13 Janar 2025

Gjatë muajit të fundit të vitit të kaluar, inflacioni ka vijuar tendencat rritëse, duke u ngjitur në 2.1%, nga 2% në nëntor dhe 1.9% në muajin tetor të po të njejtit viti, sinjalizojnë shifrat më të fundit nga Instituti i Statistikave. Rritja mesatare vjetore e çmimeve në vitin 2024 është 2.2% nga 4.8% që ishte në vitin 2023, duke mbetur pranë objektivave të Bankës Qëndrore.

Kujtojmë se trajektorja rënëse e inflacionit ka nisur që prej nëntorit të vitit 2022, kur zbriti pranë 7.9%, pas një serie të gjatë muajsh në rritje, dhe me kulmin e prekur gjatë tetorit të po të njejtit vit, prej 8.3%. Ndërkohë, që nga viti 2022, norma më e ulët e rritjes së çmimieve është vlerësuar në shtator dhe tetor të vitit 2024. Gjatë dhjetorit të vitit 2024 ndërkohë, inflacioni regjistrohej më i lartë, çka sinjalizon se fundviti ka qenë më i shtrenjtë për familjet shqiptare, pavarësisht tendencave zbutëse të rritjes së çmimeve.

Kontributin kryesor në rritjen e çmimeve përgjatë dhjetorit e kanë dhënë “ushqimet dhe pijet joalkoolike”, me 1.03 pikë përqindje. Edhe nëngrupet si pajisje shtëpie, transporti, pijet alkoolike dhe duhani, kafene dhe restorante, veshjet, arsimi, shëndeti, komunikimi dhe argëtimi kanë dhënë kontribut pozitiv në normën e inflacionit gjatë muajit të fundit të vitit të kaluar, ndërkohë që transporti ka dhënë ndikim negativ.

Krahasuar me muajin Dhjetor të vitit 2023, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë” me 5.6%, pasuar nga grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 4.2%, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Veshje dhe këpucë” me 3.8% secili dhe “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3.0%. Nga ana tjetër, çmimet për grupin “Hotele, kafene dhe restorante” u rritën me 1.8%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1.5%, “Komunikimi” me 1.2%, “Shëndeti” me 1.1%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0.9% dhe “Shërbimi arsimor” me 0.8%. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” shënuan ulje me 2.8%.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” patën një rritje me 4.7%, pasuar nga nëngrupet “mish” me 4.3%, “peshk” dhe “qumësht, djathë dhe vezë” me 3.5% secili, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe mbëlsira” me 1.6%, etj.

Edhe pse inflacioni është paraqitur i qëndrueshëm përgjatë vitit 2024, ajo që bie në sy është norma e lartë e rritjes së çmimeve për ushqimet dhe konkretisht në grupin e zarzavateve dhe patateve.

Tv Scan