midis tyre është një mbretëreshë e veshur me veshjen e vëndit, që çmëndi gjithë Shatrivanin. Dhe çuditem qysh duron e qëndron vendit, në trunxh mbi gur, ky Abdyl Be Frashëri i Lidhjes së Prizrenit…
Është një gjylistan që ecën madhështor, zotëronjës, robëronjës. E të vjen, në se ke një shpirt, ta bësh qilim me lule e t’ia shtrosh në këmbë.
Mbrëmave kthehem vetë për në shtëpi. A, nuk jam vetë, se hija më vjen pas, më del përpara, më shket djathtas, majtas, mi muret e avullive. Nuk është as çudi as lumturi të kesh hijen tënde me vete, po kujtoni se i trishtuari hero i Adalbert Shamiso – së nuk e kish më edhe ish i mjeruar për vdekje. Përpara meje një grup zonjash e zotërinjsh katolikë ecin ngadal, si për në dasmë. Dhe me të vërtet venë në dasmë, duke kënduar: Qit – mi, Nan se due me – i vesh, dhe më tej: Du me dal mun’ ke dera…
Dhe kënga është e bukur dhe zërat të ëmbël dhe dritat lozin kur e kur mbi dimit e t’leshtat e tyre. Dhe hapen dritore, dhe hapen porta për të shikuar, për të dëgjuar.
Po mua më zotëron tani një valë dhembjeje. Dhe jo për jetën time që m’u bë fije – fije nër mërgime, as për të vdekurit e panjohur që pata folur më lart. Po për këtë Shqipërinë time që këndon këtu, e qan përtej…
Huazuar nga: “Telegrafi.com”