Diaspora shqiptare proteston sot para Kryeministrisë. –  Çfarë pritet të ndodhë. –

28 Dhjetor, 2018

Shqiptarët që jetojnë në emigracion do të mblidhen pasditen e sotme në Tiranë, në një protestë para Kryeministrisë kundër krimit, korrupsionit dhe varfërisë në vend.

Ndërkohë që prej ditësh banorët e Unazës së Re  vijojnë protestën për të kundërshtuar shembjen e pronave të tyre, atudentët edhe pse shumica që vijnë nga rrethet kanë shkuar pranë familjeve për festa, dy ditët e fundit sërish ishin në një protestë simbolike para Kryeministrisë, ndërsa tashmë në kryeqytet mbahet edhe një tjetër protestë, ajo e Diasporës.

Nisma për protestën e emigrantëve shqiptarë, ashtu si ajo e studentëve, ka nisur në mënyrë spontane me thirrje në rrjete sociale.

Një nga organizatorët e saj është Genc Sejko, një personazh që njihet gjerësisht në Shqipëri si “Njeriu i memeve”.

I riu që prej vitesh jeton në Londër në pak kohë ka arritur t’i ktheje mesazhet dhe fotomontazhet e tij në rrjetet sociale në modelin më të mirë të të bërit opozitë qytetare, që duket se i ka futur tmerrin kryeministrit Rama.

Thirrjes së bërë në rrjetet sociale i janë përgjigjur me qindra qytetarë. Shumica e tyre janë emigrantë që sot nuk do të protestojnë vetëm për hallet e tyre, por do të shprehin reagimin për mënyrën sesi po qeveriset Shqipëria.

Nismëtari i kësaj proteste paqësore dhe qytetare, Genc Sejko, të mërkurën në darkë, është shprehur se protesta do të zhvillohet ditën e premte në orën 17:00 para Kryeministrisë, në shenjë rebelimi kundër keqqeverisjes, kriminalitetit, korrupsionit dhe arrogancës që ka mbërthyer vendin.

Emigrantët kanë vendosur që të thërrasin në shesh gjithë shqiptarët, për të protestuar për të drejtat e tyre. Një protestë e ngjashme u zhvillua në shtator në Rumani, ku ishin emigrantët ata që protestuan për drejtësinë e kapur dhe korrupsionin qeveritar derisa e detyruan qeverinë të tërhiqet.

Tubimi i thirrur më 28 dhjetor dhe pse ka organizator shqiptarët emigrantë është i hapur për gjithë qytetarët e tjerë./

Nga: TPZ.AL